E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi

Kryeministri Berisha pati sot, në rezidencën qeveritare Durrës, një drekë pune me Kryeministrin e Republikës së Kosovës , zotin Hashim Thaçi, të shoqëruar nga disa ministra të të dy qeverive. Pas bisedimeve, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi bënë të ditura në një konferencë të përbashkët për shtyp çështjet e diskutuara gjatë kësaj dreke pune.

Kryeministri Berisha: Zonja dhe zotërinj, sapo përfunduam një drekë private pune me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotin Hashim Thaçi, ministrat e qeverisë së Kosovës, të Punëve të Jashtme, të Integrimit, të Punëve të Brendshme dhe atij të Ekonomisë dhe Financave.

Ishte një drekë, në të cilën nga alfa tek omega u diskutua vetëm perspektiva europiane e dy vendeve tona, proceset integruese të Shqipërisë dhe Kosovës, bashkëpunimi midis dy vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, liberalizimit të vizave, procese këto të bazuara fund e krye, në performancën, meritën dhe në vendosjen e standardeve europiane në Shqipëri dhe në Kosovë, si interesi jetik i qytetarëve të vendeve tona.

Unë përshëndes progresin e madh që Kosova e pavarur ka bërë gjatë këtyre viteve, kontributin e saj madhor në paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Në tërë historinë e gadishullit, marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë nuk kanë qenë kurrë të mira siç janë sot. Marrëdhëniet e Kosovës me Shqipërinë dhe me të gjitha vendet përreth, përveç fqinjit verior, do të thosha se janë shembull frymëzimi. Aspiratat e qytetarëve të të dy vendeve për integrim në Bashkimin Europian janë promotor i fuqishëm e themelor i këtij procesi dhe detyrim madhor i qeverive të dy vendeve tona. Me zotin Thaçi ramë dakord që të shkëmbejmë çdo dokument, çdo ligj, çdo platformë, projekt dhe program në interesin më të mirë të këtij procesi, të japim çdo ndihmë teknike në mënyrë që ky proces të jetë fund e krye, i bazuar në standardet më të mira.

Sigurisht që gjatë drekës u diskutuan edhe çështje të tjera të mëdha. U konstatua me kënaqësi se kanë 69 vende, të cilat kanë njohur pavarësinë e Kosovës, si vullneti i tyre më i mirë për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin. U konstatua se pjesëmarrja e Kosovës në të gjitha veprimtaritë e mëdha rajonale dhe botërore po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

Diskutuam për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike, bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, në fushën e energjisë.

Dreka vërtet ishte një drekë pune private, por axhenda e saj ishte kryekëput zyrtare dhe nga më të rëndësishmet. Edhe një herë dua të falënderoj zotin Thaçi, ministrat e tij për të pranuar ftesën për këtë drekë, për të cilën mendoj se ishte e shkëlqyer.

Kryeministri Thaçi: Faleminderit shumë i nderuari Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha për mikpritjen juve personalisht, ministrat tuaj përkatës, ju falënderoj juve personalisht për të gjithë kontributin që po jepni për avancimin e procesit të Kosovës, të bashkëpunimit rajonal dhe perspektivës europiane të dy shteteve tona, por edhe rajonit në përgjithësi.

Kisha kënaqësinë që në këtë drekë private pune, me axhendën më të lartë shtetërore me perspektivë euroatlantike, të informoj Kryeministrin Berisha për hapat që po ndërmerr shteti i Kosovës në konsolidimin e shtetit më të ri, në avancimin e proceseve integruese euroatlantike, në bashkëpunimin rajonal që kemi ndërtuar me të gjitha vendet e rajonit, me procesin e zhvillimit ekonomik dhe të gjitha këto përkushtime për respektimin dhe zbatimin e të gjitha kritereve demokratike, si parakusht i domosdoshëm për t’u integruar, qoftë ato kritere politike, ekonomike, apo të legjislacionit.

Bashkëpunimi mes dy qeverive tona është një bashkëpunim i shkëlqyer. Tashmë Kosova po hyn në një kapitull të ri, për të cilin informova edhe Kryeministrin Berisha, i cili është duke e përcjellë me vëmendje dhe ndihmesën shtesë, me të gjitha potencialet e qeverisë së Shqipërisë, pra, në kapitullin, kur të gjithë jemi duke pritur me padurim opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare për statusin e Kosovës dhe pastaj perspektivën e sigurt të Kosovës për t’u integruar edhe në NATO, edhe në Bashkimin Europian dhe në të ardhmen jo të largët edhe në Organizatën e Kombeve ët Bashkuara. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare do të jetë një opinion në përputhshmëri me vendimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran dhe në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Pavarësisht nga ky qëndrim dhe interpretimet që mund të paraqiten aty këtu, ne jemi në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë miqtë tanë, me të gjithë partnerët tanë, jemi në bashkëpunimin të ngushtë edhe me Kryeministrin Berisha, jemi duke përcjellë të gjitha zhvillimet hap pas hapi. Për Kosovën, prezantimi i opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të shënojë konsolidimin dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës, ecjen përpara dhe do të nënkuptojë edhe njohje të reja për shtetin tonë e në të njëjtën kohë, natyrisht, edhe relacione të reja në kuptimin e çështjeve praktike së diskutuari me Serbinë, por tre janë gjërat, ato, të cilat në asnjë rrethanë nuk do të diskutohen. E para, ne do të punojmë maksimalisht me të gjithë partnerët tanë, EULEX, NATO për të ndryshuar për të mirë gjendjen në veri të Mitrovicës, që atje të ketë ligjshmëri të plotë, që të ketë angazhime demokratike, organizim të zgjedhjeve të lira në tre komunat përkatëse, pastaj implementim të dokumentit të Presidentit Ahtisari dhe angazhime shtesë socio-ekonomike. Po ashtu, statusi politik është një çështje e përfunduar një herë e përgjithmonë dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës ka qenë, është dhe do të mbetet i pranueshëm, i njohur ndërkombëtarisht dhe natyrisht, i paprekshëm.

Diskutuam edhe për bashkëpunimet tona bilaterale, por, në të njëjtën kohë, me theks të veçantë shfrytëzimin më të mirë të përvojave e kësaj radhe të Shqipërisë, si një përvojë e suksesit, edhe për Kosovën në të ardhmen, që të implementojmë të gjitha angazhimet që kemi edhe në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, të Ministrisë së Integrimit Europian, pastaj të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe aspekteve të tjera.

Unë dua të besoj plotësisht se përvoja e suksesit të Shqipërisë do të jetë një ndihmesë e madhe për suksesin e sigurt të Kosovës, për t’u integruar sa më parë në strukturat euroatlantike, por kësaj radhe, me axhendën e qartë për dialogun për liberalizimin e vizave, pastaj për marrëdhëniet tregtare dhe procesin e stabilizim asociimit dhe paralelisht me këto, edhe partneritetin për paqe dhe planin e veprimit.

Edhe një herë faleminderit zoti Kryeministër për mikpritjen.

Pyetje: Zoti Thaçi, siç e tha edhe komisionari Fule, ju së shpejti prisni që të merrni udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. A mund të na thoni disa fusha, ku mund të keni nevojë për mbështetjen e Shqipërisë, duke pasur parasysh se Shqipëria është fare pranë heqjes së vizave.

Kryeministri Thaçi: Unë e theksova edhe më parë, se përvoja e suksesshme do të mund të jetë një ndihmesë e madhe për të ardhmen edhe të Kosovës. Këto përvoja i diskutuam me Kryeministrin Berisha dhe me ministrat përkatës, në veçanti përsa i përket angazhimeve në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pastaj Ministrisë së Integrimit, të Ekonomisë dhe Financave dhe në shumë segmente të tjera të administratës dhe shumë segmenteve të tjera institucionale të bashkëpunimit. Ky bashkëpunim ka qenë funksional edhe deri më tani, por jemi duke hyrë në një fazë të re që kërkon një intensifikim edhe më të lartë. është një sukses i madh reduktimi i trupave të KFOR-it në kufirin me Shqipërinë dhe marrja e kontrollit të kufirit nga policia e Kosovës në anën e Kosovës. Në anën tjetër, ne jemi duke bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit, edhe me Maqedoninë që kemi një bashkëpunim të shkëlqyer, me të cilën kemi rregulluar çështjen e demarkacionit të kufirit, tanimë jemi në fazën finale të fillimit të punëve të përbashkëta edhe me Malin e Zi, në mënyrë që të qartësohet vija kufitare, që do të jetë plotësisht në përputhshmëri me vijën administrative që ka qenë, e vitit 1974. Pra, do të jetë një bashkëpunim prej nivelit më të lartë, deri tek nivelet teknike më të ulëta, të domosdoshme për këtë bashkëpunim. Faleminderit.

Një pyetje për Kryeministrin Berisha, e cila nuk lidhet me vizitën e zotit Thaçi, por me vizitën e një personaliteti tjetër, siç ishte zoti Daul, vizitë për të cilën zoti Rama tha se erdhi në Shqipëri për të bërë fushatë për Partinë Demokratike dhe mikun e tij, Sali Berisha.

Kryeministri Berisha: Lidhur me pyetjen tuaj, dua të theksoj se zoti Daul, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, grupi, përfaqësuesit e të cilit janë sot qeveri në 16 vende anëtare të Bashkimit Europian, duke numëruar këtu Gjermaninë Federale, Francën, Italinë dhe tani së fundi Mbretërinë e Bashkuar, e cila nuk është në këtë grup, por është djathtas, mendoj se erdhi në Shqipëri me lajmin më të gëzueshëm për çdo shqiptar. Ai erdhi në Shqipëri si mik i të gjithë shqiptarëve, pasi vetëm një ditë më parë, ai dhe parlamentarët e grupit të tij kishte luajtur një rol përcaktues në votën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për heqjen e vizave. Në këtë kontekst, ai bëri fushatë për mua, aq sa bëri edhe për çdo shqiptar, që mezi pret lëvizjen e lirë të tij dhe heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën europiane. Nga ana tjetër, mendoj se në dallim nga ç’ndodhi disa javë më parë, Joseph Daul mori takime me të gjithë spektrin politik parlamentar shqiptar dhe dha mesazhet më të shkëlqyera të bashkëpunimit,. çdo interpretim tjetër i kësaj vizite është jo realiste dhe shqiptarët e kanë shumë të

qartë se cili ishte lajmi që u solli miku i tyre i shquar, Joseph Daul, vetëm një ditë pasi ai ishte edhe arkitekti i tij në Parlamentin Europian.

Një pyetje përbashkët për të dy kryeministrat: Në pritje të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Tirana dhe Prishtina janë prononcuar për domosdoshmërinë e dialogut teknik, në një kohë që të njëjtin mendim ka edhe bashkësia ndërkombëtare. A do të thotë se ky mendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e kushtëzon një dialog të tillë?

Kryeministri Thaçi: Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare hap një fazë të re për shtetin e Kosovës, një fazë që kërkon relacion të ri edhe mes dy shteteve, të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e diskutimit të disa çështjeve praktike, që janë të nevojshme e të domosdoshme të diskutohen, por edhe të zgjidhen mes Prishtinës dhe Beogradit, siç kemi diskutuar me të gjitha vendet e rajonit, edhe me Maqedoninë, që do t’i diskutojmë edhe me Malin e Zi dhe natyrisht, një bashkëpunim të shkëlqyeshëm kemi edhe me Shqipërinë. Por e përsëris në asnjë rrethanë nuk do të ketë kthim prapa, përkundrazi do të ketë vetëm ecje përpara, njohje të reja për shtetin e Kosovës dhe është në interesin e të dy vendeve, edhe të shtetit të Kosovës, edhe të shtetit të Serbisë, të zgjidhë një herë e përgjithmonë këto çështje praktike, të cilat janë edhe standarde, mund të them, për integrim në strukturat euroatlantike edhe për shtetin e Kosovës, edhe për shtetin e Serbisë. Por opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare nuk është me rëndësi vetëm për Kosovën, është me rëndësi për të gjithë rajonin, është me rëndësi për të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Unë pres që pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të mbyllet edhe ky vakum mes 22 vendeve të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe të 5 vendeve që ende janë në proces të njohjes. Pra, pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare do të ketë një qëndrim unik të të gjitha vendeve të BE-së për perspektivën europiane të Republikës së Kosovës. Më lejoni që në fund të them përsëri se unë i solla Kryeministrit Berisha mesazhet më të mira për angazhimin e përbashkët që kemi pasur për inaugurimin e fillimit të punimeve të autostradës Vërmicë në drejtim Prizrenit, të Prishtinës, deri në Merdare dhe e informova për fillimin e punimeve të suksesshme dhe të angazhimeve shtesë të punimeve në kapacitet të plotë, në mënyrë që të afrohet sa më tepër Prishtina dhe Tirana, që do të thotë që kjo distancë që ka mbetur, 3-4 orë, të afrohet edhe më tepër.

Kryeministri Berisha: është e vërtetë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës pritet të jepet dhe kam bindjen se do të jetë një kontribut i ri madhor për paqen në Ballkan. Nuk mund të ketë asnjë lloj mëdyshje se ky vendim do të shkojë në kundërrrjedhë të të drejtës historike, të të drejtës juridike, të të drejtës ndërkombëtare të qytetarëve ët Kosovës. Por ky vendim do të sanksionojë më tej një proces të parikthyeshëm, një proces, të cilin gadishulli e ka pritur prej një shekulli dhe pa të cilin nuk do të mund të kishte paqe dhe stabilitet. Sigurisht që ne kemi diskutuar dhe do të bashkërendojmë projektet tona që të zgjerojmë mirëkuptimin e partnerëve ndërkombëtare për vendimet më të drejtë e më të shpejtë nga ana e tyre, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sikundër, dua të theksoj se trendi është thellësisht pozitiv. Vullneti i vendeve sovrane dhe të lira është gjithnjë e në rritje dhe numri i shteteve që do të njohin Kosovën gjatë muajve që vijnë, do të njohë rritje të mëtejshme të madhe. Përsa i përket dialogut, quaje teknik, politik a si të duash, dialogu është i dobishëm i pashmangshëm. Ajo që nuk mund të jetë kurrë në axhendën e këtij dialogu është çështja e integritetit territorial të Kosovës. Këtu, të dy qeveritë tona kanë bindjen më të thellë se kufijtë aktualë të Ballkanit Perëndimor, por edhe të Ballkanit në tërësi, janë interesi jetik i të gjithë kombeve dhe shteteve të këtij rajoni dhe se çdo synim për modifikim të tyre do të hapte një cikël të ri sherresh dhe konfliktesh, nga të cilat gadishulli do të donte dekada për të dalë. Ndaj dhe ne konsiderojmë se respektimi me rigorozitet i këtyre kufijve përbën bazën e shkëlqyer për dialog, për bashkëpunim, për kooperim të gjithanshëm.


27/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›