E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan

- Ministri Al Nahyan u shpreh se Emiratet e Bashkuara Arabe do të jenë financues në rrugën Tiranë-Elbasan si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike si dhe bashkëpunimin në transportin ajror.

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të ngrohtë e miqësor, Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan dhe delegacionin që e shoqëronte.

Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Ministrit Al Nahyan dhe i shprehu mirënjohjen e thellë të tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e përhershme dhe të gjithanshme të Emirateve të Bashkuara Arabe në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

Vizita juaj, u shpreh Kryeministri Berisha, është një kontribut i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat janë në një nivel të shkëlqyer.

Marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe mbështetja e fuqishme e të dy vendeve për thellimin e marrëdhënieve ekonomike janë mënyra më e mirë për konsolidimin dhe çuarjen e bashkëpunimit në një nivel edhe më të lartë, u shpreh Kryeministri Berisha.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen, duke u shprehur se në një vit nga vizita e tij e fundit, Shqipëria kishte pësuar ndryshime edhe më të thella, falë reformave të jashtëzakonshme dhe vizionit të Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet e ngrohta dhe miqësore të autoriteteve më të larta të Emirateve të Bashkuara Arabe, si dhe ftesën e tyre për një vizitë të Kryeministrit Berisha në Emiratet e Bashkuara Arabe, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Gjithashtu Ministri Zayed Al Nahyan, i cili do të marrë pjesë në inaugurimin e Aeroportit të Kukësit, u shpreh se ndihej i nderuar që ky aeroport do të mbante emrin “Sheikh Zyed” dhe i shprehu kryeministrit Berisha mirënjohjen e thellë që qeveria shqiptare vendosi t’i jepte këtij aeroporti këtë emër të nderuar.

Takimi u përqendrua në marrëdhëniet ekonomike dhe tregëtare mes dy vendeve, të cilat kanë potenciale të mëdha të thellimit të tyre. Kryeministri Berisha bëri një panoramë të potencialeve të mëdha të Shqipërisë të cilat ngjallin interes për investitorët e huaj si në fushën e energjisë, turizmit, porteve dhe infrastrukturës. Lidhur me këtë Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se trendi i rritjes ekonomike të Shqipërisë në vitet e fundit, veçanërisht në këtë kohë të krizës botërore, falë reformave të thella ekonomike dhe klimës së favorshme për biznesin, ka bërë që të ketë mjaft interes nga ana e investitorëve të Emirateve të Bashkuara Arabe për të investuar në Shqipëri.

Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Ministri Al Nahyan, do të financojnë rrugën Tiranë-Elbasan, një ndër projektet më prioritarë infrastrukturorë të qeverisë shqiptare si dhe po shikojnë me mjaft interes dhe përparësi edhe projekte të tjera të mëdha si Boshti i Jugut, portet, resortet turistike dhe projektet për bashkëpunimin në transportin ajror.

Ministri i Jashtëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Abdullah bin Zayed Al Nahyan theksoi se hapja në Abu Dhabi e Ambasadës shqiptare dhe hapja në një kohë të afërt e ambasadës së Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri, do të jenë një ndihmë e madhe për forcimin e bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve.

Në takim u diskutua dhe për Kosovën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe për mbështetjen e madhe në rindërtimin dhe zhvillimin e saj, duke theksuar se Kosova po dëshmon se është faktor i rëndësishëm paqe dhe stabiliteti në rajon.

Kryeministri Berisha përcolli përmes Ministrit Al Nahyan, ftesën për autoritetet më të larta të Emirateve të Bashkuara Arabe, për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u prit me shumë vlerësim dhe kënaqësi.


25/06/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›