E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet në parim marrëveshja trepalëshe Shqipëri-Itali-Greqi, për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik

Këshilli i Ministrave miratoi sot, në parim, marrëveshjen tripalëshe, ndërmjet qeverisë së Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për bashkëpunimin për projektin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

Duke prezantuar rendin e ditës, Kryeministri Berisha e veçoi këtë marrëveshje si një vendim “të një karakteri historik” për Shqipërinë dhe rajonin, në bazë të së qëndron realizimi i “investimit më madhor rajonal i të gjitha kohërave”.

Kryeministri Berisha theksoi se gazsjellësi Trans Adriatik ndryshon në mënyrë thelbësore bashkëpunimin midis vendeve rajonit e më gjerë, sikundër edhe jetesën e qytetarëve shqiptarë, pasi gazi garanton ngrohjen dhe gatimin me koston më të ulët, se të çdo lënde tjetër.

Shqipëria, tha Kryeministri, falë avantazheve të saj ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së gazit si drejt gadishullit Apenin, por edhe drejt veriut të Ballkanit.

Kryeministri u shpreh optimist se gazsjellësi Trans Adriatik do të jetë projekti fitues për transportin e gazit nga fusha e Shah Deniz 2 në detin Kaspik, pasi  ai është projekti më fizibël dhe më ekonomik ndër të gjitha projektet e tjera.

Investimi për këtë projekt në Shqipëri shkon në 2 miliardë dollarë. Ky projekt i hap rrugë edhe ndërtimit të rrjetit të gazifikimit në vend.

Lidhur me këtë vendim, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Rendi i ditës së mbledhjes është shumë i ngjeshur, por ai ka disa ligje dhe vendime të një karakteri historik për Shqipërinë dhe rajonin. Sot, ne vendosim të miratojmë në parim, marrëveshjen trilaterale mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, për projektin më të madh të këtyre 20 viteve të fundit, për të mos thënë të këtyre 100 viteve të fundit apo të të gjithë kohërave në rajon, që është gazsjellësi Trasn Adriatik.

Gazsjellësi Trasn Adriatik do të sjellë gazin e fushës Shah Deniz 2 të detit Kaspik, nëpërmjet territorit të Turqisë-Greqisë-Shqipërisë në Itali dhe në Europën Perëndimore. Ky projekt përbën investimin më madhor rajonal të të gjitha kohërave. Më duhet të pohoj se vetëm investimi në nxjerrje gazi në fushën e gazit Shah Deniz të detit Kaspik, konsurciumi, i përbërë nga gjigandët e naftës dhe gazit që kanë marrë me koncesion këtë fushë gazi, është 25 miliardë dollarë. Miliarda të tjera investohen në ndërtimin e gazsjellësit, në degëzimet e tij, në përdorimet për energji.

Faktikisht, ky gazsjellës ndryshon në mënyrën më thelbësore bashkëpunimin, por, mbi të gjitha, jetesën e qytetarëve shqiptarë. Dy ditë më parë, prita një zyrtar të lartë të Ministrisë së Jashtme të Zvicrës dhe të dy ishim të mendimit se gazsjellësi përbën një zhvillim historik në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Zvicrës, pasi dihet që kompania energjetike zvicerane EGL është një nga partnerët kryesorë në gazsjellës. Por kjo është e vlefshme jo vetëm me Zvicrën, por edhe me vendet e rajonit, me Greqinë, Italinë, po ashtu me Azerbajxhanin, Turqinë dhe vendet e tjera.

Shqipëria ka disa avantazhe të mëdha, sepse ajo nuk është vetëm një pikë e thjeshtë tranziti, por disponon depo natyrore të mëdha për depozitimin e gazit. Shqipëria ka të gjitha mundësitë për t’u bërë një qendër e fuqishme e shpërndarjes së tij si drejt gadishullit Apenin, por edhe drejt veriut të Ballkanit. Shqipëria ka të gjitha mundësitë ta përdorë atë, të ndërtojë një rrjet gazifikimi në të gjitha qytetet dhe zonat e saj, për të garantuar ngrohjen dhe gatimin me koston më të ulët, se të çdo lënde tjetër, për qytetarët. Por Shqipëria ka gjithashtu, të gjitha mundësitë të ndërtojë termocentrale gazi që kanë nivelet më të ulëta të ndotjes dhe të bëhet kështu, krahas një superfuqie të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon, edhe një eksportues i madh i energjisë elektrike. 

Kjo marrëveshje që miratohet në parim është fryt i nj pune intensive disavjeçare. Të tria vendet, në interesin e tyre më të mirë kombëtar, janë të angazhuara të bëjnë gjithçka, sapo pranverën e ardhshme të merret vendimi përfundimtar, pasi duhet ta themi se ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, por shanset janë pothuajse përfundimtare, sepse ky është projekti më fizibël dhe më ekonomik ndër të gjitha projektet e tjera. Ndaj ky është një moment shumë i veçantë.

Në Shqipëri është një investim rreth 2 miliardë euro dhe qeveria shqiptare është e angazhuar e po punon me një seri grupesh pune, për të zhdukur çdo pengesë burokratike, për të qartësuar çdo problem pronësie, në mënyrë që në territorin tonë, gazsjellësi të ndërtohet në një kohë rekord dhe të inaugurohet mundësisht në prag të mandatit tjetër të viti 2017. Fillimi është pranvera tjetër dhe e përfundojmë gjatë këtij mandati, pasi i kemi të gjitha mjetet e mundësitë. Normal, po bllokove, mur i vendos vetes dhe gjithçka rrjedh, vetë mbetesh tek muri.”


26/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›