Zhvillohet mbledhja e Komitetit Shtetëror për 100 vjetorin e Pavarësisë

Nën drejtimin e kryeministrit Berisha u zhvillua sot pasdite mbledhja e Komitetit Shtetëror për 100 vjetorin e Pavarësisë, i cili analizoi ecurinë e projekteve të përcaktuara për këtë 100 vjetor, shqyrtimin e veprimtarive që do të ndërmerren me këtë rast, si dhe përcaktimin e disa rregullave dhe qëndrimeve, të domosdoshme në kremtimet e 100 vjetorit.
Në nisje të mbledhjes, kryeministri Berisha vlerësoi punën e koordinuar dhe përpjekjet serioze, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha trojet etnike shqiptare, si në diasporë dhe vende të tjera, kudo që ka shqiptarë, për të kremtuar në mënyrë sa më dinjitoze 100 vjetorin e pavarësisë.
Kryeministri vuri në dukje se ecuria e përgatitjeve është shoqëruar nga një debat i vazhdueshëm dhe i larmishëm për të gjitha problematikat në tërësi, ose të disa problematikave në veçanti, debat të cilin kryeministri e vlerësoi se i ka shërbyer nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara apo të vërtetave të mëdha historike të mohuara.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha u shpreh:
Pas një pauze të mbledhjeve, mblidhet sot Komiteti i kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë për të dëgjuar ecurinë e projekteve të përcaktuara për këtë 100 vjetor, për të finalizuar disa qëndrime, në mënyrë të veçantë duhet që brenda një jave ftesat të jenë nisur në të gjitha drejtimet, duhet të shqyrtohen edhe njëherë veprimtaritë që do të ndërmerren, duhet të përcaktohen disa rregulla ose disa qëndrime, të cilat janë të domosdoshme në kremtimet e 100 vjetorit.
Në tërësi është bërë një punë, e cila ka synuar të jetë përfshirëse në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe kjo është aspekti më pozitiv. Ka një përpjekje shumë serioze të shqiptarëve në Kosovë, të shqiptarëve në Maqedoni , të shqiptarëve në Mal të zi , por dhe të shqiptarëve në diaspore dhe vende të tjera për të shënuar këtë kryengjarje, 100 vjetorin e pavarësisë. Ndërkohë ka patur një debat të vazhdueshëm, të larmishëm mbi të të gjithë problematikat, ose të disa problematikave në veçanti, një debat i pashmangshëm për shkak të një trashëgimie, jo të favorshme në qëndrimet ndaj historisë, por në tërësinë e tij gjykoj se debati në tërësinë e tij i ka shërbyer në mënyrë të padiskutueshme nxjerrjes në pah të disa të vërtetave të ndaluara, të disa të vërtetave të mëdha historike të mohuara, të disa të vërtetave të deformuara. Debati është një proces në vazhdim, dinamik që nuk ndalet kurrë. I konsideruar në lashtësi si mjeti kryesor për të qëmtuar të vërtetën, prapë ai ruan vlera të mëdha.
Mendoj se kemi hyrë në një fazë ku duhen disa grupe të reja të bashkëngjiten këtij komiteti, grupe që do të sjellin ekspertizën e tyre në fushat e përcaktuara dhe të ecim të sigurtë drejt një kremtimi dinjitoz së bashku me miqtë tanë, për të cilët duhet t ë përpiqemi të bëjmë edhe më shumë sepse në tërësinë e vet, çdo popull shkruan historinë e tij. Kështu e kanë shkruajtur dhe shqiptarët me faqe të ndritura dhe faqet në hije, në universin e historisë kjo, por natyrisht pa mëdyshje miq të shquar , njerëz që e deshëm me pasion dhe me shpirt këtë komb, kanë dhe ata meritat e tyre të mëdha, njerëz të cilët kanë sakrifikuar jetën në mbrojtje të çështjes së drejtë dhe mendoj se është e domosdoshme një vështrim më konkret i rolit të tyre.
Edhe njëherë ftoj të gjitha qeveritë vendore, ka një seri kërkesash dhe unë i mirëkuptoj, por mendoj se është në tagrin dhe nderin e qeverive vendore që përfaqësuesit e tyre në Vlorë ti nderojnë figurat, ti nderojnë me buste, me statuja, si ta gjykojnë dhe do të kenë vetëm përgëzimin e qeverisë, dhe në rast nevoje ndonjë mbështetje modeste, por është në detyrimin e tyre që përfaqësuesit e tyre ne Vlorë, atyre që firmosën dokumentin e pavarësisë apo dhe ne raste të tjera, ti nderojnë. Ne mbështesim plotësisht, sikundër do të ishte e gabuar që figura, të cilat janë nderuar në mënyrë konstante, të bëjnë sikur nuk janë nderuar.
Pra le të vazhdojmë ne duke intensifikuar aktivitet dhe të ecim drejt një festimi dinjitoz të këtij përvjetori që më shumë se çdo gjë tjetër duhet të na shërbejë për të parë drejt së ardhmes. Historia në çdo rast dhe veçanërisht një bilanc si ky nuk mund të kenë qëllim tjetër vetëm vështrimin , vizionin, projektimin drejt së ardhmes, ndaj dhe përpiqemi ta shndërrojmë siç kemi bërë deri më sot, këtë vit jubilar në një vit reflektimi të thellë për të ardhmen tonë.
25/09/2012