Kryeministri Berisha niset në Gjermani për një vizitë dy ditore, me ftesë të Kancelares Anxhela Merkel
Kryeministri Berisha u nis sot, me ftesë të Kancelares gjermane Anxhela Merkel, për një vizitë dy ditore në Republikën Federale Gjermane, i shoqëruar nga një delegacion, pjesë e të cilit janë Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, Ministri i Financave Ridvan Bode dhe anëtarë të kabinetit të kryeministrit.
Kryeministri Berisha do të pritet me një ceremoni nga Kancelarja Merkel. Gjatë bisedimeve me Kancelaren Merkel, temë kryesore do të jenë marrëdhëniet bilaterale në të gjitha fushat, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE, si dhe çështjet e rajonit.
Gjatë vizitës së tij në Gjermani, Kryeministri Berisha do të ketë takime edhe me Ministrin e Jashtëm Federal Frank Walter Steinmeier dhe me ministra të tjerë të kabinetit.
Kryeministri do të kryejë gjithashtu dhe një sërë takimesh me përfaqësues të biznesit gjerman.
Një takim i veçantë do të jetë ai me fondacionin “Konrad Adenauer”, me përfaqësuesit e të cilit do të diskutohet bashkëpunimi mes këtij fondacioni dhe Shqipërisë.
Kryeministri Berisha do të vizitojë edhe Essen-in e do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e sipërmarrësve të mëdhenj në këtë qytet.
07/10/2008