Kryeministri Berisha përshëndet takimin festiv të qytetarëve të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së PD

Kryeministri Berisha, njëherësh Kryetar i Partisë Demokratike, përshëndeti sot në mbrëmje takimin festiv në Pallatin e Sportit të qytetit të Shkodrës, për kremtimin e 22 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike në këtë qytet. E pranishme ishte edhe Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli.
Mes entuziazmit të qytetarëve të Shkodrës, Kryeministri Berisha tha Partia Demokratike kremton sot 22 vjetorin e themelimit të saj, si forcë e ndryshimeve epokale dhe do të vazhdojë të jetë forcë madhore për Shqipërinë, vend i zhvilluar, Shqipërinë europiane.
Përshëndetja e Kryeministrit Berisha në takimin me qytetarët e Shkodrës.
“Të dashur qytetare e qytetarë të Shkodrës,
zonja e zotërinj
vëllezër e motra,
përshëndetjet më të përzemërta për këtë ditë të shënuar në zemrën e secilit prej jush, të shënuar në memorien tuaj, këtë ditë të bardhë e të bekuar për Shkodrën e mbarë Shqipërinë.
Pak ditë më parë, një qytetar i thjeshtë, bir i këtij qyteti, i cili pas shumë vitesh mërgimi kishte ardhur në Shkodër, më shkruante në Facebook: Po të shkruaj këto fjalë që më dalin nga zemra. Unë kisha kohë që nuk e kisha parë qytetin tim dhe as vendin tim. U ktheva në Shkodër dhe pas një darkë me familjarët e mi dola në qytet. U mahnita me qytetin tim! Kurrë, - shkruante ky djalosh shkodran - nuk mund të them se qyteti im kishte rilindur, se qyteti im nuk vdes kurrë, qyteti im është mijëravjeçar, por ai mu duk një mrekulli e vërteta. U enda rrugëve e shesheve të tij për orë të tëra, duke shijuar bukuritë mahnitëse të tij.
E vërteta është se sot, ne nderojmë sëbashku një ditë të madhe lirie, por në zemrat tuaja, në shpirtin tuaj e të paraardhësve tuaj drita e lirisë kurrë nuk u shua. Sa herë që unë vij tek ju, mendja më shkon vetëm tek qyteti blu, tek Shkodra blu, se blu është gjaku i qytetarëve të saj fisnikë, vajzave e djemve, burrave e grave të saj.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Sot, ne kremtojmë një ditë lirie, por ju kremtoni më krenarë se kurrë dhe se kush do tjetër, sepse ju në kohëra të vështira e të zeza, në kohëra të mira, në varfëri e në pasje, ju gjithmonë i qëndruat besnikë, më shumë se kushdo tjetër, vetes suaj, vlerave të shpirtit tuaj, që nuk i dorëzuat kurrë. Ne jemi ndryshimi - Përpara!
Por, sot, ne kremtojmë 22 vjetorin si forcë politike që lindi nga aspiratat ndjenjat, ëndrrat më të bukura të lirisë së shqiptarëve, kremtojmë themelimin e Partisë Demokratike. Ne vijmë në këtë ditë të bekuar, më të gatshëm, më të vendosur e më të sigurt se kurrë për betejë, për fitore.
Ne vijmë sot, në këtë ditë, si forca e ndryshimeve epokale. Shqipërinë e mjerimit, skamjes, vuajtjes e nëpërkëmbjes, ne e nxorëm në vendin me të ardhura të mesme të larta, në vendin e shpresës, në vendin e besimit. Ne jemi ndryshimi - Përpara!
Ne vijmë sot si forca madhore e ndryshimit të këtij vendi, sepse Shqipërinë, vendin më të izoluar të planetit, e shndërruam në anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Aleancës më të fuqishme të kohërave. Ne jemi ndryshimi, sepse ne jemi burrat e gratë, djemtë e vajzat që shembëm 22 vjet më parë, murin e Berlinit. Nga kjo platformë, nga çdo vatër shqiptare, nga çdo zemër shqiptare, i themi Edvin Kristaq Ramës se mezi presim 23 qershorin për të fshirë nga harta e dheut, murin e bllokimit. Ne jemi ndryshimi – përpara drejt Europës!
Ne jemi ndryshimi, sepse sot, me punë e përpjekje të mëdha, ne e kemi vendosur Shqipërinë në shinat e dijes. Sot shqiptarët ndjekin shkollat e mesme e të larta në përqindjen më të madhe, se çdo komb tjetër në kontinent. Shqipëria e dijes është projekti i të ardhmes sonë.
Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë diktatura na la vendin e tretë më të varfër në planet dhe në këtë hark kohor, ne kemi rritur të ardhurat për frymë sa asnjë komb tjetër në Europë. Përsëri ne nuk jemi aty ku meritojmë, por përpara, përpara drejt mirëqenies sonë.
Vëllezër e motra,
Këto vite ishin vitet e krizës më të thellë europiane e më gjerë, por ju me mundin e djersën, mençurinë e përkushtimin tuaj dhe reformat e qeverisë dhe mbështetjen e saj ia dolët që kësaj sfide t’i përgjigjeni në mënyrën më serioze. Ne jemi ndryshimi, sepse edhe në ditët e kulmit të krizës Shqipëria pati rritje ekonomike katër herë më të madhe se rajoni.
Zoti Rama, ndryshimi midis nesh është i madh, sa ndryshimi midis ditës e natës. Ndryshimi midis këtyre burrave e grave dhe teje është si ndryshimi i ditës me natën, sepse këta të rinj, këta burra e gra, të gjithë sëbashku duan më pak të varfër, ndërsa ti do më pak të pasur. Këta djem e vajza, këto burra e gra, unë bashkë me ta, qeveria bashkë me ta punon çdo ditë për të ndihmuar të varfrit, për të krijuar vende pune, për t’i nxjerrë nga varfëria, ndërsa ti zotëri premton shkatërrimin e shpejtë të vendeve të punës, rritjen e taksave, agjenci speciale, taksa speciale që kurrë nuk do t’i vendosësh.
Ne jemi ndryshimi, zoti Rama, sepse ne, me parimet që besojmë, me vlerat që mbrojmë, me përkushtimin tonë ia kemi dalë këto katër vite të kemi rritje ekonomike katër herë më të madhe se mesatarja e rajonit; ia kemi dalë këto katër vite të jemi i vetmi vend në rajon, në të cilin është ulur dhe jo rritur papunësia. Kurse ti i nderuar zotëri je i shkretë në ide, i varfër në mendime, je i pasur në trillime, je i pasur në mohime, je i pasur në mashtrime.
Ne jemi ndryshimi, sepse vetëm shtatë vjet më parë Shqipëria kishte gjithsej 2430 kilometra rrugë të asfaltuara, ndërsa në gjashtë vite, ne ndërtuan e asfaltuam mbi 10 mijë kilometra rrugë. Në çdo skaj, në çdo fshat, në çdo qytet, ne do të asfaltojmë rrugët e qytetarëve shqiptarë.
Ne jemi ndryshimi, sepse në një hark kohor të shkurtër, ne, që nuk dinim as fjalën Facebook, jemi një nga kombet me përdorim interneti më të lartë. Sot komunikojmë njëri me tjetrin me Facebook e të gjitha mënyrat. Shqipëria dixhitale ishte premtimi ynë. Shqipëria në zenitin dixhital është premtimi ynë i ardhshëm.
Ne jemi ndryshimi, sepse 22 vjet më parë ne renditeshim ndër vendet me jetëgjatësi të ulët, me vdekshmëri foshnjore, vdekshmëri amtare e vdekshmëri në tërësi ndër më të larta në botë. Ndërsa sot ne lëmë mbrapa jo një, por disa vende të zhvilluara. Përpara - një jetë të gjatë, mirëqenie, shkollim, kujdes shëndetësor për mbarë shqiptarët!
Ne jemi ndryshimi, sepse ne u kemi besuar dhe u besojmë pas Zotit, më shumë se kujtdo tjetër, zemrën e shpirtin qytetarëve shqiptarë. Janë vajzat e djemtë, burrat e gratë e këtij vendi që na kanë udhëhequr fitore pas fitoreje, ndërsa ti ke kaluar nga disfata në disfatë. Ne jemi ndryshimi, ne jemi fitorja.
Ne jemi ndryshimi, sepse në ditët e para të ekzistencës sonë ne u ngritëm mbi çdo gjë dhe shpallëm para botës se ylli ynë polar është çështja kombëtare. Sot shqiptarët janë të lirë. Bashkimi kombëtar është ylli ynë kombëtar. Përpara! Përpara! Përpara!
Edhe një herë gëzuar festën. Le të vazhdojmë betejën elektorale, të trokasim në çdo vatër të qytetarëve të mrekullueshëm të këtij qyteti, rrethi e qarku. Ti japim në 23 qershor bukurinë më të madhe, entuziazmin më të fuqishëm, fitores së Shqipërisë së zhvilluar, fitores së Shqipërisë europiane. Ne jemi ndryshimi - Përpara, përpara, përpara!”
14/01/2013