Kryeministri Berisha përshëndet ceremoninë me rastin e përfundimit të maturës shtetërore
Sot, kryeministri Sali Berisha mori pjesë dhe përshëndeti ceremoninë koktej me rastin e përfundimit të maturës shtetërore. Në ceremoni ishin të pranishëm maturantë të shkëlqyer nga e gjithë Shqipëria, prindër, mësues dhe akademikë.
Kryeministri përshëndeti dhe falenderoi të gjithë maturantët, specialistët e arsimit, mësuesit dhe forcat e rendit publik, që u angazhuan për mbarëvajtjen dhe përfundimin me sukses të maturës.
Në fjalën përshëndetëse, kryeministri ndër të tjera theksoi:
"Është kënaqësi e madhe të ndaj me ju dhe përfaqësuesit e shkëlqyer të maturantëve të Shqipërisë gëzimin dhe krenarinë për këtë ngjarje të shënuar në jetën e tyre, për përballimin me sukses të një prove.
Jeta e njeriut është provë dhe karakteri i njeriut është i tillë që matet me prova. Ju jeni krenarë sot para vetes, familjeve tuaja, shoqërisë, sepse kaluat me sukses një provë të re. Dëshiroj t'ju garantoj se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme jo vetëm për ju dhe familjen tuaj, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe kombin.
Dëshiroj t'ju adresohem juve, maturantë të shkëlqyer, se përkushtimi, talenti, përqendrimi juaj është një detyrim madhor për qeverinë dhe shoqërinë. Ju garantoj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për të përmbushur të gjitha detyrimet që ka ndaj jush, më të mirëve dhe talenteve shqiptare.
Në mbledhjen e kaluar të qeverisë pata kënaqësinë që vendosëm krijimin e fondit që më të mirët e më të mirëve të mund të shkollohen në universitetet më të mira të botës me financimin e shtetit. Por ky ishte vetëm një moment simbolik, sepse ju siguroj se do të bëjmë çdo përpjekje që projekti dhe ëndrra që ju keni për vete dhe vendin të realizohet. Ëndërr, e cila realitet përbën projektin më të mirë. Shqipëria e këtij shekulli është Shqipëria e projektit tuaj. Ndaj dhe ne do të bëjmë përpjekje të gjithanshme që ju ta shndërroni këtë projekt në realitet.
Matura shtetërore këtë vit ishte një ngjarje e shënuar. Ne rikthyem një standart evropian në Shqipëri, një standart i zhdukur nga injoranca dhe qendrimi i papërgjegjshëm ndaj arsimit. E ritheksoj, prova është momenti me të cilin duhet të përballet çdo individ në fushën e tij. Matura është prova juaj, e përkushtimit, talentit dhe seriozitetit tuaj. Ky standart jo vetëm u rikthye, por u rikthye më i përsosur, me moralitet dhe seriozitet të madh.
Dëshiroj gjithashtu të përshëndes përzemërisht ministrin dhe stafin e tij.
Dëshiroj të përshëndes me shumë mirënjohje grupin e specialisteve që u izolua në mënyrë të përsëritur në kushte speciale vetëm për t'i dhënë integritetin këtij procesi.
Dëshiroj të përshëndes të gjithë mësuesit që, në këtë rast, i shpall administratorë, të cilët i dhanë vendit një proces dinjitoz.
Dëshiroj të përshëndes forcat e rendit dhe çdo qytetar që ka fëmijë në shkollë, çdo qytetar që e do shkollën dhe që e ka ndjekur me dhimbje të madhe procesin denigrues dhe diskretitues të viteve të kalura dhe që prisnin me padurim të shihnin një proces dinjitoz, të moralshëm dhe serioz. Këtë ju ia dhuruat vendit.
Unë jam i vetëdijshëm se kjo maturë ka nevojë për përsosje. Kjo maturë ishte një ndryshim i rregullave të lojës në mes të lojës. Me ministrin dhe ekspertët e kemi mbajtur parasysh këtë dhe kemi bërë çdo përpjekje për të mbajtur pjesën tonë të përgjegjësive për shkak të ndryshimit të këtyre rregullave në mes të lojës. Por vendosëm një standart, pa të cilin arsimi në Shqipëri nuk kishte të ardhme. Ata që vijnë pas jush, ata që janë në vitin e parë e të dytë, e kanë shumë më të thjeshtë.
Të nderuar mësues, pedagogë, nxënës,
Ne e kemi shpallur arsimin përparësi madhore. Realisht nuk është një përparësi e thjeshtë, sepse degradimi i këtij sistemi ishte jashtëzakonisht i rëndë. Përparësia nuk kërkon vetëm koncepte, edhe pse ato janë të domosdoshme dhe pa të cilat nuk ecet përpara, por kërkon edhe financim. Ne jemi të vendosur të dyfishojmë buxhetin për arsimin dhe ju garantoj se mund të shkojë edhe më shumë se dyfish për arsimin direkt. Pa llogaritur përpjekjet në tërësi për shoqërinë e komunikimit, e cila ju ka juve si nishanin kryesor, por që, njëkohësisht, i adresohet të gjithë shoqërisë, ku ju do të jeni përfituesit kryesorë.
Ne jemi të vendosur të ristrukturojmë të gjitha shkollat. Jemi të vendosur të bëjmë përpjekje të pandërprera që mësuesit, këta misionarë të dijes e shoqërisë, t'i vendosim në piedestalin që meritojnë. Në këtë kontekst, është nisma për dyfishimin e pagave brenda këtij katër vjeçari. Kjo nuk është faturë e lehtë, por do të bëhet. Do t'i kërkoj gjithashtu Ministrisë së Arsimit të studiojë edhe shumë aspekte të tjera të përmirësimit të jetës së mësuesve. Sikundër ju jap fjalën se nuk do të ketë në Shqipëri shkolla pa ngrohje. Cilido kryetar komune apo bashkie, që ka lënë shkollën pa ngrohje për shkak të përvetësimit të fondeve, do të lërë detyrën. E kam përjetuar me një dhimbje të vërtetë dimrin në shkollat shqiptare. Në aspekt me ngrohjen, situata është më keq se në vitet ‘50 të diktaturës më të zezë të Evropës. Prindërit tuaj japin paratë, por i përvetësojnë zyrtarët. Të guxojnë t'i prekin. Zoti Ministër, me një qarkore duhet të merren që tani masat që shkollat të mos jenë pa ngrohje. Kush do të lërë shkollën pa ngrohje, të lërë detyrën.
Ne jemi angazhuar në një reformë të gjithashme. Arsimi i lartë ka nevojë për reforma të thella. U bëj thirrje trupës akademike universitare të lërë mënjanë interesat meskine private dhe të angazhohet në një reformë të thellë të këtij sistemi. U bëj thirrje pedagogëve, në trupën e të cilëve e ndjej veten, të shtrojnë pyetjen: cili është sot raporti pedagog-student në universitetet tona. Absolutisht është vite dhe vite larg raportit që duhet të jetë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më themelore për shkollën se ky raport.
Do të dëshiroja të kishte një debat të gjërë për këtë raport dhe jo kaq shumë për aspektin populist të zgjedhjes. Miqve të mi, që shprehin një shqetësim kaq madhor për zgjedhjen, dëshiroj t'ju them vetëm një gjë: ne kemi respektin më të madh për ju dhe shkollat e larta dhe do t'i reformojmë ato, por nuk më bindni dot se populizmi është i vetmi kriter për të cilin duhet marrë një vend. Nëse është për populizëm ejani në politikë. Për të drejtuar katedrat dhe universitetet, ju e dini shumë mirë se cili është sistemi sot. Ju mbroni një sistem të viteve '60. Pretendoni autonomi dhe ne do t'ua japim autonominë e plotë, por krijoni makinerinë për të qenë autonomë. Për të patur autonominë shkolla e lartë duhet të ketë makinerinë e autonomisë.
Miqtë e mi, angazhohuni në një debat si të ndërtoni makinerinë e autonomisë universitare. Me standartet ekzistuese autonomia është inekzistente. Intelektuali duhet të kenë një gjë parasysh. Për fat të keq, në diktaturë ka sëmundjen e konformizmit, në liri ai duhet të jetë një kritik i përjetshëm dhe i palodhur me pushtetin. Por jo vetëm në kultin e vetvetes. Universitetet duhet të angazhohen në një debat të thellë e të gjithanshëm si t'i bëjnë ato vatra të qytetarisë, të dijes dhe tregut.
Të dashur pedagogë dhe pedagoge, ju bëj thirrje dhe do të nisim një debat të gjithanshëm me ju për të marrë pjesë në këtë reformë jetike për vendin. Shtroni pyetjen: ne kemi universitete në qytetet e mëdha të vendit, sa ndikojnë dhe përcaktojnë ato zhvillimin rajonal, cili është misioni i këtyre universiteteve.
Qeveria do t'ju mbështesë plotësisht dhe tërësisht në autonominë tuaj, sepse ajo e konsideron jetike për një sistem dhe për vendin autonominë e universiteteve, por kush do populizëm të vijë në politikë.
Akademizmi ka kritere. Universitetet tona duhet të shtrojnë çështjen e menaxhimit, si një problem serioz. Duke iu rikthyer edhe një herë raportit në universitetete, në mënyrë të përsëritur në media studentët pyesin se ku shkojnë të ardhurat. Studenti duhet të dijë për çdo qindarkë që paguan dhe ne duhet t'i besojmë mendjen së tij.
Universitetet duhet të dalin nga klasicizmi. Kemi bërë progres, por progres më i madh duhet bërë në të gjithë kurrikulën dhe orientimin e fakulteteve. Vendit i duhen universitete dhe shkolla tërësisht të orientuara drejt tregut. Ne do të krijojmë parqe industriale, por pa trurin ato nuk mund të krijohen dhe trurin duhet ta krijojnë universitetret rajonale.
Sot fola më shumë si padagog, sesa si kryeministër. Këto probleme i shtrova për t'ju siguruar se qeveria është e vendosur të promovojë reformat, pasi vetëm me reforma mund të realizojmë bashkërisht qëllimet tona. Qëllime që kanë si synim integrimin e Shqipërisë në BE dhe integrimin e kombit në kombet evropiane. Ky është pozicioni më dinjitoz, më fatlum dhe më i rëndësishëm në historinë tonë kombëtare deri më sot.
Dëshiroj t'ju përshëndes sërsish me përzemërsi ju, maturantët dhe mësuesit dhe t'ju siguroj se qeveria qendron fuqishëm në përpjekjet e saj për një sistem arsimor të denjë për vendin dhe shoqërinë".