Kryeministri Berisha përshëndet hapjen e Qendrës së Informimit të BE, në Shkodër
Vokacioni i tij [Shkodrës] perëndimor qëndron dhe është mijëravjeçarë, siç faktojnë themelet e Rozafës, librat ndër më të lashtët për Shkodrën, Drishtin e mbarë zonën.
Ne jemi kombi i vetëm, i cili mbështet mbi 95 përqind integrimin europian.
Një komb i vogël si i yni nuk mund të ketë parajsë tokësore më të bukur e më të mirë se Bashkimi Europian, për të ndërtuar të ardhmen e tij.
Çdo shqiptar ka në 8 maj një shans të vërtetë për të lartësuar më tej ndërtesën e Shqipërisë europiane.
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në inaugurimin e Qendrës së re të Informimit të Bashkimit Europian, në Shkodër. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast nga Delegacioni Europian në Shqipëri, Kryeministri Berisha e vlerësoi një ngjarje të rëndësishme ngritjen e kësaj Qendre në Shkodër, qytet që “ka ruajtur e mbrujtur me sakrificat më të mëdha vlerat më të arrira të qytetërimit perëndimor”.
Qendra e Informimit e Bashkimit Europian në Shkodër është një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian që synon të japë informacion për BE-në, institucionet dhe politikat e tij, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së dhe procesin e integrimit të Shqipërisë. Kryeministri ftoi qytetarët e Shkodrës, të rinjtë, studentë dhe nxënës shkolle të shfrytëzojmë këtë qendër që i informon ata me të gjitha zhvillimet e mëdha të Bashkimit Europian, si dhe i bën të vetëdijshëm për të gjitha detyrimet e përgjegjësitë tona në rrugën e integrimit europian.
Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju qytetare e qytetarë të Shkodrës, në këtë ditë shumë të rëndësishme për qytetin tuaj, ditë në ët cilën ne hapim zyrën e Bashkimit Europian në këtë qytet, i cili në tërë qenien dhe ekzistencën e tij ka ruajtur e mbrujtur me sakrificat më të mëdha vlerat më të arrira të qytetërimit perëndimor. Në të gjitha kohërat, ky qytet i qëndroi kombit si një kryeurë e lidhjes së tij me perëndimin e vlerat perëndimore. Vokacioni i tij perëndimor qëndron dhe është mijëravjeçarë, siç faktojnë themelet e Rozafës, librat ndër më të lashtët për Shkodrën, Drishtin e mbarë zonën. Edit Durham në vizitën e saj të parë do të shkruante se në hyrjen e tij unë gjeta tremijë dyqane, më shumë se në një tërësi qytetesh të Ballkanit të marra sëbashku. Indro Montanelli konstatonte se gjente në këtë qytetet farën e botës perëndimore. Por, zoti ambasador, një udhëtare tjetër e famshme, themeluese e libertarizmit amerikan, Rose Wilder Lane, pas përshkimit të qytetit do të zhvendosej në majat e Shalës e të Dukagjinit, ku do të kalonte ditë të tëra, në mote shumë të vështira, me shaljanët, banorët e Thethit e të Pultit, ashtu siç ishin, të sunduar nga kanuni, secili me armën me këllëf shajaku, mikpritës, në librin e saj shkruan se tek këta njerëz gjej fëmijërinë e racës ariane, se këto maja, këto kreshpa ngjasin me majat e kreshpat e perëndimit.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Europa ka qytete të shumta, shumë më të mëdha se qyteti juaj, me arkitekturë edhe më të bukur e madhështore. Qytete, të cilat kanë një nivel jetese dhjetëra herë më të lartë, sesa qyteti juaj. Por askund në Europë nuk ka qytetarë që të kenë sakrifikuar për vlerat njerëzore e hyjnore, sa keni sakrifikuar ju, qytetarët e Shkodrës. Këtu, në këtë qytet u shkrinë mijëra jetë për besimin tek Zoti, tek liria, tek familja, tek Shqipëria dhe Europa. Këtu, në Shkodër u burgosën në mijëvjeçarë jetë njerëzish, vetëm e vetëm për t’i qëndruar lirisë e vlerave të saj. Ju paguat më shumë se kushdo tjetër vokacionin perëndimor të shpirtit tuaj.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Në rrugën tonë, askush nuk e ka pasur më të vështirë. 20 vjet më parë, diktatura kishte shkatërruar Shkodrën dhe Shqipërinë më shumë se çdo luftë secilin vend që kishte njohur luftërat. Në 20 vjet, ne kemi realizuar ndofta më shumë se çdo komb tjetër në rrugën e lirisë. Në këtë rrugë, për këtë kapërcim shekullor, ne kemi njohur solidaritetin, mbështetjen e jashtëzakonshme të kombeve europiane, të vendeve mike, të Italisë e vendeve të tjera, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e botës së lirë. Ndaj gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thelle qeverive anëtare të Bashkimit Europian, Komisionit Europian, qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe taksapaguesve amerikanë, për ndihmën e jashtëzakonshme që u kanë dhënë e u japin shqiptarëve. Dua të theksoj se mënyra më e mirë për të shprehur këtë mirënjohje është ndërtimi në Shqipëri i Shqipërisë europiane, i vlerave europiane.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Sot, ne jemi kombi i vetëm, i cili mbështet mbi 95 përqind integrimin europian. 3-4 përqind janë ata flakëvënësit që nuk kanë të ardhme në Shqipëri. Ne e mbështesim këtë si thirrje që buron nga shpirti e trashëgimia jonë, e mbështesim me mençurinë më të madhe, sepse një komb i vogël si i yni nuk mund të ketë parajsë tokësore më të bukur e më të mirë se Bashkimi Europian, për të ndërtuar të ardhmen e tij. Europa e sotme, është e ndryshme nga Europa e para luftës, është një Europë që ka vendosur në themelet e saj vlerat e paqes, harmonisë, mirëkuptimit e prosperitetit. Ndaj bazuar në këto vlera, ne jemi të vendosur të bëjmë çdo sakrificë t’i ndërtojmë ato. Mënyra më e shkëlqyer për të shprehur mirënjohjen ndaj miqve tanë, por edhe për të ndërtuar të sotmen dhe të ardhmen tonë është nderimi i këtyre vlerave në Shqipëri.
Qytetare e qytetarë të Shkodrës,
Ju qëndroni në krye të përpjekjes shqiptare për ndërtimin e këtyre vlerave. Në 20 vite, ju në shpirt mbetët Europë. Europa blu, blu dhe zemra juaj. Por në një kohë të rëndësishme ju faktuat se në këtë qytet blu prej 20 vitesh, ju keni realizuar në zgjedhjet e fundit numërimin më të saktë në botë të votave të qytetarëve tuaj. Gjen rastin të përulem me nderimin më të madh para secilit prej jush, komisionerë të të gjitha forcave politike, që firmosët një proces zgjedhor ku gabimi njerëzor për shkak të teknologjisë ishte më i vogël se në çdo vend tjetër të këtij kontinenti.
Ndërtimi i vlerave është detyra jonë, është pasioni ynë. Përpara ne kemi një provë të madhe, sërish të lirisë, 8 majin. Ne përballimi me një situatë si asnjë komb tjetër. Pas 20 vitesh, krerë të opozitës rrethuan Këshillin e Ministrave, për të përmbysur një qeveri legjitime. Përgjigja jonë, aq sa ishte dhe aq sa ç’u tregua i fortë ligji dhe institucionet, do të jetë e mbetet institucionale. Ne qëndrojmë për funksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve. Ne qëndrojmë të vendosur për hetimin e plotë e tërësor të 21 janarit. Kjo është kërkesa e çdo shqiptari. Kjo është kërkesa e miqve tanë në Europë. Kjo është kërkesa e miqve tanë në Shtetet e Bashkuara e kudo në botë. Unë ju garantoj se hetimi i plotë i kësaj çështjeje do të bëhet, se gjithçka do të dalë në dritën e diellit e do të nxirren të gjitha përgjegjësitë. Por, nga ana tjetër, secili nga ju, çdo shqiptar ka në 8 maj një shans të vërtetë për të lartësuar më tej ndërtesën e Shqipërisë europiane. Në 8 maj le të marrin të gjithë pjesë në votime, të votojmë si qytetarë të lirë dhe të dëshmojmë se nuk ka flakë e nuk ka puç, nuk ka aventurë e aventurierë që mund të frenojnë vullnetin tonë të lirë, votën tonë të lirë, vlerat tona. Asnjëherë, rrugën nuk e kemi bulevard me lule, por ne jemi burrat e gratë që kapërcejmë vështirësitë, ne jemi burra e gra, djem e vajza të vendosur të ndërtojmë idealet tona demokratike e europiane në Shkodër e mbarë Shqipërinë.
Ndaj le të shfrytëzojmë këtë qendër të mrekullueshme, e cila informon qytetarët, të rinjtë e të rejat, studentët, shkollarët me të gjitha zhvillimet e mëdha të Bashkimit Europian, i bën ata të vetëdijshëm për të gjitha detyrimet e përgjegjësitë tona në rrugën e ndërtimit të Shqipërisë europiane. Të vazhdojmë të vendosur të konsolidojmë shtetin ligjor, liritë e vlerat e saj dhe ju garantoj se ne që shembëm murin e Berlinit, shtatoret, bronzet e blloqet kudo që ishin, nuk ka mur që nuk do të shembim për të arritur në destinacionin tonë, integrimin e plotë në Bashkimin europian. Edhe një herë gëzuar!”
22/02/2011