Kryeministri Berisha takon diplomatin e shquar amerikan zotin Frank Wisner
Kryeministri Berisha priti në takim diplomatin e shquar amerikan zotin Frank Wisner.
Kryeministri i shprehu mirëseardhjen zotit Wisner dhe e falenderoi për kontributin e tij në procesin e pavarsisë së Kosovës. Kryeministri vlerësoi lart gjithashtu edhe rolin dhe kontributin e Presidentit Ahtisari duke theksuar se roli i tij do të zë një vend të vecantë në historinë e shqiptarëve.
Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan si një moment me rëndësi të jashtëzakonëshme heqjen e mbikqyrjes mbi pavarisnë e Kosovës të marrë pak ditë më parë. Në takim u vlerësua fakti se tashmë Kosova është një shtet i konsoliduar me institucione të cilat forcohen përditë. Kryeministri u shpreh se procesi i integrimit evropian të Kosovës do të jetë një shtysë e jashtëzakonëshme për forcimin e saj si një shtet multi etnik që garanton të drejtat e qytetarëve të saj.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën për zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të negociatave në Bruksel si një kusht për të vazhduar më tej në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri e njohu zotin Wisner edhe me zhvillimet në Shqipëri duke u ndalur në një numër reformash ligjore, ekonomike, në shëndetësi, arsim etj si pjesë projektit të qeverisë shqiptare për një Shqipëri të zhvilluar dhe integrim në BE.
Kryeministri Berisha i shprehu zotit Wisner vlerësimin për punën e bërë nga kompania Patton Boggs në procesin e pregatitjes së tenderit për privatizimin e Albpetrol-it dhe u shpreh se procesi i vlerësimit të ofertave do të jetë plotësisht transparent dhe i bazuar në kriteret e përcaktuara.
14/09/2012