Kryeministri Berisha viziton familjen e Kryekomisar Adem Tahirajt dhe zhvillon homazhe në nderim të tij
- Duke siguruar mbështetjen e plotë të qeverisë për një hetim të plotë dhe drejtësi për këtë ngjarje të rëndë, Kryeministri tha se Policia e Shtetit është sot më e vendosur se kurrë t’u japë përgjigjen e merituar, të gjithë atyre të cilët, për qëllime kriminale kërkojnë t’i imponohen rendit dhe ligjit
Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë familjen e Shefit të Komisariatit të Policisë Shijak, Kryekomisar Adem Tahiraj dhe më pas, kreu homazhe, në nderim të tij, në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. Kryekomisar Adem Tahiraj humbi jetën në krye të detyrës, pasditen e djeshme, gjatë një operacioni kontrolli për armëmbajtje pa leje, ku ai u godit me armë zjarri automatik.
Gjatë vizitës në familjen e Kryekomisar Adem Tahirajt, Kryeministri Berisha u shprehu familjarëve të tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të tyre më të dashur. Këtë dhimbje, u shpreh Kryeministri, ju e ndani me të gjithë shqiptarët, pasi ajo është një humbje shumë e rëndë për familjen dhe për të gjithë, është dhimbje e madhe për efektivët e policisë, për shtetin, për gjithë vendin. Duke vlerësuar figurën e Kryekomisar Adem Tahirajt dhe kontributin e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë, Kryeministri theksoi se humbja e tij nuk kompensohet me asgjë. “Ai ra në krye të detyrës, nga një akt i shëmtuar kriminal, por kujtimi i tij mbetet i paharruar në memorien e të gjithë atyre që e kanë njohur, por edhe në memorien e të gjithë shqiptarëve, për sakrificën e tij sublime në përpjekje për të ruajtur rendin dhe sigurinë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi familjarët se do të bëhet gjithçka që drejtësia dhe ligji të thonë fjalën e tyre dhe do të hetohet çdo detaj dhe çdo aspekt i këtij krimi makabër.
Pas vizitës në familje, Kryeministri Berisha bëri homazhe dhe vendosi një kurorë me lule, pranë trupit të pajetë të Kryekomisar Adem Tahiraj, i vendosur në mjediset e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë.
Duke folur për mediat, pas homazheve, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Jam këtu për të shprehur nderimin tim më të thellë, më të madh dhe të qeverisë shqiptare, për Dëshmorin më të fundit të Atdheut, Kryekomisarin Adem Tahiri, që ra në krye të detyrës, në përpjekje pë të garantuar rendin, qetësinë, në bashkinë e Shijakut. Adem Tahiri ka qenë një oficer, Kryekomisar shembullor, trim, i vendosur dhe, me sakrificën e tij sublime, u faktoi kolegëve të tij dhe mbarë shqiptarëve se cili ishte kuptimi i lartë i detyrës për të. Kjo është një humbje e madhe për familjen në radhë të parë, ndaj dhe unë me këtë rast i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta.
Ngushëlloj forcat e rendit, efektivat e policisë, për humbjen e njërit prej anëtarëve më të talentuar të tyre, por dua t’i siguroj ata për mbështetjen më të plotë, më të vendosur të qeverisë dhe besimin e saj të palëkundur se, me forcën e ligjit, do të ndëshkojë krimin dhe kriminelët, aty ku ata ndodhen, në mënyrën më të vendosur. Dje, një vrasës i përsëritur goditi Kryekomisarin. Natyrisht, drejtësia do të thotë, me rreptësinë më të madhe, fjalën e saj, sikundër do të hetohet çdo element i këtij akti të shëmtuar.
Dua të garantoj edhe njëherë shqiptarët se, Policia e Shtetit është sot më e vendosur se kurrë t’u japë përgjigjen e merituar, të gjithë atyre të cilët, për qëllime kriminale kërkojnë t’i imponohen rendit dhe ligjit”.
14/09/2012