E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “100 vjetori”, në Kamzë

Kryeministri Berisha ishte sot, i pranishëm, në ceremoninë e inaugurimit të shkollës “100 vjetori”, në Kamzë.

Shkolla është ndërtim i ri, i financuar nga programet e Bankës Botërore dhe qeveria shqiptare me vlerë 180 milion lekë dhe sipas standardit europian të shkollave.

Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha tha se arsimi do të jetë përparësi e të gjitha përparësive edhe në vitet që vijnë. Në rast se gjatë këtyre viteve, - tha Kryeministri - ndërtuam e rindërtuan mbi 1300 shkolla në mbarë vendin, ose mbi 71 përqind të të gjitha shkollave, ne do të vazhdojmë me vendosmëri që 2-3 vitet e ardhshme të përfundojmë ndërtimin e rindërtimin e çdo shkolle.

Kryeministri Berisha u ndal edhe në zhvillimin e Kamzës, duke përmendur se gjatë viteve të fundit janë investuar në infrastrukturë rrugore dhe institucione të tjera 45 milionë euro, janë ndërtuar 70 kilometra rrugë dhe në sajë të krijimi të një klime të favorshme për biznesit, nga 600 biznese të regjistruara në vitin 2006, sot janë mbi 1800 biznese.

Fjala e Kryeministrit Berisha në ceremoninë e inaugurimit.

“Është një gëzim i madh, nder e kënaqësi të përurojmë sot, sëbashku, shkollën “100 vjetori” i pavarësisë së Shqipërisë, një investim prej 180 milionë lekë, në programet e Bankës Botërore dhe qeverisë shqiptare. Një ndërtim me sipërfaqe 5 mijë metër katrorë, me 30 klasa e kabinete dhe 20 salla e mjedise të tjera, e bën shkollën tuaj më të madhen, më të renë e më të bukurën në Shqipëri.

Të dashur nxënëse e nxënës, mësuese e mësues,

Për qeverinë time, për këtë mazhorancë, arsimi ka qenë e mbetet përparësia më kryesore. Vetëm në qytetin e Kamzës kemi ndërtuar e rindërtuar gjatë këtyre viteve, 23 shkolla e kopshte. Sot, nga 20 mijë nxënës të qytetit tuaj, 13 mijë prej tyre ulen në banka të shkollave të reja, të ndërtuara në këto vite të fundit. Ne kemi mbajtur e mbajmë premtimin tonë. Vetëm 6 vite më parë, në shkollat e këtij qyteti mësohej me 3 turne dhe të tjerë nxënës nuk gjenin vend për t’u regjistruar. Ndërsa sot, nxënësit e këtij qyteti, i cili renditet i 6-i në Shqipëri për nga popullata e zhvillimi, mësojnë në klasa 30-35 nxënës, në klasa të standardeve më të mira europiane. Ju garantoj se në vitet që vijnë sërish arsimi do të jetë përparësi e të gjitha përparësive. Në rast se gjatë këtyre viteve, ndërtuam e rindërtuan mbi 1300 shkolla në mbarë vendin, ose mbi 71 përqind të të gjitha shkollave, ne do të vazhdojmë me vendosmëri që 2-3 vitet e ardhshme të përfundojmë ndërtimin e rindërtimin e çdo shkolle, në mënyrë që nxënësit shqiptarë, kudo që janë, të kenë në shkollat e tyre standardet e shkollave europiane. Ne do të bëjmë gjithçka që këto shkolla të kenë laboratorët më të mirë, të kenë internet në çdo klasë, të kenë bibliotekat më të mira, të kenë biblioteka dixhitale.

Të dashur mësuese e mësues,

Në një hark kohor të shkurtër ju jeni dëshmitarë se ne mbajtëm premtimet tona, si në asnjë sektor tjetër dhe në asnjë vend tjetër. Nga viti 2006 e deri më sot, rrogat e arsimtarëve janë rritur me 2.2 herë, nga 227 mijë lekë që ishin në vitin 2006 për mësuesit e shkollave 9-vjeçare, sot janë 505 mijë lekë; nga 270 mijë lekë për mësuesit e shkollave të mesme, sot janë 590 mijë lekë. Në qoftë se në vitin 2006, Kryeministri i vendit merrte një rrogë të barabartë me rrogën e 9 arsimtarëve, sot, ai merr një rrogë të barabartë me 4.5 rroga të arsimtarëve. Ky është një nga raportet më të ngushta, por ju garantoj se ne sërish do t’i rrisim rrogat tuaja dhe nuk do të rrisim rrogat më të larta. Ne qëndrojmë në premtimet tona. Ne do të bëjmë gjithçka, që mandati që vjen të jetë mandati i Shqipërisë së dijes, shkencës, studimit dhe progresit më të madh në historinë e saj.

Gjatë këtyre viteve, ne kemi investuar në qytetin e Kamzës, që të ndryshojmë jetën tuaj e të familjeve tuaja, në rrugët, institucione të tjera janë investuar 45 milionë euro. Janë ndërtuar 70 kilometra rrugë, 6 herë më shumë, sesa ndërtoi kryetari i bashkisë që iku, në kryeqytetin e vendit, u ndërtua stadium, pallati i kulturës, janë modernizuar të gjitha shërbimet për qytetarët. Kamza është shembulli i shkëlqyer i klimës për biznesin. Nga 600 biznese të regjistruara në vitin 2006, sot, në Kamzë janë mbi 1800 biznese, për çka unë dua t’ju përgëzoj ju, zoti kryetar dhe të gjithë biznesmenët e kësaj zone, për gjallërimin e madh të biznesit dhe klimën e shkëlqyer të biznesit që keni krijuar.

Të dashur nxënëse e nxënës,

Shkolla juaj mban një emër shumë të veçantë, emrin e një përvjetori që i bën nder shqiptarëve të tërë shekullit dhe shqiptarëve të të gjitha kohërave, mban emrin “100 vjetori” i pavarësisë së Shqipërisë.

Shqipëria ia doli të bëhet shtet 100 vjeçar i pavarur, sepse baballarët, gjyshërit tuaj, qytetarët shqiptarë derdhën në këtë vend dashurinë e  pakufishme, sakrifica sublime, mendjen e tyre të ndritur. Shqipërinë e bënë ata, të cilët thellë në ndërgjegje e kishin dhe e kanë të qartë se interesi kombëtar është interes mbi të gjitha interesat. 

Dhe, në shkollën “Bajram Curri 1” në Durrës, nxënësit në orën e gjuhës kishin përgatitur një demonstrim me slide për 100 vjetorin e pavarësisë. Ishte një demonstrim i shkëlqyer që fillonte me Shqipërinë etnike, vazhdonte me Shqipërinë etnike dhe përfundonte me Shqipërinë etnike. Natyrisht, këta nxënës nuk e kishin bërë këtë si një akt vendosmërie apo dëshire për ndryshim të kufijve, por si një akt dashurie për shqiptarët kudo që janë, për shqiptarë kudo që banojnë, për trojet shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë është rezultat i përpjekjeve titanike, i luftërave e kryengritjeve të bëra nga shqiptarët, në të katër anët e trojeve shqiptare, nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Ndaj le të nderojmë të gjithë ata që kontribuuan për pavarësinë e këtij vendi, të punojmë me vendosmërinë më të madhe që ëndrrën e bukur të bashkimit të kombit shqiptar ta realizojmë në bashkimin me Europën, ta realizojmë në kuadrin e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Edhe një herë gëzuar shkollën e shumë suksese.” 


14/09/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›