E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij përvjetori

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së armëve të Skënderbeut, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar. Me rastin e çeljes së kësaj ekspozite, por edhe të konferencës që zhvillohet në Tiranë në kuadër të 20 vjetorit të bashkëpunimit me Austrinë, ishte i pranishëm në këtë ceremoni edhe Zëvendës Kancelari i Austrisë, njëkohësisht ministër i Jashtëm, z. Michael Spindelegger.

Gjithashtu, në këtë ceremoni merrnin pjesë Kryetarja e Kuvendit, znj Jozefina Topalli, Kryetari i Grupit të Miqësisë në Parlamentin austriak z. Wolfgang Grossruk, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, Ministrja e Kulturës së Austrisë znj. Claudia Schmid dhe personalitete të tjerë të shquar nga të dy vendet.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e vlerësoi rikthimin e armëve të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të kombit shqiptar, pas shekujsh në dheun e vet, si një moment shumë të rëndësishëm dhe emocionues për shqiptarët. Skënderbeu, theksoi Kryeministri, është frymëzimi i guximit e krenarisë dhe shtylla kryesore e identitetit kombëtar të shqiptarëve, ndërsa nënvizoi se ai është njëkohësisht edhe vizionari i madh i vokacionit të tyre perëndimor.

Kryeministri shprehu falënderimet për qeverinë dhe kombin austriak për këtë dhuratë të çmuar që u bëjnë shqiptarëve në këtë 100 vjetor të pavarësisë. "Ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij përvjetori, ndaj është një rast për mua të shpreh mirënjohjen e thellë kombit austriak, qeverisë austriake", u shpreh Kryeministri. Ai vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe lidhjet e veçanta që ekzistojnë mes dy vendeve dhe kombeve tona, përgjatë zhvillimeve të hershme historike dhe deri në ditët e sotme. Austria, theksoi Kryeministri, e ka mbështetur Shqipërinë dhe ka kontribuar jo vetëm në momente të rëndësishme historike të saj, por edhe në fushën studimore, të gjuhësisë, etj., ndërsa nënvizoi se këto 20 vitet e fundit këto marrëdhënie kanë njohur zhvillime të fuqishme, të gjithanshme.

Në përshëndetjen e tij në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha u shpreh:

“I dashur miku im i çmuar dhe miku i kombit shqiptar, Zëvendës kancelar i Austrisë dhe ministër i Jashtëm i saj, z. Michael Spindelegger

E dashur zonja Claudia Schmid, ministre e Kulturës së Austrisë

I dashur z. Grossruk, miku im i çmuar dhe miku i çmuar i të gjithë shqiptarëve,

Të nderuar zotërinj, drejtues të kulturës e muzeumeve në Austri,

Zoti ambasador i Austrisë në Tiranë,

Zonja Kryetare e Parlamentit,

Zoti Kryetar i Bashkisë së Tiranës,

Zoti ministër i Kulturës,

Zoti ambasador i Shqipërisë në Austri

Zonja e zotërinj!

Sot, në këtë moment, sytë, mendjet zemrat e mbarë shqiptarëve në trojet e tyre etnike, e shqiptarëve në mbarë botën, janë të drejtuar në këtë muze dhe përjetojnë me emocionin më të madh rikthimin, pas shekujsh, në dheun e vet, të armëve të Skënderbeut, prijësit të përjetshëm të kombit shqiptar. Ndaj dhe mirënjohja ime, falënderimi im, por edhe i mbarë shqiptarëve, nuk mund të paraqitet sot me fjalë.

Të dashur miq,

Për shqiptarët si komb, të cilët identitetin e tyre, në dallim nga kombet e tjera, e kanë të bazuar para së gjithash në gjuhën dhe historinë e tyre, Skënderbeu është frymëzimi, është shtyllë kryesore e identitetit të tyre kombëtar. Shqiptarët ndajnë besime të ndryshme, respektojnë dhe besojnë Krishtin, Muhamedin, por ata bashkohen që të gjithë te Zoti dhe Skënderbeu. Në besimin e tyre ata janë 1, respektojnë besimin e njëri – tjetrit, janë të bashkuar te i gjithëfuqishmi Zot dhe te prijësi i përjetshëm i tyre, Skënderbeu. Armët që ju sot sollët këtu, janë guximi, burrëria, kurajua e dhjetëra e mijëra shqiptarëve, që në shekuj ranë për liri e dinjitet, ranë për t’u bërë të pavdekshëm në beteja nga më të pa barabartat, por që frymëzimi i prijësit të tyre u jepte guxim, vetëmohim, i ngrinte ata në këmbë pas çdo disfate dhe që, i solli sot të lirë, në këtë 100 vjetor të pavarësisë së tyre. Skënderbeu nuk është vetëm frymëzimi kryesor i guximit e trimërisë së tyre, por Skënderbeu është edhe vizionari i madh i vokacionit të tyre perëndimor. Në të gjitha betejat e tij, Skënderbeu mbrojti vokacionin perëndimor të kombit shqiptar.

 I dashur Michael,

Jo për rastësi, por dy vendet dhe kombet tona kanë disa lidhje shumë të veçanta. Historia dëshmon se studiuesit, shkencëtarët, dijetarët austriakë, ishin ata të cilët bënë studimet më shkencore, më të shkëlqyera për historinë dhe gjuhën e shqiptarëve, në një kohë kur shqiptarët nuk ishin në gjendje t’i bënin vet ato. Ju cituat këtu njërin prej konsujve të perandorisë duale, Johann von Hahn, në një traktat të tij për shqiptarët, që për mua është edhe kryevepra që dikush ka shkruar ndonjëherë për kombin tim. Nuk është një traktat historik, por më shumë filozofiko-historik për kombin shqiptar. Për Skënderbeun, në këtë traktat, nuk gjen një faqe të plotë, lerë më një kapitull, por ka një paragraf ku ky burrë i madh i kombit tuaj shkruan: Skënderbeu, shkruan ai, “ishte rasti më i pashembullt në historinë e njerëzimit, ishte burri që ndërtoi shtet dhe rezistoi në një kohë kur të gjitha shtetet përreth, përfshi edhe Bizantin, kishin rënë. Ai zhvilloi shumë beteja, nuk vdiq në beteja, por pati një vdekje nga sëmundja. Por luftërat e tij, krenaria që ngjalli te shqiptarët, kaluan brez pas brez”.

Ndaj dhe ju sot keni mirënjohjen më të thellë të shqiptarëve të të gjitha brezave, të cilët tek armët që ju sollët, shohin Skënderbeun, prijësin e tyre të gjallë, burrin që i mbron ata, edhe kur bien në gjumë, apo në fatkeqësi. Sot ju merrni nderimin e nënave dhe motrave shqiptare, të cilat në shenjë zie për prijësin e tyre, sot e kësaj dite lidhin të ballë shamitë e zeza dhe i kalojnë ato nga brezi në brez, për të shprehur respektin e madh ndaj Skënderbeut.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Ardhja e armëve të Skënderbeut në këtë 100 vjetor të pavarësisë është dekorata më e bukur e këtij 100 vjetori. Është një rast për mua të shpreh mirënjohjen e thellë kombit austriak, qeverisë austriake. Për shqiptarët mbetet gjithmonë e paharruar vepra e ministrit të Jashtëm të perandorisë austro-hungareze  Berthold, i cili do të bëhej promotor kryesor që do të inkurajonte themeluesin e pavarësisë së vendit tonë. do ta mbështeste atë në një takim që zhvilloi me të në Budapest, në kështjellën e kontit Hadik. Ai do t’i garantonte atij se Austro-Hungaria do të mbështeste plotësisht pavarësinë e Shqipërisë. Qeveria e Madhërisë së Tij do t’i krijonte Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit, në atë udhëtim profetik, të gjitha kushtet për të zbarkuar në Durrës dhe për të vazhduar rrugën për të shpallur pavarësinë në Vlorë.

Ne jemi shumë mirënjohës dhe kemi vendosur që këto ditë Kontin Berthold ta nderojmë me inaugurimin e një rruge të re në kryeqytetin e Shqipërisë. Por këto lidhje të mëdha cilësore që kanë ekzistuar në të shkuarën janë vendosur edhe nga të tjerë personalitete. Mund të themi se kontributi në gjuhën shqipe i Gustav Mayer dhe studimi i këtij albanologu të famshëm në mbarë botën, së bashku me Joklin, hodhën themelet e etnogjenezës së vërtetë të kombit shqiptar,.

Këto marrëdhënie kanë njohur zhvillimet më të fuqishme këto 20 vitet e fundit. Dua të theksoj këtu se burrë-shtetasi i parë që përshëndeti fitoren e demokracisë në Shqipëri është ish-zv/kancelari i Austrisë, austriaku dhe evropiani i madh Alois Mock. Nga ajo ditë e deri më sot, marrëdhëniet tona kanë njohur zhvillime të shkëlqyera në të gjitha fushat. Austriakët, me mbështetjen e tyre, me angazhimin e tyre, janë ndër investitorët më të suksesshëm dhe më kryesor në Shqipëri. Austria ka mbështetur dhe mbështet aspiratën evropiane të shqiptarëve për integrim në Bashkimin Evropian. Ndaj dhe unë gjej rastin të falënderoj me shumë mirënjohje qeverinë tuaj, të falënderoj parlamentin e Austrisë për dhjetëra e qindra marrëveshje e vendime që ka miratuar, në mbështetje të kombit shqiptar, në forcimin e bashkëpunimit dhe miqësisë midis dy vendeve tona, midis shqiptarëve he austriakëve.    


22/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›