E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet miratimin nga ministrat e Jashtëm të BE të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar

Ky vendim unanim i ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së është një vendim historik, sepse ky përbën vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së këto 18 vitet e fundit për Shqipërinë.
 
Reformat e thella dhe të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar me tolerancë zero dhe korrupsionit, zgjerimi dhe konsolidimi i lirive dhe të drejtave njerëzore të minoriteteve, zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 qershorit, që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it qëndrojnë në themele të këtij vendimi historik.
 
Një apel thellësisht të sinqertë dhe miqësor ndaj opozitës shqiptare: le të punojmë së bashku në këto momente historike për çdo shqiptar, për kombin dhe vendin në tërësi, të ndërmarrim së bashku reformat më të thella si interesi më jetik dhe më i mirë i qytetarëve të këtij vendi pa dallim nga bindjet e tyre politike.
 
 
“Përshëndetje.
 
Sot, më 16 nëntor 2009, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian, mbledhur në Bruksel, pasi shqyrtoi kërkesën e Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së, paraqitur në Pragë, më datën 28 prill të vitit 2009, e miratoi atë dhe bazuar në nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Europian ia kaloi këtë kërkesë të miratuar Komisionit Europian për përgatitjen e pyetësorit për autoritetet shqiptare, pra nisjen e konsultimeve me autoritetet shqiptare, nisjen e procesit.
 
Ky vendim unanim i ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, është një vendim historik, sepse ky përbën vendimin politik më të rëndësishëm të BE-së në këto 18 vitet e fundit për Shqipërinë. Vendimi i sotëm i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, pas anëtarësimit në NATO, është vendimi më i rëndësishëm që vendet e zhvilluara të Europës, vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë marrë për Shqipërinë.
 
Ky vendim është njëkohësisht vlerësimi më i madh që i bëhet demokracisë shqiptare, përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare, institucioneve të vendit, por edhe të mbarë qytetarëve shqiptarë për suksesin e tyre, për ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut në këtë vend, suksesin e reformave të gjithanshme të qeverisë që unë drejtoj, të cilat e kanë bërë dhe e bëjnë, siç faktohet, demokracinë shqiptare dhe ekonominë e tregut gjithnjë e më funksionale, më serioze dhe më të besueshme.
 
Zonja dhe zotërinj,
 
Reformat e thella dhe të gjithanshme, lufta kundër krimit të organizuar me tolerancë zero dhe korrupsionit, zgjerimi dhe konsolidimi i lirive dhe të drejtave njerëzore të minoriteteve, zgjedhjet e lira e të ndershme të 28 qershorit, që përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it qëndrojnë në themele të këtij vendimi historik, por do të thosha edhe të këtij vendimi jetik për çdo familje, çdo qytetar shqiptar, për shoqërinë shqiptare në tërësi. Në të vërtetë, po këta faktorë bënë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në fillim të prillit të këtij viti dhe tani, në një hark kohor të shkurtër, vetëm pas 8 muajsh, vendimin tjetër historik, për të nisur konsultimin me Komisionin Europian për statusin e vendit kandidat, apo anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
 
Në 28 prill të këtij viti, unë, si Kryeministër i vendit, i paraqita kërkesën e qeverisë sime për statusin e vendit kandidat, Kryeministrit çek Topolanek, gjatë presidencës çeke. Kërkesën e paraqita me konsensus të plotë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, por edhe duke pranuar se asnjë vendim nuk duhej marrë për vendin tim para se ne të faktonim në dritën e diellit përkushtimin tonë të plotë për zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Zgjedhjet e qershorit ishin prova jonë e madhe para shqiptarëve, aleatëve, partnerëve e miqve tanë në mbarë botën, prova për përkushtimin ndaj vlerës së votës së lirë që është themelore në një shoqëri të lirë. Me zgjedhjet e 28 qershorit, shqiptarët mandatuan vazhdimin e reformave, të cilat  vetëm 5 muaj pas zhvillimit të tyre, bënë të mundur vendimin e ditës së sotme.
 
Unë shfrytëzoj këtë moment solemn për të falënderuar me mirënjohjen më të thellë dhe për të garantuar ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian se qeveria ime do të ndërmarrë çdo reformë, ligj, vendim për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ky vendim i ri dhe historik për kombin tim, për të jetësuar çdo ditë dhe pandërprerë projektin e Shqipërisë europiane si projekti i të ardhmes më të shkëlqyer të shqiptarëve. Në veçanti dua të falënderoj me mirënjohjen më të thellë presidencën çeke dhe atë aktuale suedeze për mirëkuptimin e tyre të plotë, mbështetjen dhe promovimin e vendosur që ata i bënë kërkesës së qeverisë sime për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
 
Dua të përfundoj me një apel thellësisht të sinqertë dhe miqësor ndaj opozitës shqiptare: le të punojmë së bashku në këto momente historike për çdo shqiptar, për kombin dhe vendin në tërësi, të ndërmarrim së bashku reformat më të thella si interesi më jetik dhe më i mirë i qytetarëve të këtij vendi pa dallim nga bindjet e tyre politike, pa dallim nga asgjë tjetër, të cilët konsiderojnë në masën 96 përqind si projektin ëndërr, integrimin e tyre në Bashkimin Europian.
 
Faleminderit.”
 
Pyetje: Z. Kryeminister po e nis nga apeli që ju i bëtë opozitës. Nuk është hera e parë që ju e bëni këtë apel , por mesa duket deri më tani nuk ka funksionuar kjo gjë , pasi opozita vazhdon të jetë jashtë dyerve të parlamentit; do të ketë një protestë të radhës,  nuk dihet ende skenari i kësaj proteste në 20 nëntor. A ka mazhoranca një zgjidhje që mund të zgjidhte këtë ngërç le të themi sepse ju folët për reforma, kujtoj këtu se në parlament do të duhen 3/5  për reformat që kanë të bëjnë me drejtësinë ?
 
Kryeministri  Berisha: Mendoj se për çdo qytetar të këtij vendi, për të gjithë ata , të cilët kanë integrimin në Evropë si interesin më madhor të tyre, të familjes dhe të kombit të tyre dhe vendimi i sotëm është apeli më i fuqishëm për bashkëpunim, apeli më i fuqishëm për të çuar përpara këtë proces në interesin më të mirë të qytetarëve të vendit. Ju siguroj zonjë se ky vendim nuk do të merrej me 16 nëntor të 2009,  as të 2010, as të 2011 nëse zgjedhjet në Shqipëri nuk do të përmbushnin standardet kryesore të OSBE-së. Pra në një mënyrë përgjigja më reale , më e vërtetë është ky vendim.  Duke theksuar këtë,  absolutisht, kam qenë dhe mbetem i hapur për të bashkëpunuar me opozitën, siç kam bashkëpunuar me luajalitet të plotë në reforma ndër më të thellat dhe e vërteta është se me zotin Rama kam një arkivë shumë të pasur bashkëpunimi.
Ky është realiteti, mbetem sërish i hapur, por në mungesë të materies, në rrethana si në materie, këto procese siç po faktojnë  njëri pas tjetrit vendimet e Brukselit nuk mund të ndalen. Ndaj edhe njëherë është koha të  bëj thirrje  që të bashkëpunojmë në interesin më të mirë. Nuk mundesh kurrë të heqësh gurin e themelit të demokracisë në emër të saj, kur ai nuk qëndron. Të pretendosh  të shkelmosh mbi vendimet e gjykatave në rrugë politike , kthehem tek këshilla e një personaliteti shumë të shquar në Evropë, i cili më tha se kjo nuk mund të bëhet për asnjë çmim,  për asnjë çmim. Unë mbetem i hapur për një spektër të gjerë bashkëpunimi me zotin Rama, për ato çështje që janë dinjitoze dhe jo që rrënojnë ndërtesën e ndërtuar me kaq sakrifica.
 
Përsa i përket protestave, detyra ime si qeveri është; të bëj të gjitha përpjekjet për të garantuar zhvillimin sa më normal të protestave të cilitdo. Ju e shikoni, ky është një vend i lirë, një vend në të cilin liria e tubimit, liria e mendimit është e garantuar kudo dhe me çdo gjë. Ndaj dhe unë do të bëj detyrën time, të garantoj sigurinë e protestave të opozitës, ashtu siç kam porositur dhe siç është bërë deri sot,  kanë protestuar në qetësinë më të madhe. Natyrisht vendimi është apel, apel i madh që duhet një frymë tjetër. Mund të bësh opozitë ekstra parlamentare, por ajo të privon nga mundësia e një kontributi thelbësor, real. Opozita ka kontribut të madh për zgjedhjet. Unë miratova pikë për pikë propozimet e saj, Kodin Zgjedhor. Unë nuk jam penduar. Ka pasur shumë bashkëpunëtorë, jo të afërt, të ndryshëm që më bënin letra, mesazhe për të mos pranuar sistemin rajonal propocional, se pushteti është gjithmonë më i fortë në mazhoritar. Por unë nuk doja zgjedhje me ‘të fortët’, unë doja zgjedhje me të drejtë. Dhe unë pranova atë që përzgjodhi rivali im zoti Rama . Prapë pranoj, le të marrë vërejtjet që ka bërë OSBE-ODIHR, të gjitha, t’i sjellë amendamentet në parlament dhe unë do t’ia votoj.
 
Pyetje: A ka qeveria një afat të përcaktuar se kur do të mund të marrë Shqipëria statusin e vendit kandidat, pra pasi të vijë edhe pyetësori dhe për të nisur negociatat për anëtarësim?
 
Kryeministri  Berisha: Komisioni duhet të përgatisë  pyetësorin. Nesër do të ketë një mbledhje qeverie shumë të rëndësishme për të përcaktuar një qëndrim sa më serioz, sa më të përgjegjshëm, sa më kompetent. Janë trajnuar stafet, përsëri do të trajnohen stafe, do të marrim edhe këshilltarë që të na ndihmojnë. Janë mijëra pyetje dhe mbi bazën e kësaj,  ky proces do të ecë. Unë gjithnjë e mat procesin të bazuar në performancën. Ky është interesi më i mirë i shqiptarëve dhe unë për këtë zotohem. Unë do të bëj çdo përpjekje që ne ta meritojmë dhe do ta meritojmë.
 
Pyetje: Zoti Kryeministër, paralelisht me kërkesën tuaj drejtuar opozitës për të lënë bojkotin dhe për të zënë vendet e tyre në parlament, ka pasur edhe një zë tjetër faktori ndërkombëtar, konkretisht ambasadori i SHBA-ve, zoti Withers, të premten e kaluar u bëri thirrje faktorëve politikë për t’u ulur dhe për të gjetur një kompromis, një zgjidhje në mënyrë që opozita të kthehet në parlament. A do të ketë një iniciativë nga ana juaj për të pasur një tryezë bisedimesh politike?
 
Kryeministri Berisha: Thirrje shumë e drejtë, shumë normale. Unë e ftoj zotin Rama që nesër të dalim së bashku para jush e të përshëndesim këtë vendim. Unë kam komunikuar dhe do të komunikoj në mënyrë të pandërprerë jo vetëm me zotin Rama, por me çdo faktor, me çdo qytetar dhe me çdo udhëheqës të këtij vendi, privatisht dhe publikisht. Unë nuk e ndërpres komunikimin. Nuk mund të ndërpres komunikimin me një kryetar të një partie kryesore opozitare, me të cilin kam një arkiv shumë pozitiv bashkëpunimi, mos u nisni nga megafoni publik, por shikoni edhe reformat që janë promovuar dhe që janë të shumta. Unë jam absolutisht i gatshëm dhe kam qenë i hapur për një pjesë të kërkesave, siç e keni konstatuar edhe ju, natyrisht, nuk mund të pranoj kurrë atë që përmbys këtë sistem. Po të bëhet një përqindje e vendimeve të gjykatave, mund të jenë jo të pakta ato që nuk më pëlqejnë, por jam i detyruar t’i zbatoj ato, sepse kështu është rregulli. Në demokraci një grup i caktuar qytetarësh, profesionistësh të pazgjedhur u është dhënë një pushtet, u është marrë atyre që dalin nga zgjedhjet dhe u është dhënë këtyre, për të bërë një balancë, një garanci. Ai nuk preket, është pushtet i pavarur, e duam apo se duam këtë. Interesi më i madh i secilit prej nesh është pavarësia e tyre.  Një nga arritjet më të mëdha të drejtësisë shqiptare, pavarësisht nga kritikat, por këtë e keni dëgjuar edhe kur kam qenë në opozitë, ka qenë shkalla e lartë e depolitizimit të saj. Nuk them shkalla e plotë e totale e depolitizimit, por më e lartë ndoshta edhe se në disa vende të tjera, me traditë shumë më të gjatë se ne në demokraci. Dhe unë duhet t’i respektoj vendimet.   16/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›