E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha priti në takim europarlamentaren Tania Fajon

- Zonja Fajon: Unë e shoh qartësisht vendosmërinë e qeverisë tuaj për të arritur kriteret dhe standardet e kërkuara për liberalizimin e shpejtë të vizave për shqiptarët.
Kryeministri Berisha priti sot në Këshillin e Ministrave europarlamentaren Tanja Fajon. Kryeministri Berisha i uroi zonjës Fajon mirëseardhjen dhe duke e falënderuar, i shprehu mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për lobimin e saj në drejtim të përshpejtimit të liberalizimit të vizave me Shqipërinë.
Kryeministri Berisha vlerësoi Rezolutën e Parlamentit Evropian në mbështetje të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe u shpreh se kjo është një gjë pozitive jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, në shërbim të stabilitetit dhe prosperitetit të Ballkanit.
Kryeministri Berisha u shpreh se liberalizmi i vizave është një ëndërr për shqiptarët dhe se çdo kërkesë e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave do të plotësohet me përkushtim dhe vendosmëri nga qeveria shqiptare.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare e sheh integrimin e vendit si një proces bazuar në performancën në përmbushjen e kritereve të kërkuara dhe një proces në të mirë të qytetarëve të saj.
Qeveria shqiptare, vijoi Kryeministri, ka një bilanc pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar në vend, duke pasur një politikë të tolerancës zero kundër krimit. Në këtë aspekt Kryeministri nënvizoi se po modernizohet kontrolli i kufijve të Shqipërisë dhe është fakt mjaft pozitiv që falë kësaj lufte vendi ka një indeks të ulët të kriminalitetit, më të ulët se mesatarja e vendeve të BE.
Zonja Fajon, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për mikpritjen, u shpreh se puna e qeverisë shqiptare për të ndryshuar vendin është e dukshme. Këto muajt e fundit, nënvizoi europarlamentarja Tanja Fajon, ju keni bërë hapa të mëtejshëm  përpara në plotësimin e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.
Komisioni Evropian, vijoi zonja Fajon, do të dërgojë një delegacion në Shqipëri brenda këtij viti për të parë hapat  që ka bërë vendi dhe unë uroj dhe jam e bindur që brenda marsit të vitit tjetër të gjitha kërkesat dhe kriteret do të arrihen, në mënyrë që në verën e vitit të ardhshëm shqiptarët të mund të lëvizin pa viza. Dhe unë e shoh qartësisht vendosmërinë e qeverisë tuaj për të arritur këto kritere, u shpreh zonja Tanja Fajon.16/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›