Kryeministri Berisha takon nënkryetarin e Bordit të drejtorëve të CEZ grup, zotin Tomas Pleskac

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim pune me nënkryetarin e Bordit të drejtorëve të CEZ grup, zotin Tomas Pleskac
Zoti Pleskac e informoi kryeministrin Berisha mbi punën e deritanishme, të bërë nga operatori i sistemit të shpërndarjes kompania CEZ, si dhe prezantoi planin 2 vjeçar të investimeve.
Në emër të bordit të kompanisë CEZ, Zoti Pleskac i shprehu kryeministrit Berisha, përgëzimet për ambientin e krijuar në favor të biznesit, si dhe për frymën e lartë të bashkëpunimit mes qeverisë dhe kësaj kompanie. Zoti Pleskac tha se, si investues strategjik kompania CEZ është e përkushtuar të kontribuojë në zhvillimin e tregut shqiptar dhe të ofrojë shërbime me cilësi evropiane për klientët shqiptarë. Ai u shpreh se qëllimi i veprimtarisë së kësaj kompanie në Shqipëri zhvillohet sipas parimit të përfitimit të dyanshëm, të konsumatorëve shqiptarë dhe kompanisë. Në këtë kontekst, nënkryetari i Bordit të drejtorëve të CEZ grup, zoti Tomas Pleskac, tha se kompania ka një plan ambicioz investimesh për vitin 2009-2010, të cilat do të jenë rreth 8 miliard lekë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit e grupit të CEZ dhe shprehu besimin se kjo kompani prestigjioze do të përmirësojë dukshëm menaxhimin e sistemit të shpërndarjes si dhe shërbimet ndaj konsumatorëve.
Kryeministri i garantoi ata për transparencë dhe përkushtim nga ana e qeverisë shqiptare, për realizmin e planeve të tyre në dobi të shqiptarëve. Ndër të tjera, Kryeministri shprehu besimin që bashkëpunimi i qeverisë shqiptare dhe i Entit Rregullator ERE do të jetë gjithmonë transparent, profesional dhe në përfitim dypalësh, si dhe modeli i tregut i prezantuar në këtë sektor do të vazhdojë të mbështetet dhe të përmirësohet më tej. Duke sugjeruar që investimeve në Shqipëri i duhen dhënë nxitje për ti zhvilluar më tej, Kryeministri u shpreh se konsumatorët në nevojë do të ndihmohen në mënyrë më efektive nëpërmjet skemave sociale që do të zbatohen nga qeveria.
Përfaqësuesit e CEZ e siguruan Kryeministrin Berisha që do të vazhdojnë investimet për zvogëlimin e humbjeve, përmirësimin e shërbimit duke mbajtur parasysh dhe nxitjen biznesit për investime në Shqipëri. 16/11/2009