E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha viziton Panairin e Librit

Kryeministri Berisha vizitoi sot Panairin e Librit, të mbajtur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. I shoqëruar edhe nga Ministri i Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Turizmit, Ferdinand Xhaferri, Kryeministri Berisha u ndal në stendat e shumë shtëpive botuese, duke i përgëzuar për punën e tyre, si dhe duke blerë një numër të madh librash. Ndalesa mjaft të veçanta të Kryeministrit Berisha, ishin edhe me grupe fëmijësh që kishin ardhur në Panairin e Librit, të cilët i uroi që të vazhdonin pa u ndalur në rrugën e letërsisë.
Në fjalën e tij përshëndetëse në panair, para gazetarëve, kryeministri Berisha u shpreh:
Eshtë një rast i veçantë për t’u përcjellë botuesve, shkrimtarëve përkthyesve dhe të gjithë punonjësve të botës së librit, urimet më të përzemërta për këtë sukses të madh. Bota e librit është universi tjetër i madh i realitetit, i ideve transformuese, i vizioneve pararendëse të së ardhmes. Letrat shqipe, vijnë në këtë eveniment të madh, do të thoja me një krenari të madhe, sepse këtë vit, letrat shqipe, me përfaqësuesin e tyre më të shquar, Ismail Kadarenë, morën nderimin më të madh në historinë e tyre. Princi i Kurorës së Spanjës, i akordoi “Nobelin” e botës spanjolle, çmimin “Princi i Asturias” shkrimtarit tonë më të shquar të kohërave me motivacionin: “Ismail Kadaresë, njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kontinentit, të gjithë kohërave, njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës së sotme”. Gjithashtu dua të përgëzoj dhe shtëpinë botuese, e cila ka botuar kolanën e plotë të veprave të Ismail Kadaresë; të përgëzoj shumë autorë të tjerë, që ia kanë dalë këtë vit të fitojnë një numër shumë të madh lexuesish; të përgëzoj përkthyesit, të cilët njëlloj si bletët, mbledhin fjalët më të bukura të gjuhës dhe na i dhurojnë ne nëpërmjet përkthimeve të tyre, bashkë me shkrimtarët sigurisht. Pra është një ngjarje shumë e madhe. Vizitova një pjesë të shtëpive botuese dhe nuk arrita t’i vizitoj të gjitha; u kërkoj ndjesë dhe u jap urimet e mia më të përzemërta. I garantoj botuesit dhe në tërësi botën e letrave, se qeveria do të përpiqet të përshtasë një qëndrim sa më lehtësues për veprimtarinë e tyre të pazëvendësueshme. Edhe ju zoti organizator urimet më të mira.
 
Pyetjes së gazetarëve në lidhje me zhvillimet politike në vend, Kryeministri Berisha iu përgjigj:
S’më nxjerr dot gjë mua nga universi i librit sot. E fillova me librin dhe të garantoj se do të vazhdoj gjer në mesnatë me libra. Eshtë ditë libri për mua sot dhe e thashë edhe një herë, letërsia është një univers shumë i veçantë, ndaj t’ia lëmë librit këtë ditë.

Ndërkohë, që i pyetur në lidhje me librat e tij të preferuar, Kryeministri Berisha u shpreh:
Mund të them që jam i papërmbajtur në dëshirat e mia për leximin e librave. Para se të vija te ju, më pyeti një vajzë e re, më tha: Kush është shkrimtari yt më i preferuar? Problemi im i thashë, është se unë i ndryshoj. Unë i ndryshoj, por nuk i harroj kurrë ata që bëhen më të preferuarit. I ndryshoj sepse koha ndryshon. Unë kam patur një pasion të jashtëzakonshëm për Viktor Hygoin në vitet e hershme të rinisë tim. Natyrisht nuk mund të mohoj se momentet më të veçanta në raport me letërsinë, i kam atëherë kur mundem të lexoj poezi. Poezia është e vetmja që nuk merret dot në dorë, përveçse me një përqendrim total dhe maksimal, që të mund ta shijosh në të gjitha thellësitë dhe dimensionet e saj. Kjo dashuri për poezinë më ka mbetur mua, jo e lindur, por pothuajse e lindur. Pse? Sepse në fëmijërinë time fillova të shkruaja shumë poezi dhe konstatoja se ato ishin mediokre. Edhe fakti që unë arrita të mos shkruaj më, t’ia ndaloj vetes që të shkruaj për të dalë nga mediokriteti, ishte një nga vendimet më të rëndësishme të jetës time, por kjo më shtoi më shumë dashurinë për poezinë.14/11/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›