E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet nisjen e sesionit të ri parlamentar

Zonja kryetare,

zonja deputete,

zotërinj deputetë,

të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë,

Duke ju përshëndetur përzemërsisht, dëshiroj t’ju garantoj të gjithëve ju se në fillim të këtij sesioni e në vazhdim, kjo mazhorancë do të përdorë të gjithë pushtetin e mundësitë e saj për thellimin e mëtejshëm të reformave të gjithanshme, për çuarjen përpara të projektit më të rëndësishëm, më jetik, më vendimtar për Shqipërinë e shqiptarët, projekti Shqipëria - vend i zhvilluar. Kjo qeveri e kjo mazhorancë do të përdorë të gjithë potencialin e mundësitë e saj për të çuar përpara procesin tjetër jetik për burrat e gratë, të rinjtë, fëmijët e të moshuarit e këtij vendi, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Bazuar në këto dy objektiva, mazhoranca është e vendosur të procedojë  me një tërësi reformash politike, ekonomike, sociale e në të gjitha fushat, në mënyrë që ritmet dhe shpejtësia e ndryshimit të këtij vendi të mos njohin ndalje e ngadalësi.

Ne sapo kemi përfunduar një proces zgjedhor. Procesi zgjedhor më i mirë në tërë historinë e pluralizmit shqiptar. Këto zgjedhje u vlerësuan nga arbitri ndërkombëtar si zgjedhje që garantuan dy shtyllat më themelore të procesit zgjedhor, lirinë dhe ndershmërinë. Zgjedhje kompetitive në doktrinën elektorale të vendeve të lira do të thotë zgjedhje, në të cilat tërësia e standardeve të lirisë bënë të mundur një garë të ndershme dhe të lirë. Zgjedhje transparente do të thotë se secili pati vlerësimin e ndershëm. Në këto zgjedhje pati një risi të vërtetë, qëndrimin parimor që do të mbahej ndaj 762 votave të hedhura gabim  nga qytetarët shqiptarë, përfshirë këtu edhe Presidentin e vendit. Cili do të ishte qëndrimi? Ata që donin t’i fusnin këto vota nën tavolinë apo ata që donin t’i numëronin, t’i tregonin shqiptarëve çdo njërën prej tyre në ekranet televizive, njëlloj siç bëri 10 vjet më parë në Florida, demokracia më e madhe e botës? Ne zgjodhëm këtë të dytën. Ne zgjodhëm t’i numëronim ato. Cilido të ishte verdikti i tyre, ne ishim të përgatitur ta pranonim atë. 762 vota, nëse do t’i ‘disfranchise’, do të bëjë 762 krime elektorale dhe nuk kishte njeri të përgjegjshëm që të mund të merrte përsipër një veprim të tillë. Po, vendit i mungonte një kuadër rregullator për këtë. Kjo është e vërtetë. Në Berat, ato që të gjitha u numëruan për zotin Nasufi, po kështu për zotin Bime në Gjirokastër, në një vend tjetër u hodhën në kosh të pavlera. Nuk u ndala këtu për të bërë analizën e zgjedhjeve. Absolutisht jo, sepse unë e kam të qartë se 140 mijë vota që morët më pak në shkallë republike, ju i konsideroni fitore. Ta gëzoni! 10 909 vota që morët më pak në qytetin e Tiranës, ju i konsideroni fitore. Ta gëzoni! Por u ndala këtu për të theksuar se arbitri, pasi i vlerësoi zgjedhjet, bëri vërejtjet e tij dhe një seri rekomandimesh. Unë ju ftoj në interesin tuaj më të mirë e të vendit, të proçedojmë bashkërisht, pa humbur kohë, me reformën zgjedhore, të ftojmë specialistët e OSBE/ODIHR-it, Komisionit të Venecias, specialistët tanë më të mirë, shoqërinë civile shqiptare, të ulemi e të adresojmë një për një të gjitha vërejtjet e sugjerimet e këtyre institucioneve që kanë ekspertizën më të shkëlqyer të zgjedhjeve në Europë e në botë. Ju garantoj se mazhoranca është e vendosur të punojë bashkë me ju për të konkretizuar në ligj apo vendime, sipas rastit, secilin prej këtyre rekomandimeve. Uroj që këtë ftesë, këtë grishje, ju ta merrni si interesi juaj, i yni, i vendit në tërësi.

Opozita, në definicionin dhe misionin e vet, natyrisht, ka kontrollin në çdo qelizë të ekzekutivit dhe në parlament të institucioneve të shtetit në tërësi. Unë ju garantoj se do të jeni të mirëpritur ta ushtroni këtë kontroll me të gjithë forcën që njohin ligjet e këtij vendi demokratik. Unë uroj që të largoheni nga disa praktika të mëparshme. E theksoj këtu se nuk besoj të ketë opozitë tjetër që të bllokojë heqjen e imunitetit. Do të dëshiroja se si dëshmi e vullnetit tuaj për të luftuar korrupsionin të votonit javën që vjen ligjin për heqjen e imunitetit në republikën e Shqipërisë që ka pesë vjet që pret në arkivin e parlamentit, e cila përbën një obligim të një marrëveshjeje me shkrim që ka qeveria socialiste me njësinë GRECO të Këshillit të Europës, të firmosur në vitin 2003. Ky ligj, pas kundërshtimit tuaj në parlament u dërgua në Komisionin e Venecias, i cili i bëri të gjithë ekspertizën dhe e gjeti atë të përputhshëm plotësisht me Kushtetutën e vendit, me kusht që të votohet me tre të pestat, pasi institucionet që prekeshin nga veprimi i tij ishin institucione kushtetuese dhe duhej që ligji të miratohej me tre të pestat. Nga ajo ditë e gjer më sot, ligji pret votën tuaj. Dhëntë Zoti  të keni dëshirë e kurajo që ta miratoni këtë ligj sa më shpejt! Ju garantoj se ne jemi të gatshëm që javën që vjen. Janë edhe një seri ligjesh të tjera, me të cilat lidhet pazgjidhshmërisht procesi i integrimit. Oferta jonë ka qenë e mbetet e hapur. Shqyrtojini, bëni çdo lloj amendimi që është brenda standardeve dhe ne do t’i shqyrtojmë amendimet tuaja me seriozitetin më të madh.

Zonja dhe zotërinj,

Procesi i ndryshimit është proces reformash dhe zbatimit të tyre. Këto reforma janë jetike dhe janë i vetmi proces “perpetum mobile” në një vend që do të zhvillohet. Lufta kundër korrupsioni dhe reformat në këtë drejtim janë dhe duhet të mbeten, janë dhe do mbeten përparësi absolute e kësaj mazhorance. Natyrisht që kjo luftë do të jetë më eficente, në qoftë se së pari nuk politizohet, së dyti në se opozita merr pjesë aktive dhe jep kontributin  e saj. Kjo luftë ka njohur suksese të pamohueshme. Shqipëria që vithisej në honet e kleptokracisë dhe korrupsionit, një ndër 24 vendet më të korruptuara në botë, la pas 95 të tilla. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në botë, që në harkun kohor 4 vjeçar, në sajë të luftës kundër korrupsionit ka dyfishuar të ardhurat buxhetore. Me një vullnet të hekurt në këtë luftë, Shqipëria u shndërrua në vendin  e parë me prokurime elektronike një qind për qind, një seri procedurash u digjitalizuan dhe dolën jashtë korrupsionit, por korrupsioni është një sëmundje që kurrë nuk çrrënjoset dhe kur them këtë nuk është një fatalitet. Ajo kërkon një luftë  permanente, të vazhdueshme, në çdo qelize, ne çdo segment dhe kudo. Uroj dhe dëshiroj që të merrni rolin që ju takon. Dua tu garantoj se lufta simetrike që ka bërë deri më sot institucioni i prokurorisë së këtij vendi, duke mos hapur as edhe një dosje të vetme të qindra  e qindra zyrtarëve, përgjegjës për katandisjen e Shqipërisë, në një nga 24 vendet më të korruptuara të planetit, nuk e ka dëmtuar mazhorancën. Absolutisht jo. Ka dëmtuar palcërisht opozitën, ka bërë të mundur riciklimin e atyre që duhet të përballeshin me ligjin dhe jo me karriget që ju tani ofroni, se druajnë që ju dizorientojnë, megjithatë këto janë punët tuaja. Ju garantoj se mazhoranca ka vullnet të hekurt të bashkëpunojë me ju në këtë luftë në interesin më të mirë të një transparence të plotë, të të gjitha proceseve. Mazhoranca ka një program ambicioz në luftën kundër korrupsionit. Kemi marrë dhe po marrim një nga një çdo procedurë. Po bëjmë gjithçka që në çdo skutë, në çdo qelizë , në çdo qoshe, të penetrojë rrezja e diellit. Ju këtu keni një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur.

Zonja dhe zotërinj,

Këto kanë qene vitet në të cilat ekonomia shqiptare,një ekonomi e vogël, por e vërteta është që ka dëshmuar dinamizëm dhe një soliditet të admirueshëm. Në dallim nga vajet  e përditshme ndaj saj, ekonomia shqiptare është një nga të paktat ekonomi në Evropë që ka trefishuar eksportet, nga viti 2006 në vitin 2011. Me gjithë problematikën kjo është e vetmja ekonomi që ka trefishuar investimet  e huaja në një hark kohor 4 vjeçar. Kjo është e vetmja ekonomi që ka rritur në një mesatare, jo më pak se 30 herë, investimet e huaja nga 2006 në 2010 krahasuar nga 2000 në 2004, megjithatë kriza e borxheve është një krizë e thelle, është një krize e cila pa asnjë diskutim pasqyrohet dhe në ekonominë shqiptare dhe ne rast se nuk e zhyt në recension natyrisht që ndikon në ritmet e saj. Është jetike, vendimtare të përsosim më tej këtë model ekonomik. E vërteta është se Shqipëria nuk u zhyt në krizë, Shqipëria nuk njohu recension. Jo se ekonomia shqiptare  nuk është pjesë e ekonomisë globale, jo se ekonomia shqiptare nuk është pjesë e ekonomisë rajonale. Jo se ekonomia shqiptare nuk është pjesë ekonomisë europiane. Ky vend madje, fatkeqësisht, ka një disbalancë tregtare problematike, por ekonomia shqiptare nuk u zhyt në recension, për shkak të një modeli të vendosur nga kjo mazhorancë që në fillimet e saj në 2005 dhe ne vazhdim. Ky model i bazuar në taksat e ulëta, i bazuar në qeveri të vogël dhe në investime të mëdha bëri që ekonomia shqiptare të mos përkulet, të mos zhytet në recension. Natyrisht ngadalësohet, por të ruajë rritjet më të larta se të gjithë ekonomitë e tjera. Jemi në  një fazë të re dhe kjo fazë e re tani është në krizën e borxheve. Do të ishte  e gabuar po të mendonim se modeli ynë nuk do të ndikohet nga kjo krizë. Sado i suksesshëm që është modeli, përsëri do të ndikohet, por  është në detyrën tonë, të procedojmë me shpejtësi në reforma te të tjera në mënyrë që ta mbrojmë ekonominë nga rënia në recension.

Jam i bindur, të nderuar deputetë se kjo ekonomi nuk do të njohe recension, se qeveria shqiptare do të zhdërvjelltësojë, do të thellojë më tej reformën fiskale, se kjo qeveri pas regjistrit të frymorëve, të qytetarëve do të hartojë brenda majit të vitit 2013, regjistrimin e tokës dhe të pronave, si shërbimi më i madh ndaj tregut dhe ekonomisë së tregut.

Qeveria është e vendosur të dixhitalizojë çdo procedurë që ka të bëjë me biznesin dhe biznesmenët. Qeveria është e vendosur të procedoje me privatizimet më të thellë. Po si mund të ngriheni kundër privatizimeve ju kur sot kërkesa më kryesore  e ekonomisteve më të mëdhenj të botës, e grupeve më të mëdha të mendimit në botë, për vendet në krizë është privatizim dhe vetëm privatizim. Lërini ato alergji ndaj privatizimeve. Privatizimi është rruga me e sigurt për të rritur eficencën në menaxhim. Rruga me e sigurt më të zvogëluar sektorin publik në maksimum. Nuk duhet as mazhoranca dhe opozita të konsiderojnë sektorin publik si sektor punësimi. Ju si opozitë keni shansin të jepni një kontribut reali në këto reforma, por natyrisht në qoftë se kundërshtoni privatizimet, në qoftë se kundërshtoni koncesionet , në qoftë se kundërshtoni partneritetin publik, privat, më thoni atëherë se ku do të shkojmë? Natyrisht që do të shkojmë mbrapa. Shqipëria ka nevoje jetike për reformë të thellë në sistemin arsimor. Me përpjekje të mëdha, me shpenzime të mëdha, me përkushtim ia kemi dalë që në një hark kohor të shkurtër sot të trefishojmë numrin e studentëve, ia kemi dalë që sot në shkollat e mesme të Shqipërisë të ulen 91 përqind e nxënësve të cilët mbarojnë 9 vjeçaren, ia kemi dalë të shtrijmë internetin dhe kabinetin e informatikës në çdo shkollë,  ia kemi dalë të vendosim plotësisht sistemin e Bolonjës në shkollat tona të larta. Por duhet të jemi realistë. Këto janë arritje sasiore. Arsimi në Shqipëri ka nevojë jetike për cilësi, cilësi dhe vetëm cilësi. Një mekanizëm i ri financiar është përgatitur me ekspertët më të mirë nga institucionet ndërkombëtare. Unë ju ftoj të bëheni pjesë e këtij diskutimi dhe të instalojmë mekanizmin financiar, si një kusht themelor për të promovuar më tej cilësinë në universitetet tona. Nuk zgjidhet problemi i cilësisë duke anatemuar arsimin privat. Ata që kanë si pasuri kryesore arsimin, e kanë atë sepse e kanë komponentin privat më të fuqishëm se komponenti publik. Urdhëroni të bashkëpunojmë, të përcaktojmë kritere e standarde, por jo të anatemojmë. Me anatemë asgjë nuk zgjidhet. Nihilizmi është doktrinë fanatike tërësisht e pavlerë dhe nuk duhet harruar se nihilisti ka gjithnjë një urrejtje dhe përçmim për atë që beson. Ndaj duhet çliruar nga nihilizmi. Arsimi privat është një proces që ekziston në çdo vend të lirë.

Reforma në shëndetësi është reforma më e vështirë dhe e rëndësishme sot për sot. Janë bërë hapa të mëdha, po shkohet drejt finalizimit të kostifikimit, të instalimit të mekanizmit të ri financiar. Ju, të nderuar deputetë, jeni të mirëpritur të merrni pjesë aktive në një reformë të tillë. Në të dy grupet parlamentare ka mjekë të shquar, me lidhje shumë të mira me klinika e institucione shëndetësore të vendit. Le të bashkëpunojmë për të finalizuar reformën në shëndetësi, si një ndër kushtet më themelore për luftën e suksesshme kundër sëmundjeve dhe zhvillimin e shëndetit të qytetarëve shqiptarë.

Zonja dhe zotërinj,

Reformat janë në të gjitha fushat. Ajo që ndofta ju pengon t’i shihni e konsideroni është rruga e vetmisë. Tani uroj të dilni prej saj dhe ju garantoj për vullnetin e hekurt për të bashkëpunuar.

Reforma e pensioneve është një nga reformat më të rëndësishme. Të gjitha këto nuk kërkojnë 3/5, por kërkojnë që të gjithë të marrin pjesë në to. Reforma e pensioneve nuk është reformë për këtë qeveri, nuk është reformë as për qeverinë time që do të vijë pas 2013, po i fitova zgjedhjet e do t’i fitoj dhe po mbajtët ju vajtime të tilla këtu, unë do të fitoj vazhdimisht. Reforma  e pensioneve është përgjegjësia jonë ndaj gjeneratës tjetër. A do të pranojmë ne, t’i lëmë gjeneratës tjetër një deficit në fondin e pensioneve, që sot është një përqind e deficitit buxhetor. Do të ishte e papërgjegjshme të ecnim në këtë mënyrë. Ne kemi përgatitur kuadrin ligjor dhe kemi bërë përpjekje të vazhdueshme që të ulemi sëbashku me ju. Institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar pjesëmarrjen tuaj. Qeveria do ta sjellë reformën për pensionet në parlament dhe absolutisht, është një nga reformat më të rëndësishme.

Zonja e zotërinj deputetë,

Fjala e përfaqësuesit tuaj këtu vërtet ishte një përzgjedhje, një vajtim për atë që shkoi, por unë dua të besoj se sot, ne hapim një kapitull të ri në bashkëpunimin mazhorancë-opozitë, në interesin më të mirë si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës e të vendit në tërësi. Faleminderit. 


05/09/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›