E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov

2 shtator 2011
Viminacium, Serbi

Në kuadër të punimeve të Samitit të 9-të Rajonal të UNESCO-s të Krerëve të Shteteve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim pune me Presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Biseda midis dy Presidentëve u përqendrua në zhvillimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Presidenti Topi dhe Presidenti maqedonas Ivanov shprehën vullnetin e përbashkët politik për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë, duke vënë në dukje nevojën për rritjen e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare, për investime të përbashkëta në hapësirat dhe infrastrukturën që mundëson përdorimin e frytshëm të resurseve turistike në të dyja vendet dhe veçanërisht në fushën kulturore-artistike. Presidenti Topi vuri në dukje se angazhimi i plotë i Shqipërisë dhe Maqedonisë për arritjen e një niveli të lartë marrëdhëniesh vjen mbi parimet e standardet, jo vetëm të fqinjësisë së mirë, por edhe ato të integrimit evropian. Edhe një herë në këtë takim, Presidenti Topi, vlerësoi rolin e rëndësishëm të faktorit shqiptar në Maqedoni, si në element qëndrueshmërie, bashkëpunimi dhe kontribues në proceset e rëndësishme integruese të shtetit maqedonas.

Nga ana e tij, Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov, pasi theksoi rëndësinë e këtyre takimeve të niveleve më të larta për rritjen dhe thellimit e bashkëpunimit rajonal, vuri në dukje se “Nëse ka dialog, mirëkuptim e bashkëpunim mes Krerëve të Shteteve respektive, kjo frymë do të transmetohet edhe në nivelet e tjera të vendeve tona, duke bërë që mesazhet e dala nga ky Samit si dhe bashkëpunimi i gjithanshëm gjithnjë e në rritje të ndikojë në të ardhmen e përbashkët integruese evropiane të mbarë rajonit tonë.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›