Kryeministri Berisha: Qeveria punon çdo ditë për të vendosur kuadrin ligjor më të favorshëm për biznesin vendas e ndërkombëtarë

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në çeljen e Panairit të parë Ndërkombëtar të Ndërtimit “RealEX 2011”, i cili zhvillohet përgjatë datave 6-8 shtator, në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë.
Në këtë panair janë të pranishme më shumë se 60 kompani vendase dhe ndërkombëtare që merren me ndërtim apo me prodhimin dhe tregtimin e materialeve të ndërtimit, që do të ekspozojnë produktet dhe shërbimet e tyre në tregun shqiptar.
Kryeministri Berisha u ndal në tendat e ekspozuara në këtë panair, duke u interesuar dhe parë nga afër produktet dhe u informua nga drejtuesit e kompanive për shërbimet konkrete që ata ofrojnë.
Më pas, Kryeministri Berisha, në kuadër të "RealEX 2011", mori pjesë edhe në hapjen e Konferencës Ndërkombëtare të Ndërtimit dhe Investimeve.
Kryeministri vlerësoi organizmin e këtij panairi të fushës së ndërtimit, duke e cilësuar sektorin e ndërtimit si lider dhe promotor të zhvillimit të Shqipërisë. Gjithashtu, ai falënderoi drejtuesit e bizneseve ndërkombëtare për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në zhvillimin dhe transformimin e këtij vendi.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria këto vite faktoi para shqiptarëve dhe biznesit ndërkombëtarë se modeli i saj ekonomik, është model suksesi. Ekonomia shqiptare, për 2-3 vite me radhë, ka qenë në krye të rritjeve ekonomike në Evropë dhe ajo nuk e njohu recesionin. Kjo ka ardhur prej faktit se ekonomia shqiptare është e vendosur në parime të shëndosha tregu dhe se Shqipëria ka vendosur regjimin fiskal më të ulët.
Kryeministri shprehu garancinë se qeveria shqiptare do të përpiqet çdo ditë të vendosë për biznesin kuadrin më të favorshëm ligjor. Në këtë kuadër, ajo po përpiqet të krijojë me shpejtësi portalin zyrtar në shërbim të bizneseve, që mundëson nxjerrjen në dritën e diellit të gjithë plogështisë e burokracisë dhe vendosjen e sistemit në të cilin bizneset do të ndjekin çdo dokument që dorëzojnë në zyrat e administratës, në mënyrë që administrata të bëhet më e përgjegjshme ndaj çdo lloj qëndrimi që duhet të mbajë ndaj kërkesave të tyre.
Duke u ndalur në nismat e realizuara deri tani në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se është krijuar sporteli i vetëm për regjistrimin e biznesit, sporteli për licencat e lejet, po punohet me intensitet për krijimin e regjistrit të tokë, etj.
Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri u shpreh:
“I nderuar zoti ministër Olldashi,
I nderuar zoti Zhilla, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë
I nderuar z. Mohammed Abdul Khaliq, Drejtor Ekzekutiv i Grupit Invest nga Bahraini,
I nderuar z. Christian Petter, Drejtor Ekzekutiv për Evropën Juglindore në BNP Paribas Investment Partners,
I nderuar z. Todor Delovskit, Drejtor i Përgjithshëm i KNAUF për Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën,
Të nderuar drejtues të kompanive të ndërtimit dhe shoqatës së ndërtuesve!
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht për organizmin e këtij panairi të fushës së ndërtimit, e cila është edhe fusha lider dhe promotor i zhvillimit të Shqipërisë. Ndërtimi sot është sektori më i fuqishëm, promotori më kryesor i zhvillimit të vendit dhe si i tillë do të mbetet ndoshta dhe për dy dekadat që vijnë. Shqipëria është një vend i vogël në hartë, por në këtë vend vëllimet e ndërtimit të realizuara, private dhe publike, janë plotësisht të krahasueshme me një vend shumë herë më të madh se Shqipëria.
Ndaj unë dua të përgëzoj të gjithë ata ndërtues shqiptarë dhe të huaj që me punën e tyre, kanë bërë të mundur krijimin e një Shqipërie tjetër, e një Shqipërie që 700 mijë bunkerë i zëvendësoi me mbi 500 mijë vila, e një Shqipërie që sot disponon sipërfaqe banimi 2 deri në 3 herë më shumë sesa kishte deri në 20 vjet më parë, e një Shqipërie që në një hark kohor shumë të shkurtër, 20 vjeçar, ka ndërtuar dhe rindërtuar mbi 87 mijë km rrugë, e një Shqipërie e cila krahas kompanive të vendit, ka grishur, ka tërhequr interesin dhe angazhimin e kompanive ndër më të mëdha të botës, të vendeve si; SHBA, Gjermani, Itali, Britani e Madhe, Francë, Lindje e Mesme, Turqi, pra kompanive më serioze nga mbarë bota.
Në Shqipëri janë kryer në njësi kohe vëllimet më të mëdha të ndërtimit. Mjaftoj të citoj këtu vetëm një shifër në një hark kohor prej 30 muajsh; vetëm në një arterie janë lëvizur pothuajse 100 milionë metër kub dhe, si dhe shkëmbinj, apo janë ndërtuar më shumë se të gjitha urat para - ekzistuese të marra së bashku.
Zonja dhe zotërinj,
Shqipëria këto vite faktoi para shqiptarëve dhe biznesit ndërkombëtarë se modeli i saj ekonomik, është model suksesi. Ekonomia shqiptare, për 2-3 vite me radhë, ka qenë në krye të rritjeve ekonomike në Evropë. Ekonomia shqiptare nuk e njohu recesionin. Këto nuk kanë ardhur prej faktit se ekonomia shqiptare nuk është e lidhur me ekonominë globale, ekonomia shqiptare është e destinuar të jetë hiperglobale, të tilla janë ekonomitë e vendeve të vogla dhe nuk mund të ketë fat tjetër ato përveç se këtij fati. Kjo nuk ka ndodhur sepse Shqipëria pati gjetje apo eksplozione të mëdha nafte apo gazi. Jo. Kjo ka ndodhur sepse ekonomia shqiptare është e vendosur në parime të shëndosha tregu, se Shqipëria ka vendosur regjimin fiskal më të ulët, se Shqipëria nuk shikon si alternativë në përballimin e krizës rritjen e taksave, siç po ndodh rëndom, se Shqipëria nuk shikon si alternativë për mbrojtjen nga kriza fuqizimin e sektorit publik. Shqipëria ka besim të madh se rruga më e sigurt për t’u përballur me pasojat e krizës së thellë evropiane dhe botërore është përqendrimi te biznesi, mbështetja e biznesit, zgjerimi i hapësirave të biznesit dhe përpjekja e vështirë por jetike për konkurrencë të lirë dhe të ndershme.
Qeveria shqiptare, gjatë këtyre viteve ia doli të vendosë në Shqipëri regjimin fiskal më të ulët, ia doli të vendosë sektorin publik me përmasa më të vogla, gjysmën e sektorit publik të Maqedonisë, ia doli të dyfishojë të ardhurat buxhetore dhe të krijojë të gjitha mundësitë për të investuar në infrastrukturë. Në vitet 2008-2009 ky vend ka investuar vetëm në rrugë 10 për qind të PBB-së.
Këta faktorë kanë bërë që modeli ekonomik i yni të jetë një model i suksesshëm.
Sot jemi prapë në një moment të veçantë, nga kriza e flluskave financiare u kalua ë krizën e borxheve. Kriza e borxheve është një krizë më e thellë, jo se është më e madhe në përmasa, por se përmasat e sektorit publik janë minorene krahasuar me gjigandizmin e sektorit privat. Ndaj është e domosdoshme që qeveria shqiptare, institucionet e këtij vendi, të bëjnë gjithçka për të nxitur biznesit. Ne mendojmë dhe besojmë se nuk ka asnjë rrugë tjetër më të sigurt për të amortizuar pasojat e kësaj krize të thellë, e cila do të jetë me e zgjatur se ajo e flluskave financiare, se ajo e derivateve. Të mos harrojmë se borxhet të cilat i japin tani pasojat, janë rezultante e dekadave, janë një skalkulim i dekadave dhe do të duhen pak vite që të kapërcehen.
Unë ju siguroj se qeveria do të përpiqet çdo ditë të vendosë për ju kuadrin më të favorshëm ligjor.
Ne po mendojmë të krijojmë me shpejtësi portalin zyrtar në shërbim të bizneseve, që do të thotë të nxjerrim në dritën e diellit të gjithë plogështinë e burokracisë, të vendosim sistemin në të cilin ju të ndiqni çdo dokument që dorëzoni në zyrat e shtetit, në zyrat e administratës, se kush e lejon e kush e pengon atë, në mënyrë që administrata të bëhet më e përgjegjshme ndaj çdo lloj qëndrimi që duhet të mbajë ndaj kërkesave tuaja.
Është krijuar sporteli i vetëm për regjistrimin e biznesit, sporteli për licencat e lejet, do punohet me intensitet për krijimin e regjistrit të tokë, do punohet me intensitet për krijimin e portalit, ku ju, të nderuar biznesmenë, të ndiqni, të monitoroni çdo hallkë nëpër të cilën kalon dokumenti apo kërkesa juaj, me përpjekjen për t’i shkurtuar ato sa më shumë. Unë shoh me optimizëm se bashkërisht do bëjmë çdo përpjekje. Ne nuk jemi një ishull i izoluar, por ne do të bëjmë përpjekje të suksesshme e të përballemi me sukses edhe me këtë krizë të borxheve, krizë e cila në rrafshin kombëtar borxhi shqiptar nuk është problematik, është 59 për qind dhe do të mbetet kaq. Borxhi shqiptar është një borxh beninjë, 35 për qind e tij janë në lekë dhe pjesa tjetër është me institucionet publike financiare ndërkombëtare. Por pavarësisht kësaj, edhe në kontrollin e borxhit, me gjithë nevojat që kemi, ne do të bëjmë gjithçka; së pari në mos rritet, së dyti, sapo të na jepet mundësia e parë, të kompletojmë 2-3 projektet e mëdha që kemi në infrastrukturë, do të bëjmë çdo gjë që borxhi të zvogëlohet, raiting-u i sistemit bankar shqiptar të përmirësohet, kreditimi për ju të ketë norma të tjera interesi.
Edhe njëherë ju përshëndes dhe ju shpreh falënderimet dhe vlerësimin tim shumë të madh për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë në zhvillimin e këtij vendi, në transformimin e këtij vendi.
Urime!”
06/09/2011