Kryeministri Berisha përshëndet takimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare
Kryeministri Berisha përshëndeti pasditen e sotme, në Pallatin e Kongreseve, takimin e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, ku ndër të tjera u lancua platforma elektorale e “Rolit të Gruas për Zhvillim dhe Integrim”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Është një mbarësi e jashtëzakonshme e Partisë Demokratike të çelë sot këtu me ju fushatën elektorale, fushatën e fitores, fushatën e rikthimit te 22 marsit 1992, fushatën e horizontit të ri Europian, fushatën e ëndrrave të shndërruara në realitet për ju, për fëmijët tuaj dhe fëmijët e fëmijëve tuaj.
Ne ecim drejt fushatës elektorale dhe drejt zgjedhjeve të 28 qershorit të sigurt në fitoren më të thellë në historinë e pluralizmit. Ne së bashku kemi shndërruar në realitet projekte të mëdha të jetës sonë, ne së bashku pamë këto katër vjet që Shqipëria të ngjitet në një horizont që s’kishte qenë kurrë më parë, ne së bashku pamë që një program elektoral të paraqitur katër vjet më parë ta shndërrojmë në realitet. Sot, ju uleni me çdo shoqe, me çdo bashkëpunëtore dhe me çdo kolege të çdo prirje politike, me ndjenjën e thellë të krenarisë të premtimeve të katër viteve.
Sot, ju uleni sot me cilindo, duke pasur programin e ri, program i cili synon t’i japë Shqipërisë fizionominë dhe imazhin evropian në mënyrën më përfundimtare. Ne sot çelim zyrtarisht fushatën zyrtarisht, por e vërteta është se ne veçse shënojmë një takim, pasi kjo fushatë ka filluar me ju së paku një vit më parë. Fushata elektorale e Partisë Demokratike eshte celur një vit më parë, në të gjitha tubimet e grave të Shqipërisë. Gratë dhe vajzat, gjatë më shumë se një vit, mbushën sheshet, stadiumet dhe sallat me thirrjet e fuqishme për fitore dhe me besimin e madh të fitores. Ndaj edhe ky takim është vazhdimi i atyre.
Unë dua t’ju garantoj ju se mbetem gjithnjë i përkushtuar dhe i bindur se Shqipëria dhe kombi ynë nuk mund të jenë kurrë të emancipuar në rast se ju nuk vendoseni në piedestalin që meritoni dhe në rast se ne nuk realizojmë ‘de juro’ dhe ‘de facto’ barazinë midis babait dhe nënës, motrës dhe vëllait, bashkëshortit dhe bashkëshortes. Por, rezultatet e këtyre katër viteve janë inkurajuese. Njëri prej tyre është që sot ne kemi arritur një nga nivelet më të larta të punësimit të grave në Europë, me rreth 40 për qind dhe nuk ka gjë më fisnike se sa puna e gruas, nuk ka emancipim më të madh të familjes dhe nuk ka emancipim më të madh për vendin.
Sot, administrata e Sali Berishës ka 59 për qind të saj Zonjusha dhe zonja. Sot, në të gjithë universitetet e vendit 58 për qind e studentëve janë vajza. Parlamenti i ardhshëm do të ketë një përqindje shumë më të lartë se sa Parlamenti që shkoi me zonja dhe zonjusha të cilësive më të mira që ju përfaqësojnë ju. Pra, siç e shihni këto hapat të mëdha u ndërmorën pikërisht nga ajo mazhorancë dhe ajo parti politike, në të cilën ju jeni bashkëthemelues të saj dhe e mbështetët fuqishëm në të gjitha betejat e saj elektorale, por edhe qëndruat të pamposhtura në të gjitha vështirësitë e saj.
Unë erdha sot t’ju bëj një thirrje të angazhohemi me të gjithë potencialin tonë në këtë fushatë elektorale. Askush nuk mund të bëjë më shumë se sa ju për një fitore të thellë dhe të shkëlqyer. Vullnetarizmi juaj, fushata juaj dhe përkushtimi juaj janë vendimtare për fitoren e mazhorancës aktuale. Unë dua t’ju premtoj ju se katër vitet që vijnë do të jenë katër vitet e një emancipimi shumë më të madh shoqëror, e një roli shumë më të madh tuajin në të gjithë jetët e këtij vendi dhe të rritjes më të madhe të kontributit në zhvillimin e vendit.
Qeveria me programe selektive do të mbështesë veprimtaritë tuaja në të gjitha fushat. Dua ta nis me gratë më në nevojë, me ato të cilat për një arsye apo për një tjetër mbeten kryefamiljare. Unë i garantoj ato brenda këtij mandati që jemi, jo në mandatin tjetër, do të përcaktojmë kuadrin e ri ligjor për t’i mbështetur me punësim dhe në të gjithë nevojat e familjes dhe të fëmijëve të tyre, për t’i mbështetur ato në hapjen e biznesit. Janë ato që meritojnë ndershmërinë tonë më të madhe dhe nderimin tonë më të madh, sepse për shkak të rrethanave përballen me vështirësitë më të mëdha të kësaj jete. Por, nuk do të jetë vetëm ky grup, i cili brenda këtij mandati do të marrë përgjigjen e merituar për kushtet dhe vështirësitë me të cilat përballet. Vitet që vijnë do të jenë vitet e ridimensionimit të madh të rolit tuaj në fushën e biznesit. Kjo qeveri do të garantoj gratë biznesmene me kredi të buta dhe grante, në mënyrë që të bëjnë një histori suksesi me biznesin e tyre.
Qeveria ka hedhur bazat të shëndosha ligjore kundër dhunës në familje. Unë ju garantoj ju se katër vitet që vijnë do të jetë vite të tolerancës zero ndaj dhunës. Dinjitet i nënës, i gruas dhe i femrës shqiptare nuk mund të preket. Ne së bashku, katër vitet që vijnë do të arrimë të shohim një Shqipëri tjetër; një Shqipëri e cila do të ketë një infrastrukturë më moderne nga jugu në veri; një Shqipëria e cila do të mund të punësojë së paku 160 mijë qytetarë të saj; një Shqipëri e cila do të njoh revolucionin industrial më të fuqishëm të Ballkanit dhe më gjerë; një Shqipëri e cila do të njoh rritjen progresive të mirëqenies së qytetarëve të saj më shpejt se në çdo vend tjetër; një Shqipëri e cila do të njoh një konsolidim të arsimit të fëmijëve të saj dhe të shërbimeve shëndetësore, një Shqipëri tërësisht evropiane.
Edhe një herë përulem me nderim të madh përpara mbështetjes tuaj, para rolit dhe kontributit tuaj. Unë ju bëj thirrje që çdo orë dhe çdo ditë të punojmë së bashku për fitoren e 28 qershorit, fitores së thellë për rikthimin e 22 marsit të vitit ’92, lavdisë tonë elektorale.
Rroftë fitorja!”
28/05/2009