Kryeministri Sali Berisha diskuton mbarëvajtjen e procesit të pajisjes së shtetasve me letërnjoftim me përfaqësues të konsorciumit Aleat
Kryeministri Sali Berisha takoi sot drejtuesit e konsorciumit Aleat, që zbaton projektin e prodhimit dhe shpërndarjes së dokumenteve biometrike të identitetit në Shqipëri dhe diskutoi me ta në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të prodhimit dhe shpërndarjes së letërnjoftimeve elektronike.
Kryeministri Berisha falënderoi bashkëbiseduesit për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe punën e përgjegjshme e të suksesshme të kryer gjer më tani nga kompania konçensionare Aleat, në këtë proces të një rëndësie themelore për modernizimin e vendit dhe arritjen e standardeve më të larta në proceset integruese.
Në takim u ra dakord që, duke filluar nga data 30 maj e deri në fund të muajit qershor, kompania koncensionare të mos lejojë kryerjen e procedurave të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve për shtetasit që zotërojnë pasaportë për jashtë shtetit dhe të gjitha kapacitetet teknike të fokusohen në pajisjen me letërnjoftime elektronike vetëm të shtetasve qe nuk zotërojnë pasaportë. Gjithashtu, në procesin e shpërndarjes së letërnjoftimeve të prodhuara gjer më tani, prioritet t’i jepet kësaj kategorie shtetasish. Për të siguruar një zbatim efikas të këtij prioriteti, qeveria dhe kompania konçensionare do bëjnë thirrje publike për ndërgjegjësimin e publikut.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha theksoi se ky angazhim do të monitorohet me seriozitet maksimal dhe se nëpunësit e shërbimit të gjendjes civile që do të lejojnë pajisjen me letërnjoftim të personave që zotërojnë pasaportë, do të përballen me masa disiplinore.
Në takim u ra dakord edhe për optimizimin e mëtejshëm kapaciteteve për aplikim dhe shpërndarje të qendrave të aplikimit në funksion të nevojave të procesit. Me qëllim përshtatjen e procesit të aplikimit me nevojat e qytetarëve e për rrjedhojë rritjen e efikasitetit të këtij procesi, u ra dakord qe orari ditor i punës së qendrave të aplikimit të ndahet në dy periudha, në ndryshim nga orari unik i zbatuar gjer më tani.
Në fund të takimit, Kryeministri Berisha falënderoi përfaqësuesit e konsorciumit Aleat për angazhimin e tyre maksimal dhe shprehu bindjen e thellë në suksesin e këtij procesi.
28/05/2009