Kryeministri Berisha përuroi fillimin e ndërtimit të ujësjellësit të ri në fshatin Gjikel
Në vazhdim të vizitës në fshatrat e Bregut, Kryeministri Berisha u ndal në fshatin Gjilek, ku edhe përuroi fillimin e ndërtimit të sistemit të ri të furnizimit me ujë të kësaj zone. Ky projekt bashkëfinancohet nga Banka Botërore, Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare dhe bashkia Himarë, me vlerë 35 milionë lekë.
Kryeministri Berisha u shpreh se ky është një tjetër premtim i dhënë nga qeveria në vitin 2007 dhe që tani po bëhet realitet. Ndërtimi i ujësjellësit të ri në fshatin Gjilek, u shpreh Kryeministri, është në kuadër të projekteve dhe financimeve që po bën qeveria shqiptare dhe donatorë të tjerë, për zhvillimin e zones se Bregut. “Për zhvillimin e kësaj zone po zbatohen një numër i madh projektesh. Unë garantoj banorët e saj se këto janë vetëm seria e parë e projekteve, pasi ne jemi të vendosur të bëjmë çdo investim për infrastrukturën e fshatrave të kësaj zone dhe bregut në tërësi, për ta bërë atë të përshtatshme për banorët e saj dhe për turistët”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha përgëzoi kompaninë ndërtuese, si dhe kërkoi që punimet të përfundojnë brenda këtij viti.