Presidenti Sarkozy falënderon Kryeministrin Berisha për rolin e Tij aktiv në Samitin “Bashkimi për Mesdheun”
Kryeministri Berisha ka marrë një letër falënderimi nga Presidenti i Francez zoti Nikolas Sarkozy, për rolin e Tij aktiv në Samitin “Bashkimi për Mesdheun”.
“Zoti Kryeministër, pas Samitit të Parisit për Mesdheun, dëshiroj t’ju falënderoj personalisht për rolin tuaj aktiv në suksesin që pati ky takim. Ishte shumë e rëndësishme, që ky Samit t’i jepte një vrull të ri bashkëpunimit përreth Mesdheut. Në e arritëm këtë falë vullnetit politik të përbashkët për të nisur përpjekjet për ta transformuar Mesdheun në një rajon paqeje, demokracie, bashkëpunimi dhe prosperiteti, pavarësisht vështirësive dhe skepticizmave”, thuhet në letrën e Presidentit Sarkozy.
Më tej, Presidentit Sarkozy thekson se ky rezultat i jashtëzakonshëm sigurisht që nuk shënon një mbyllje, përkundrazi, ai shënon një premtim të ri, që i angazhon të gjithë.
“Na takon tani të punojmë mbi këto baza të rinovuara, për të realizuar projektet konkrete që u miratuan gjatë samitit, duke u bazuar ne sistemin e ri e të hapur të drejtimit të nismës, që për shume kohe ka qenë i ndërprerë. Ju mund të mbështeteni në vendosmërinë e Francës për të mbikëqyrur këto angazhime të reja, në cilësinë e saj si presidente e Këshillit të Bashkimit Evropian, dhe në atë të bashkë-presidentes së Procesit të Barcelonës: Një Bashkim për Mesdheun”, thuhet në letrën drejtuar Kryeministrit Berisha.
Presidenti Sarkozy vlerëson se është themelore që dinamika e krijuar gjatë samitit, të sjellë frytet e saj dhe që popujt tanë të mund të ndjejnë menjëherë rezultatet e para të vendimeve të marra në të.
“Unë e di që mund të mbështetem në angazhimin tuaj personal për t’i bërë jehonë përpjekjeve tona, në lartësinë e ambicies sonë të përbashkët”, shkruhet në letrën e Presidentit Sarkozy.