Kryeministri Berisha përuron unazën e re dhe tregun ushqimor në qytetin e Orikumit

Kryeministri Berisha përuroi sot fillimin e punimeve për unazën e re të qytetit të Orikumit, bashkëfinancim i Bankës Botërore, Bashkisë Orikum dhe qeverisë shqiptare me vlerë 1.1 milionë dollarë.
Kryeministri tha se në serinë e premtimeve të mbajtura është edhe kjo unazë e re e domosdoshme për qytetin e Orikumit, e cila ndërtohet nga fondet e donatorëve.
“Siç e shikoni ka një shtrirje të përpjekjeve financiare që ky qytet të bëhet një qytet perlë në gjirin mijëvjeçar të Orikumit i njohur në të gjitha kohërat”, tha Kryeministri.
Ne, vijoi më tej Kryeministri, dje miratuam detyrën e projektimit për Radhimën dhe Orikumin, dy nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar dhe sipas studimit të bërë nga kompania angleze ndërtimet në këto zona do të jenë në përputhje të plotë me planin e bregut jugor të Shqipërisë.
Më pas Kryeministri Berisha inauguroi tregun e ri ushqimor të qytetit të Orikumit, i cili përbën një mbështetje të madhe për fermerët dhe prodhuesit e kësaj zone që të tregtojnë prodhimet e tyre.
“Ne inaugurojmë sot një treg që u mundëson fermerëve dhe prodhuesve të kësaj zone të tregtojnë në një mënyrë të kulturuar”, tha Kryeministri Berisha pas prerjes së shiritit.
Kryeministri vlerësoi se ky treg është i domosdoshëm sepse furnizon qytetin e Orikumit veçanërisht gjatë verës me prodhime shumë cilësore, ndërsa shtoi se kjo zonë po bëhet gjithnjë e më e famshme për bregun, bukuritë natyrore dhe rregullin që u ofron turistëve. Ngritja e këtij tregu është një inçiativë e zhvillimit ekonomik lokal dhe e OXFAM. Më pas Kryeministri bashkëbisedoi me tregtarët dhe fermerët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë treg dhe u interesua për ecurinë e prodhimeve të tyre dhe aktivitetit të tyre të përditshëm. Nga ana e tyre tregtarët dhe prodhuesit falënderuan Kryeministrin Berisha për tregun e ri, i cili përbën një lehtësim të madh për ta në aktivitetin e tyre.