Kryeministri Berisha: Shqipëria me një rrjet rrugor modern europian, mbetet zotimi ynë
Kryeministri Berisha inauguroi sot përfundimin e punimeve në mbikalimin në Kthesën e Kamzës, investim i financuar nga një kredi e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me vlerë 7 milionë euro.
Është një kënaqësi e veçantë për mua , u tha Kryeministri të pranishmëve, t`ju përshëndes shumë përzemërsisht me rastin e inaugurimit të kësaj vepre që përbën kokën e autostradës Tiranë-Durrës.
Kryeministri theksoi se pavarësisht se kjo vepër e bën kryeqytetin e Shqipërisë me hyrjen e tij europiane, Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të saj.
Tirana sot e tutje, u shpreh Kryeministri, ka një hyrje moderne, ka një hyrje si çdo metropol i madh europian, por kjo vepër e cila përfundon sot është një lehtësim i madh i trafikut nga Durrësi, Fieri Vlora, Lushnja, Berati dhe mbarë Shqipëria e Jugut, është lehtësim i madh i gjithë trafikut nga mbarë Veriu i vendit pwr tw hyrw nw Tiranw.
“Faktikisht kjo është dhe nyja kryesore në të cilën kryqëzohen pothuajse të gjitha lëvizjet drejt kryeqytetit”, u shpreh Kryeministri.
Duke nënvizuar se ky është një tjetër premtim i mbajtur i qeverisë, Kryeministri shprehu angazhimin se zinxhiri i përurimeve do të mbyllet me ndërtimin e një rrjeti rrugor modern europian në Shqipëri.
“Ky është një premtim i mbajtur i qeverisë time. Në një hark kohor të shkurtër ne kemi inauguruar një seri veprash publike shumë të rëndësishme për jetën e qytetarëve shqiptarë, dhe ju siguroj se zinxhiri i inaugurimeve të kësaj qeverie do të mbyllet me ndërtimin e plotë në Shqipëri të një rrjeti rrrugor modern europian. Ky është premtimi ynë”, tha Kryeministri Berisha.
Kjo, vijoi më tej Kryeministri, është një vepër e bukur me 6 korsi, me rrugët anësore dhe me ngritjen e zbutur që bën këtu i nxjerr përpara udhëtarit, Tiranën deri në thellësinë e saj dhe e njeh menjëherë me qytetin. “Është një vepër e mrekullueshme”, tha Kryeministri duke përgëzuar kompaninë ndërtuese, kompaninë supervizore, inxhinerët dhe punëtorët, të cilët me përkushtim dhe cilësi i dorëzuan Tiranës dhe Shqipërisë këtë vepër të madhe.
Mbikalimi në Kthesën e Kamzës përbën portën kryesore për të hyrë në Tiranë. Punimet në këtë vepër publike përfshinë ndërtimin e një aksi kryesor me një gjatësi 1040 m, i ndarë në 6 korsi me 3.75 m secila, një rreth-rrotullim me gjatësi 700 m si dhe rrugë shërbimi me gjatësi 2 km.
Punimet për ndërtimin e mbikalimit janë kryer nga firma austriake Alpine Mayreder Bau, ndërsa supervizimi i i punimeve është kryer nga firma konsulente Italconsult.