Kryeministri Berisha pret ambasadorin turk ,z. Suphan Erkula me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Tiranë.

Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Turqisë në Shqipëri, z.Suphan Erkula me rastin e përfundimit të mandatit të tij në Tiranë.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësine e tij të veçantë, që të përshëndetet sot me Ambasadorin Erkula pas përfundimit me sukses të plotë të misionit të tij në Shqipëri, si një mik të vërtetë të Shqipërisë e shqiptarëve dhe një mik të tij personal.
Ambasadori i Turqisë në Tiranë, z.Suphan Erkula pasi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, u shpreh se largohet nga Shqipëria me përshtypjet më të mira për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy popujve, vendeve dhe qeverive, çka e ka ndierë në çdo çast të qëndrimit të tij në Tiranë, përmes atmosferës jashtëzakonisht miqësore dhe mikpritëse që diplomatët turq gjejnë te çdo qytetar shqiptar gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Në këtë kontekst ambasadori turk vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe në veçanti me Kryeministrin Berisha gjatë këtyre viteve, si rrjedhojë e të cilit investimet turke në Shqipëri u rritën nga 130 milionë dollarë në 2005, në 860 milionë dollarë në fund të këtij mandati. Ambasadori turk theksoi gjithashtu se njëkohësisht edhe eksportet shqiptare kanë njohur një rritje të konsiderueshme duke shënuar këtë vit rekorde rritjeje prej rreth 35%.
Duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, ambasadori turk theksoi se nën udhëheqjen e Kryeministrit Berisha , Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm, përsa i përket zhvillimit e modernizimit të mëtejshëm dhe integrimit euroatlantik.
Në veçanti ambasadori turk vlerësoi arritjet e mëdha të qeverisë shqiptare në ndërtimin e veprave moderne infrastrukturore në të gjithë vendin, si rruga Durrës-Kukës-Morinë.
Performanca e qeverisë shqiptare gjatë këtyre viteve ka qenë impresionuese, u shpreh ambasadori Erkula duke i uruar Kryeministrit Berisha sukses të plotë në përpjekjet e qeverisë shqiptare për përparimin e mëtejshëm të vendit dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Ambasadori turk u shpreh gjithashtu se edhe pas përfundimit të misionit diplomatik në Tiranë, do të vazhdojë të jetë një mik i vërtetë, mbështetës dhe promovues i Shqipërisë e shqiptarëve, kudo qe ai do të ndodhet në detyrat e ardhshme.
Në vijim, të dy personalitetet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që eksistojnë midis dy vendeve dhe qeverive, të cilat bazohen në miqësinë tradicionale, lidhjet e ngushta historike midis popullit shqiptar dhe atij turk, të cilat janë intensifikuar e thelluar edhe më tej përmes bashkëpunimit të shkëlqyer, të ndërtuar mes qeverisë shqiptare dhe asaj turke, në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha vlerësoi në këtë kontekst kontributin e ambasadorit tuk, z..Suphan Erkula për intensifikimin e këtij bashkëpunimi gjatë katër viteve të fundit, çka dëshmohet qartë edhe nga treguesit e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare midis dy vendeve, të cilat kanë arritur nivele të papara ndonjëherë më parë. Të dy palët ritheksuan angazhimin e qeverive të të dy vendeve për ta thelluar edhe zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat dhe për të konsoliduar në të ardhmen edhe më tej lidhjet e ngushta e miqësinë ndërmjet të dy vendeve e popujve.
Pas takimit Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të ambasadorit turk, ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik, të akredituar në Tiranë. Dreka u zhvillua në një atmosferë shumë të ngrohtë e miqësore.
11/08/2009