E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Mark Mishelsen

Kryeministri Sali Berisha priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, rezident në Sofje të Bullgarisë, Mark Mishelsen, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tone. Në takim ishte i pranishëm edhe Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadori Helmut Lohan. Qëllimi i vizitës së ambasadorit ishte prezantimi i përparësive të qeverisë belge në çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit për periudhën gjatë së cilës Belgjika ka Presidencën e Bashkimit Evropian. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen ambasadorit belg dhe e falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në veçanti për integrimin në Bashkimin Evropian. Nga ana e tij ambasadori falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i paraqiti një ekspoze mbi prioritetet e Presidencës belge të BE, në të cilat veçoi bashkëpunimin në fusha të rëndësishme dhe prioritare, që kanë të bëjnë me situatën ekonomike, përballimin dhe tejkalimin e pasojave të shkaktuara nga kriza globale, politika që do të ndjekë Presidenca belge në dimensionin social për varfërinë dhe papunësinë, politikat në fushën e ekologjisë dhe mbrojtjen e mjedisit, në luftën kundër krimit dhe rreziqeve të tjera dhe ndër prioritetet më të rëndësishme ishte vazhdimi i zgjerimit të BE, në veçanti me vendet e Evropës Juglindore. Në këtë pikë Ambasadori Mishelsen vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë periudhë, i konfirmoi kryeministrit angazhimin e qeverise belge për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjen e saj për integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ambasadori e siguroi Kryeministrin Berisha edhe për angazhimin e Presidencës së Bashkimit Evropian për vijimin me ritme të shpejta të zgjerimit të BE në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore sipas specifikave të çdo vendi.

Nga ana e tij Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin belg për këtë mbështetje dhe shprehu bindjen se Presidenca e radhës belge, do të jetë një presidencë e suksesshme në realizimin e prioriteteve dhe objektivave që kanë si përparësi, përsa i përket projektit madhor të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Berisha i rikonfirmoi ambasadorit vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të realizuar çdo reformë lidhur me këtë projekt dhe me proceset e tij, siç është ai i liberalizimit të vizave, në mënyrë që Shqipëria të përparojë dhe të ecë sa më shpejt në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin në familjen evropiane.

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare e konsideron këtë si një proces të bazuar mbi performancën individuale si platforma më e mirë për standardet dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptare. Gjithashtu kryeministri Berisha i bëri një ekspoze ambasadorit për arritjet e qeverisë shqiptare në shumë fusha si lufta kundër krimit e korrupsionit, realizimin e veprave madhore në fushën e infrastrukturës, reformat e mëdha në fushën ekonomike dhe atë fiskale, Shqipëria në moshën dixhitale etj. Këto reforma janë vlerësuar gjerësisht nga Komisioni Evropian dhe nga çmimi i dytë që ju dha Shqipërisë për prokurimet publike

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i përcjellë kryeministri belg, mik të shqiptarëve, përshëndetjet më të përzemërta dhe falënderoi përparësinë që Presidenca belge ka parashikuar për integrimin e Shqipërisë në BE.


12/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›