E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Mark Mishelsen.

12 korrik 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri, rezident në Sofje të Bullgarisë, Mark Mishelsen, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë, me qëllim prezantimin e përparësive të qeverisë belge në çështjet e politikës së jashtme dhe të integrimit për periudhën gjatë së cilës Belgjika ka Presidencën e Bashkimit Evropian. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori Helmut Lohan, Kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë.

Gjatë bisedës, Presidenti Topi, pasi bëri një panoramë shumë realiste të situatës politike në vend, rikonfirmoi se integrimi në Bashkimin Evropian i Shqipërisë është përparësi kryesor e politikës së jashtme shqiptare dhe vuri në dukje përkushtimin maksimal të shtetit, institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë në përmbushjen e kritereve të kërkuara për realizimin e kësaj aspirate. “Ne kemi një shtysë të fortë për transformimin e vendit nëpërmjet kryerjes së reformave rrënjësore dhe zbatimit me sukses të tyre”, - u shpreh Presidenti dhe theksoi se “shpresojmë fort që Shqipëria sa më shpejt të marrë statusin e vendit kandidat, si dhe të përmbyllë me sukses procesin e liberalizimit të vizave”. Në të njëjtën kohë, Kryetari i Shtetit e njohu Ambasadorin belg me ecurinë dhe përparimin e bërë nga Shqipëria për plotësimin e detyrimeve integruese duke e siguruar edhe për përkushtimin e tij maksimal institucional dhe personal në këtë drejtim.

Në vijim, Presidenti i Republikës vlerësoi lart angazhimin e Parlamentit Evropian, i cili aprovoi dy rezolutat për Shqipërinë dhe për Kosovën, si orientuese për suksesin e proceseve të tyre integruese. Edhe në këtë takim, Kryetari i Shtetit shprehu qëndrimin se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE u shërben jo vetëm popujve të këtyre vendeve, por edhe misionit të BE-së për konsolidimin e paqes, demokracisë dhe begatisë në Evropë. “Shqipëria me rolin e politikën e saj moderuese në rajon, i cili padyshim ka ndryshuar, jep sigurisht garanci për qëndrueshmërinë e si rrjedhojë zhvillimin e tij, duke konsoliduar kështu një peshë të padiskutueshme në Ballkanin Perëndimor”, - u shpreh Presidenti Topi.

Nga ana e tij, Ambasadori belg, Mark Mishelsen falënderoi Presidentin Topi për takimin dhe bisedën e ngrohtë e të drejtpërdrejtë, duke vlerësuar së tepërmi përshkrimin realist të Kreut të shtetit për sfidat dhe vështirësitë që vendi ynë, politika shqiptare dhe institucionet tona duhen të kapërcejnë në mënyrë që në të ardhmen e afërt të integrohen edhe zyrtarisht në gjirin e familjes së madhe evropiane. Ambasadori Mishelsen i paraqiti Presidentit Topi pesë përparësitë kryesore të Presidencës së radhës belge të Bashkimit Evropian duke i vënë rëndësi dimensioneve të zgjerimit, të rritjes ekonomike, të mirëqenies shoqërore, mbrojtjes së mjedisit dhe konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe zgjidhjes së konflikteve të brendshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›