Kryeministri Berisha uron Kryeministrin belg z. Yves Leterme për marrjen e Presidencës së radhës së Bashkimit Evropian
Kryeministri Berisha i ka dërguar një letër urimi Kryeministrit të Belgjikës z. Yves Leterme, me rastin e marrjes nga ana e Belgjikës së Presidencës së radhës së Bashkimit Europian.
Në këtë letër thuhet:
“I dashur Kryeministër Leterme,
Kam kënaqësinë e veçantë, që, me rastin e marrjes nga ana e Belgjikës së Presidencës së radhës së Bashkimit Europian, t’Ju dërgoj, në emrin tim e të qeverisë shqiptare, përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për një Presidencë të suksesshme në realizimin e objektivave të rëndësishme përpara Jush.
Me kënaqësi kam konstatuar se krahas përparësive të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik e social të BE-së dhe për kapërcimin e situatës së krijuar nga kriza financiare globale, përmes konsolidimit të institucioneve e rritjes së punësimit e të prosperitetit të qytetarëve europianë, Presidenca Belge vijon të mbështesë procesin e zgjerimit të unionit dhe përafrimin e mëtejshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështet idenë e promovimit të infrastrukturave ndërkufitare. Duke marrë në konsideratë rëndësinë madhore që këto dy çështje kanë për Shqipërinë dhe shqiptarët më lejoni, që, në emër të tyre, t’Ju shpreh mirënjohjen time më të thellë e atë të qeverisë shqiptare duke Ju siguruar, njëkohësisht, për qëndrimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për progres në rrugën e integrimit, bazuar tërësisht në meritën individuale, si platforma më e mirë për zhvillimin dhe për konsolidimin e vendit e të institucioneve të tij demokratike.
Siç jeni në dijeni, Shqipëria ka bërë përpjekje e progres të vazhdueshëm në reformat e lidhura me integrimin europian, të cilat muajin e shkuar u evidentuan dhe u vlerësuan qartësisht si në Deklaratën e Sarajevës ashtu edhe nga Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë, i Parlamentit Europian. Sot vendi im ndodhet përpara ngjarjeve të mëdha në marrëdhëniet e tij me Bashkimin Europian, si vendimi për liberalizimin e vizave e shqyrtimi i kërkesës për anëtarësim dhe, eventualisht, marrja e statusit të vendit kandidat. Duke Ju falënderuar për mbështetjen e çmuar e të jashtëzakonshme që Ju personalisht dhe vendi Juaj i keni dhënë në të dyja këto projekte Shqipërisë, mbetemi me bindjen e thellë se Presidenca Belge dhe vendi Juaj mik do të vazhdojnë t’i mbështesin Shqipërinë e shqiptarët për realizimin sa më të shpejtë të tyre.
Duke Ju uruar edhe një herë për sukses të plotë në përparësitë e Presidencës Belge të BE-së dhe duke shpresuar t’Ju pres së shpejti në Tiranë, si mik i madh dhe i shquar i shqiptarëve e si mik i imi personal, gjej rastin t’Ju ripohoj sigurimet e konsideratës sime më të lartë.
Juaji
Sali BERISHA”
12/07/2010