E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm në ceremoninë e marrjes së çmimit për Prokurimin publik elektronik

- U bëj thirrje të gjitha agjencive të vendit të frymëzohen nga ky shembull i shkëlqyer i Agjencisë së Prokurimeve Publike, në mënyrë që të realizojnë me shpejtësi Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë transparente

Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e marrjes së çmimit që Organizata e Kombeve të Bashkuara, Departamenti për çështjet Ekonomike dhe Sociale (UNDESA), i ka akorduar Agjencisë së Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë, në kategorinë: Përmirësimi i transparencës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në Shërbimin Publik.

Pas përshëndetjeve të rastit, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri znj. Gülden Türköz-Cosslet i dorëzoi çmimin Kryeministrit Berisha.

Më poshtë vijon e plotë fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha:

“Zoti ministër Pollo,

Zotërinj ministra,

Ambasador Withers,

Ambasador Bosch,

E nderuar zonja Gülden Türköz-Cosslet,

Zoti Williams,

Të nderuar të pranishëm,

Sot ne jemi mbledhur këtu në një ceremoni të veçantë, një çmim që Organizata e Kombeve të Bashkuara, organizata kryesore ndërkombëtare, i jep administratës shqiptare. Kjo përbën një nder shumë të madh për punonjësit e kësaj administrate, për përpjekjet e saj për tu shërbyer qytetarëve shqiptarë me standardet më të mira. Me këtë rast, unë dua t’i shpreh mirënjohjen time më të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sfidës së Mijëvjeçarit dhe USAID-it, të cilët janë në origjinën e këtij procesi që bëri të mundur marrjen e këtij çmimi.

çmimi që i jepet Shqipërisë sot për shërbimet publike është një inkurajim shumë i madh, siç thotë edhe vetë motivacioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të gjithë sektorët e tjerë të administratës, në mënyrë që me përpjekje të mëdha të rrisim përgjegjshmërinë, transparencën, në shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë. Por unë dua t’i bëj një falënderim të veçantë znj. Klodiana Cankja, drejtoreshë e APP-së, ekipit të saj dhe të gjithë atyre djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të autoriteteve kontraktuese në mbarë vendin, që e bënë këtë proces një histori të vërtetë suksesi.

çështja e prokurimeve publike është një nga veprimtaritë madhore të çdo administrate dhe mund t’u them se në vitin 2005 rekordi i Shqipërisë, që sot merr çmimin e dytë në botë, ishte ndër më negativët. Dy ishin problemet më madhore: së pari mbi 75 përqind e tyre ishin direkt apo me negocim, çka do të thotë se paratë shkonin aty ku paracaktohej dhe jo aty ku duhej, dhe së dyti, në mënyrën më absurde, autoritetet kontraktuese nuk u jepnin kompanive dokumentet e tenderëve. Kjo ishte tmerrësisht revoltuese. Në hapin tonë të parë ne ndaluam çdo prokurim direkt dhe krijuam portalin nga i cili u bë i mundur shkarkimi i materialeve dhe zhdukëm mundësinë e mosdorëzimit të materialeve kompanive të interesuara. Shqipëria kishte fituar pragun e Sfidës së Mijëvjeçarit me rreth 15 milionë dollarë. Së bashku me përfaqësuesit e qeverisë amerikane, të USAID-it, ne përcaktuam destinimin e këtij fondi, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në transparencë dhe luftën kundër korrupsionit. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit pranoi plotësisht kërkesat tona dhe ngarkoi USAID-in për zbatimin e këtyre projekteve, të cilat do ishin: e-procurement, e-tax, e-business. Që të tria këto me qëllimin madhor për të krijuar një klimë biznesi sa më të përshtatshme dhe sa më transparente.

Këto tre projekte, me një përkushtim të madh të kompanive të kontraktuara nga USAID-i dhe qeveria shqiptare, të punonjësve të administratës shqiptare, u zbatuan me korrektesë në një kohë rekord. Efektet e para qenë shumë inkurajuese. Ndaj dhe ne si qeveri vendosëm t’i thellojmë këto dhe të kalojmë në 100 përqind prokurime elektronike. Ne vendosëm që nga ‘one stop shop’ për regjistrimin e biznesit të kalojmë në “one stop shop” për lejet dhe licencat. Ne vendosëm të shtrijmë taksën on-line në mbarë vendin. Sërish, edhe në këtë proces, ne patëm mbështetjen e USAID-it, GTZ- së dhe partnerëve të tjerë.

Unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj ju se javën e kaluar një raport i Bankës Botërore dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare vlerëson Shqipërinë për sa i përket fillimit të biznesit 27 pikë mbi mesataren e vendeve të OECD-së; vlerëson Shqipërinë për sa i përket investimet në të gjithë sektorët 3 – 4 pikë mbi mesataren e vendeve të OECD-së dhe vendeve të rajonit. U ndala në këto të dhëna për të faktuar se zbatimi me seriozitet i reformave jep rezultate në mënyrë të pashmangshme. Theksova këto 3 momente pasi e vërteta është se dy prej tyre janë fund e krye të lidhura me transparencën dhe instalimin e procedurave dixhitale, por edhe i treti pa këto s’do të mund të ishte. Se çfarë domosdoshmërie përbën për administratën shqiptare aplikimi i këtyre procedurave në çdo sektor të veprimtarisë së saj. Ne ndjehemi shumë mirë që kemi marrë këtë çmim sot dhe e kemi marrë në saj të prokurimeve publike, por do të ndjeheshim shumë të lehtësuar në rast se edhe regjistrin e pronës do ta kishim sot dixhital dhe ende nuk e kemi; do të ndjeheshim shumë të lehtësuar në rast se të gjitha shërbimet do t’i kishim në një sportel të vetëm, qoftë për Tiranë, Vithkuqin, Dukagjinin apo çdo zonë të vendit. Dhe, unë ju them se kjo është në dorën tonë, kërkon përkushtimin tonë. Atë përkushtim që dëshmuan punonjësit e Agjencisë së Prokurimeve Publike, atë përkushtim që dëshmuan punonjësit e Qendrës së Regjistrimit të Biznesit, atë duhet ta dëshmojnë të gjithë punonjësit e administratës sonë, e cila me këto arritje dëshmon se shkallët e transparencës nuk janë të lehta për tu ngjitur, por mund të ngjiten; se qeveria e mirë mund të përmirësohet gjithnjë; se partnerët tanë janë të gatshëm të na asistojnë dhe të na ndihmojnë. Por këtu kushti kryesor është vullneti ynë, përkushtimi ynë, të cilin ne duhet ta dëshmojmë me vendosmëri, me agresivitet.

Unë dua të falënderoj me shumë mirënjohje PNUD-in dhe zonjën Gülden Türköz-Cosslet, e cila po vjen dhe në fundin e mandatit të saj. Por dua t’i znj. Türköz-Cosslet them se për ne ka qenë një partnere e shkëlqyer, se plani që miratuam së bashku 4 vite më parë në fushën e ICT-së në shkolla dhe fusha të tjera, ka bërë që Shqipëria të ndryshojë. Ai ishte projekti më i gjerë në këtë fushë, projekt, i cili ka një impakt më masiv, por të shumta janë dhe projektet e tjera që ne kemi zbatuar me sukses me Agjencinë e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, të cilën zonja Gülden Türköz-Cosslet e udhëhoqi me kaq përgjegjësi dhe kompetencë gjatë këtyre viteve.

Do ta mbyll këtë fjalë duke i bërë thirrje edhe një herë Agjencisë së Prokurimeve Publike që së shpejti të kalojë në blerjet e vogla dhe ankandet elektronike. Sado të vështira të na duken, transparenca është gjithnjë e dobishme. U bëj thirrje të gjitha agjencive të vendit të frymëzohen nga ky shembull i shkëlqyer i Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe agjencive të tjera, në mënyrë që të realizojnë me shpejtësi Shqipërinë dixhitale, Shqipërinë transparente.

Faleminderit shumë!”


12/07/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›