Kryeministri Berisha pret Ambasadorin e Republikës së Afrikës së Jugut, rezident në Romë, z. Lenin M. Shope
Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Afrikës së Jugut, rezident në Romë, z. Lenin M. Shope, me rastin e përfundimit të misionit të tij diplomatik në Shqipëri.
Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe i uroi suksese në detyrat e mëtejshme. Kryeministri Berisha shprehu dëshirën dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në nxitjen e investimeve të Afrikës së Jugut në Shqipëri.
Ambasadori i Republikës së Afrikës së Jugut, zoti Lenin M.Shope, vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në vitet e fundit dhe ndryshimet e mëdha që po bëhen në vend, si rezultat i reformave të suksesshme. Edhe ambasadori Shope shprehu vullnetin e qeverisë së Afrikës së Jugut për të forcuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri Berisha i kërkoi Ambasadorit që Afrika e Jugut të konsiderojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, si kushti themelor për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit. Shqiptarët e Kosovës, theksoi Kryeministri, janë rast i ngjashëm me historinë e Afrikës së Jugut, pasi ata përjetuan genocidin më të egër gjatë gjithë shekullit të kaluar, nga dhuna serbe.
27/11/2008