Kryeministri Berisha takon përfaqësues të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës
Kryeministri Berisha priti sot në takim një delegacion të Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga zoti Sabri Hamiti. Duke iu uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që priste në takim një delegacion të parlamentit të Kosovës së pavarur.
Zoti Sabri Hamiti e falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen e përzemërt, si dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që Kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare i kanë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e rëndësishme historike.
Zoti Hamiti e njohu Kryeministrin Berisha me ecurinë e veprimtarisë së Parlamentit të Kosovës, duke theksuar faktin se mes forcave të ndryshme politike ka bashkëpunim dhe mirëkuptim në marrjen e vendimeve më të rëndësishme për vendin.
Duke u ndalur në zhvillimet më të fundit, për sa i përket planit të OKB, Kryeministri Berisha nënvizoi se qeveria shqiptare po ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet. Ai theksoi domosdoshmërinë e unitetit të liderëve kosovare për çështje të tilla të rëndësishme, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA dhe BE. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u shpreh se një rëndësi të veçantë ka shtrirja e misionit të EULEX në të gjithë territorin e Kosovës, si një zhvillim tërësisht pozitiv që i shërben paqes dhe stabilitetit.
Më tej, Kryeministri Berisha i njohu bashkëbiseduesit me ecurinë e reformave të gjithanshme në Shqipëri, si dhe me përpjekjet e saj për të konsoliduar me sukses proceset integruese në NATO dhe BE. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të jetë gjithnjë e pranishme me mbështetjen dhe përkrahjen që do tu ofrojë institucioneve të Kosovës, në rrugën e tyre drejt forcimit dhe konsolidimit të mëtejshëm.
27/11/2008