E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl nxisin intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Turqisë.

26 nëntor 2008
Ankara, Turqi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni zyrtar nisi vizitën zyrtare dyditore në Turqi i ftuar nga Presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl. Pas vizitës në Mazoleumin e Ataturkut dhe vendosjes së kurorës në varrin e themeluesit të shtetit turk, Presidenti Topi ka nënshkruar Librin e Nderit të Mazoleumit.

Më tej Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron, u prit me një ceremoni solemne nga Presidenti i Turqisë, Abullah Gyl në Pallatin Presidencial, gjatë së cilës u ekzekutuan himnet kombëtare dhe u paraqit forca nga truproja e nderit, të pasuara nga prezantimi i delegacioneve zyrtare respektive.

Në takimin e zhvilluar në vijim mes dy Presidentëve dhe delegacioneve zyrtare të kryesuara prej tyre, u vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Turqisë në të gjitha fushat, marrëdhënie të cilat burojnë nga miqësia dhe lidhjet tradicionale, historike, kulturore midis dy popujve tanë. Presidenti Topi dhe Presidenti turk Gyl shprehën interesimin e përbashkët të shteteve respektive në zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së mëtejshme dhe cilësore të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në dukje faktin se Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik, ekonomik e tregtar për Shqipërinë, duke iu referuar për këtë dhe treguesve të investimeve, apo dhe totalit të shkëmbimeve tregtare. “Ne inkurajojmë e nxisim më tej numrin e madh të kompanive turke që operojnë me sukses në Shqipëri, për të rritur më tej investimet e tyre në vendin tonë, si dhe bizneset prestigjioze turke dhe përfaqësuesit e tyre, për të investuar në sektorë të ndryshëm dhe të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomisë sonë, si sistemi bankar, infrastruktura, energjitika, hidrokarburet, turizmi, etj.”, - u shpreh Presidenti Topi.

Gjatë bashkëbisedimit të zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, Presidenti i Republikës bëri një pasqyrë të gjerë të zhvillimeve dhe arritjeve në vendin tonë në drejtim të realizimit të reformës kushtetuese, asaj zgjedhore, si dhe të reformave në drejtësi, ekonomi, etj. Presidenti vuri në dukje rëndësinë që kanë për Shqipërinë këto reforma, jo vetëm në ecurinë dhe zhvillimin pozitiv të vendit, por kryesisht në procesin e realizimit të aspiratës madhore të shqiptarëve, atë të integrimit në familjen euroatlantike.

Temë e bisedës mes dy Presidentëve ishte dhe situata në rajonin e Ballkanit. Presidenti Topi ritheksoi bindjen se Kosova e pavarur është tashmë një realitet i ri dhe i pakthyeshëm në rajonin ballkanik dhe se njohja e saj ndërkombëtare është e pandalshme. Presidenti Topi nënivzoi përpjekjet e faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim dhe vuri në dukje se Shqipëria i përmbahet qëndrimit sipas të cilit, pas 17 shkurtit të këtij viti kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, jo vetëm vendosja e EULEX-it, por edhe çdo proces tjetër atje duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara, në zbatim të Planit Ahtisari.

Presidenti Gyl vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan për ruajtjen dhe forcimin e qetësisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin tonë duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për arritjen e aspiratave integruese të mbarë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kreu i shtetit turk shprehu edhe një herë dhe siguroi për mbështetjen e palëkundur dhe të fuqishme të Turqisë për vendin tonë në arritjen e objektivit të tij më të afërt, atë të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO si dhe vuri në pah besimin në rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona në të gjitha fushat.

Presidenti Topi e ftoi homologun e tij turk për një vizitë zyrtare pranverën e ardhshme në Shqipëri, ftesë e cila u prit dhe u pranua me mjaft kënaqësi nga Presidenti Gyl.

Pas përfundimit të bisedimeve dypalëshe, të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp ku deklaruan para mediave të pranishme temat më të rëndësishme të diskutuara gjatë takimit dhe nënvizuan faktin që për të gjitha çështjet e diskutuara, dy krerët e shteteve ndanin pothuajse të njëjtat pikëpamje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›