E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike z. Yukiya Amano

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) z. Yukiya Amano.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Amano për vizitën dhe i shprehu atij keqardhje të thellë për popullin dhe qeverinë e Japonisë, për humbjen tragjike të jetës njerëzore që rezultoi nga tërmeti dhe cunami i muajit mars 2011. Kryeministri Berisha vlerësoi mënyrën me të cilën populli japonez është ballafaquar dhe përpjekjet e mëdha që po bëhen për ta rikthyer situatën nën kontroll  e për të  minimizuar dëmet e shkaktuara nga aksidenti bërthamor në Fukushima. Kryeministri Berisha vlerësoi, gjithashtu, si shumë të çmuar ndihmën që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe vetë zoti Amano po japin për të kapërcyer këtë situatë.

Kryeministri u ndal në bashkëpunimin e frytshëm që qeveria shqiptare ka pasur me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ndër të cilët kontributin e saj në fushën e mjekësisë. “Falë ndihmesës së Agjencisë, - tha Kryeministri, - është bërë i mundur trajnimi i një numri të konsiderueshëm personeli mjekësor, pajisja me aparatura për trajtim më cilësor me radioterapi të pacientëve me kancer, pajisja me gammakamera multifunksionale, furnizimi me radioizotope e kite dhe funksionimin e shërbimit të mjekësisë bërthamore në QSUT”.

Kryeministri theksoi se lufta kundër kancerit është ndër prioritetet kryesore në fushën e shëndetit. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partner i denjë në projektin PACT (Programme of Action for Cancer Therapy iniciuar nga ANEA). “Është miratuar strategjia Kombëtare për Kontrollin e Kancerit me një plan veprimesh 10 vjeçar dhe Departamenti i Onkologjisë në QSUT-ë do të kalojë si Instituti Kombëtar i Kancerit”, tha Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare vlerëson dhe kërkon të ketë në vijimësi kontributin e Agjencisë dhe ndihmën e specializuar të saj në luftën kundër kancerit. “Qeveria është plotësisht e angazhuar për forcimin e aktiviteteve të kontrollit të kancerit në vend, shtrirjen e mjekësisë nukleare në shumë fusha të tjera që do ndihmojë në diagnozë dhe trajtimin  e pacientëve, futjen e teknikave, aparatura dhe metodave të reja diagnostike e trajtuese, trajnime të mëtejshme për përmirësimin e cilësisë së ekzaminimeve e trajtimeve, si dhe implementimin e kontrollit të sigurisë së personelit dhe pacientëve”, theksoi Kryeministri Berisha.

Nga ana e tij, zoti Amano u shpreh se është shumë i kënaqur me bashkëpunimin me Shqipërinë në zbatimin e projekteve në fushën e shëndetësisë. Ai theksoi se duke e konsideruar kancerin si një problem global, diagnoza e hershme dhe trajtimi adekuat i kancerit është një ndër prioritetet kryesore të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në bashkëpunim dhe me Organizatën Botërore të Shëndetit. Zoti Yukiya Amano u shpreh i gatshëm për të thelluar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe ndihmën konkrete në fushën e shëndetësisë. Ai tha se Shqipëria është një ndër vendet flamur të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në thithjen dhe implementimin e projekteve, prandaj do të promovohet nga kjo Agjenci për të shfrytëzuar një fond të ri të UN për përdorimin e medikamenteve nukleare dhe trajtimin me substanca të tilla.

Duke u ndalur në fushën e energjisë, Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Amano dhe Agjencinë për kontributin e dhënë ndaj Shqipërisë, në hapat e ndërmarra për hyrjen e saj në grupin e vendeve që mund të përdorin energji nukleare. Kryeministri theksoi se për të dhe qeverinë e tij deri përpara fatkeqësisë së cunamit në Fukushima, në Japoni, përdorimi i energjisë nukleare ishte një prioritet, duke konsideruar faktin që ajo ishte energji e gjelbër. “Për momentin, -  theksoi Kryeministri, -  Shqipëria do të vazhdojë përgatitjen për të mundësuar në potencë përdorimin e kësaj energjie, duke vazhduar hapat procedurale të nevojshme dhe duke nënshkruar të gjitha marrëveshjet me Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, të domosdoshme për këtë qëllim”. Kryeministri Berisha tha se fatkeqësia që goditi Japoninë me tërmetin dhe cunamin bëri që bota të nxjerrë përsëri mësime në lidhje me sigurinë e centraleve bërthamorë. “Teknologjia që përparon më shpejtësi shumë të madhe, - vijoi më tej Kryeministri, - me siguri do të rikuperojë dhe rrezikun e cunamit në centralet bërthamore”.

Kryeministri Berisha vlerësoi se mënyra se si Japonia menaxhoi këtë fatkeqësi biblike është një shembull i shkëlqyer për të gjitha vendet.


14/07/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›