Kryeministri Berisha pret Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë z. Slavtcho Neykov

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë z. Slavtcho Neykov. Pasi e falënderoi për mikpritjen, zoti Slavtcho Neykov e përgëzoi Kryeministrin Berisha për rezultatet e shkëlqyera në sektorin e energjisë dhe veçanërisht për promovimin e projekteve për energji të rinovueshme. Ai përgëzoi, gjithashtu, Kryeministrin Berisha për punën e bërë në drejtim të kuadrit ligjor, i cili mbështet dhe nxit projektet e energjisë së rinovueshme.
Zoti Slavtcho Neykov vlerësoi se bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Komunitetin e Energjisë në lidhje me përgatitjet e ligjit për energjinë e rinovueshme ka qenë shumë i suksesshëm dhe do të vazhdojë më tej për të pasqyruar dhe eficencën e energjisë. Ai i tha Kryeministrit Berisha se duke qenë se Shqipëria është një vend i dalluar për progresin që ka bërë në lidhje me përdorimin e energjisë të rinovueshme, Komuniteti i Energjisë do të organizojë një ditë të veçantë për Shqipërinë për t’i promovuar rezultatet e saj dhe për të nxitur investitorët të financojnë projektet në këtë fushë.
Kryeministri Berisha e falënderoi Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë z. Slavtcho Neykov për mbështetjen dhe ndihmën e dhënë në fushën e energjisë, sidomos në përgatitjen e legjislacionit përkatës. Kryeministri theksoi se për të dhe qeverinë e tij zhvillimi i sektorit të energjisë ka qenë dhe është absolutisht një prioritet, i cili do të vazhdojë të zgjerojë gamën e projekteve dhe reformave që nxisin zhvillimin e shpejtë të tij.
Ambicia e qeverisë, tha Kryeministri, vazhdon të mbetet kthimi i Shqipërisë në një qendër energjetike eksportuese në rajon dhe Evropë. Krahas reformave në fushën ligjore dhe fiskale, u shpreh Kryeministri, qeveria vazhdon të ndërmarrë reforma të tjera rregullatore, të cilat do të nxisin projektet për eficencën e energjisë.
Kryeministri Berisha theksoi se bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me Komitetin e Energjisë është i rëndësishëm për vendin, ndaj ai dhe qeveria do të vazhdojnë ta thellojnë edhe më tej këtë bashkëpunim.
14/07/2011