Kryeministri Berisha pret Kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, zotin Cemil Çiçek

Kryeministri Berisha priti sot pasdite në një takim Kryetarin e Asamblesë se Madhe Kombëtare të Turqisë, zotin Cemil Çiçek dhe delegacionin e parlamentarëve turq që e shoqëronte.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryeparlamentarit Çiçek në Shqipëri, duke theksuar se kjo vizitë është një kontribut i mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore e vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve e kombeve. Kryeministri Berisha theksoi vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për ti thelluar dhe konsoliduar gjithnjë e më shumë këto marrëdhënie.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha vlerësoi me mirënjohje rolin dhe kontributin e rëndësishëm të parlamentit turk në dobi të konsolidimit të këtyre marrëdhënieve dhe zgjerimit me hapësira të reja të bashkëpunimit të suksesshëm mes dy vendeve e qeverive. Kryeministri tha se në të gjithë këto vite miqësie mes vendeve, Asambleja e Madhe Kombëtare e Turqisë ka votuar dhe ka marrë vendimet më miqësore dhe mbështetëse për shqiptarët.
Nga ana e tij, zoti Çiçek, duke falënderuar për mikpritjen, shprehu kënaqësinë që kjo vizitë e tij zhvillohej në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ai pohoi marrëdhëniet e ngushta tradicionale të miqësisë mes Shqipërisë dhe Turqisë, me rrënjë të thella në histori, si dhe shprehu vullnetin dhe angazhimin për ti forcuar e zgjeruar ato në të ardhmen. Zoti Çicek vlerësoi kontributin e veçantë të kryeministrit Berisha, për konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.
Zoti Cicek u shpreh se Shqipëria ka bërë ndryshime rrënjësore, që nga vizita e tij e parë në vendin tonë, duke vlerësuar rolin e kryeministrit Berisha në zhvillimin e vendit.
Kryeministri Berisha u shpreh se mbështetja dhe ndihma e Turqisë ka qenë e një rëndësie themelore në ndryshimet dhe zhvillimin e vendit. Kryeministri Berisha falënderoi zotin Cicek për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë në fusha të tilla si arsim, shëndetësi, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Më tej, në takim u diskutua lidhur me mundësitë e reja për bashkëpunim në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe shkëmbimeve tregtare, në dobi të interesit më të mirë të qytetarëve të dy vendeve. Duke u ndalur veçanërisht tek investimet turke në Shqipëri, ata shprehën kënaqësinë që klima miqësore dhe vullneti i përbashkët ka bërë që ato të rriten me 9 herë, si dhe rikonfirmuan vullnetin për nxitjen dhe zhvillimin e tyre, si një e mirë e përbashkët për të dy vendet. Zoti Cicek vlerësoi në këtë kontekst, Forumin e biznesit shqiptaro-turk të zhvilluar në Turqi, gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha, duke shprehur bindjen se frytet e tij do të shihen së shpejti.
Ndër të tjera, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Turqisë në drejtim të paqes dhe të stabilitetit, duke theksuar se Turqia me politikat e saj ka ndikuar në zhvillimet më pozitive të rajonit. Kryeministri çmoi mbështetjen që Turqia i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillim. Nga ana e tij, zoti Cicek u shpreh se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në reformimin e institucioneve të saj, zhvillimin e reformave dhe atë ekonomik.
15/05/2012