E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Kryetarin e Parlamentit të Turqisë, Xhemil Çiçek

15 maj 2012

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot pasdite në një takim të veçantë Kryetarin e Parlamentit turk, Xhemil Çiçek dhe delegacionin që e shoqëron, gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në takim ishte i pranishëm Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, zoti Hasan Sevilir Asan.

Në fillim të takimit, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore dhe miqësinë historike mes dy vendeve e popujve tanë, duke shprehur njëkohësisht dëshirën dhe bindjen në intensifikimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat. Kreu i Shtetit konsideroi të një rëndësie të veçantë forcimin e bashkëpunimit dypalësh institucional, sidomos mes organeve më të larta legjislative të Shqipërisë dhe Turqisë, me synim forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Duke bërë një pasqyrë të përgjithshme të zhvillimeve më të fundit në vend, Presidenti Topi shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e gjithanshme të Turqisë në të gjitha proceset integruese të Shqipërisë, si partner strategjik i saj në rajon e më gjerë, jo vetëm nëpërmjet bashkëpunimeve profesionale ushtarake në kuadër të misioneve të NATO-s, por dhe në përpjekjet aktuale për të realizuar synimin e përbashkët, përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve që rrjedhin nga aspirata për integrim me të drejta të plota të dy vendeve tona në Bashkimin Evropian.

Në vijim të takimit, Presidenti Topi dhe Kryeparlamentari turk Çiçek ndanë të njëjtat mendime mbi rëndësinë e forcimit të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan e më gjerë, dhe në këtë drejtim, duke u shprehur optimistë për perspektivat e sigurta të dy vendeve tona, vunë në dukje se tashmë të gjitha vendet e rajonit janë projektuar qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike.

Kryeparlamentari turk Xhemil Çiçek, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit të rëndësishëm me Kreun e Shtetit shqiptar, vuri në dukje se ka ndjekur e ndjek me vëmendje të gjitha zhvillimet në Shqipërinë mike, duke vlerësuar me këtë rast rolin mjaft pozitiv e serioz institucional, ligjor e kushtetues të Presidentit Topi në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në proceset e zhvillimit demokratik të Shqipërisë, si dhe duke uruar një finalizim sa më të shpejtë të aspiratës integruese të shtetit dhe të popullit shqiptar në familjen evropiane.

Gjithashtu, Kryeparlamentari turk Çiçek u shpreh i bindur në zhvillimin e mëtejshëm e të gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe në thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, por dhe në fusha të tjera me rëndësi parësore për zhvillimin e vendeve tona, si në ato ekonomike, energjetike infrastrukturore, të turizmit, telekomunikacionit, etj, me synim që miqësia mes vendeve e popujve tanë të njohë vetëm ecuri pozitive dhe progres.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›