Kryeministri Berisha përshëndet përfundimin e hidrocentralit të Ashtës
Kryeministri Berisha, së bashku me kryetaren e parlamentit Jozefina Topalli dhe kryetaren e parlamentit të Austrisë Barbara Prammer, prenë sot shiritin e inaugurimit të përfundimit të hidrocentralit të Ashtës, projekti më i madh energjetik i 30 viteve të fundit që i shtohet sistemit energjetik shqiptar.
HEC-i Ashtës, një investim i përbashkët i kompanive të njohura austriake EVN dhe VERBUND me vlerë 200 milionë euro, ka kapacitet rreth 53 megavat dhe do të hedhë në tregun energjetik shqiptar rreth 240 milionë kilovat/orë energji elektrike, duke siguruar furnizimin me energji për 100 000 familje shqiptare.
Ky hidrocentral, i cili përbëhet nga dy centrale elektrike, Ashta 1 dhe Ashta 2, konsiderohet një risi në fushën e ndërtimit të veprave energjetike hidrike: ai është ndërtuar me teknologjinë më të avancuar Matrix, duke përdorur turbinat e vogla, e cila bën të mundur shfrytëzimin mjaft efikas të energjisë ujore.
Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë një ngjarje të rëndësishme për sistemin energjetik shqiptar, por, njëherësh, edhe një hap madhor drejt realizimit të projektit të “Shqipërisë, superfuqi e energjisë së rinovueshme në rajon” dhe e “zhvillimit të qëndrueshëm”.
Për arritjen e këtij synimi, shfrytëzimi i burimeve ujore të vendit, në vlerësimin e Kryeministrit, mbetet ndër drejtimet kryesore dhe deri tani janë nënshkruar me sipërmarrjen private, 120 kontrata, për ndërtimin e 332 HEC-ve, me kapacitet mbi 1400 megavat dhe vlerë totale 2.4 miliardë euro. Kryeministri garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më miqësore ndaj investimeve, me besimin se zgjidhja për krizën ekonomike në Europë e më gjerë qëndron në mbështetjen e biznesit dhe zgjerimin e lirive ekonomike.
Me rëndësi të veçantë, Kryeministri vlerësoi aplikimin e teknologjisë më të avancuar të prodhimit të energjisë, me përdorimin e turbinave tubolare Matrix, çka e bën hidrocentralin e Ashtës të jetë “një risi në rrafshin mjedisor”.
Fjala e Kryeministrit në ceremoninë e inaugurimit të hidrocentralit “Ashta”.
“Për Shqipërinë, kjo është një ditë e veçantë, një ditë e shënuar. Ne inaugurojmë këtu, një kryevepër të vërtetë të energjetikës në Shqipëri, në Europë e më gjerë, hidrocentralin Ashta, më i madhi që ekziston sot, me teknologjinë e turbinave Matrix.
Hidrocentrali Ashta përbën njëkohësisht një kryevepër të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky hidrocentral ka respektuar standardet më të larta të mbrojtjes, respektit dhe zhvillimit të mjedisit. Në të gjithë trajektoren e kanalit, peshqit kanë kanalin e tyre të veçantë për t’u ngjitur nga deti deri në ujërat e hidrocentralit. Ndërtuesit e projektuesit kanë parashikuar lëshimin konstant të ujit ekologjik. Në fakt, në thelb, ne inaugurojmë sot, jo vetëm hidrocentralin me turbinat Matrix, më të madh të këtij lloji në botë, por edhe një shkollë të vërtetë të zhvillimit të qëndrueshëm, të respektimit të mjedisit. Ndaj unë dua t’i shpreh urimet e mia më të përzemërta kompanisë Ashta, të shpreh mirënjohjen time të thellë kompanive të mëdha VERBUND dhe EVN, lider në Austri dhe në Europë në fushën e energjisë së rinovueshme. Përpjekjet e tyre të përbashkëta, respekti e besimi i tyre tek Shqipëria e shqiptarët bënë që ne të inaugurojmë sot, investimin më të madh në fushën e energjetikës në 30 vitet e fundit, si dhe investimin më të madh në tërësi, të këtyre 20 viteve, në një vepër të vetme.
Por jashtë politikës, nuk mund të mos theksoj se kjo vepër inaugurohet në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe në këto 100 vjet, cilido që hedh sytë në marrëdhëniet midis dy popujve e kombeve tona do të gjejë marrëdhënie të shkëlqyera. Në memorien historike të shqiptarëve do të mbetet përjetë e regjistruar mbështetja që perandoria duale i dha shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, në një kohë kur, në tërësi, të tjerë mendonin si ta shuanin kombin shqiptar, nga harta politike e Europës.
Zonja dhe zotërinj,
Kompanitë e mëdha VERBUND dhe EVN realizuan në 30 muaj këtë vepër të shkëlqyer të energjetikës shqiptare. Ata i bashkohen sot prodhimit të sistemit energjetik, por, njëkohësisht, kjo përbën një etapë të rëndësishme në realizimin e një prej projekteve më ambicioze në historinë e këtij vendi, të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Ky projekt po lëshon shtat çdo muaj e më shumë. Në një hark kohor të shkurtër, qeveria ime ka firmosur me sektorin privat, rreth 120 kontrata, për ndërtimin e mbi 332 hidrocentraleve me kapacitet mbi 1400 megavat dhe investim prej rreth 2.4 miliardë euro. Është kënaqësi për mua të pohoj këtu, se në këtë projekt të madh, kompanitë e mëdha austriake e kanë Ashtën, vetëm hapin e parë, sepse ato janë të angazhuara në ndërtime hidrocentralesh dhe investime ndër më të mëdhatë që bëhen sot, në Europë.
Unë dua t’i garantoj investitorët austriakë se jam i vetëdijshëm për pengesat e vështirësitë që kanë kapërcyer në ndërtimin në një kohë rekord, të këtij hidrocentrali. Sikundër dua t’i garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka, për të lehtësuar gjithnjë e më shumë klimën e biznesit, për ta bërë Shqipërinë një nga vendet më miqësore ndaj investimeve dhe investitorëve të huaj. Ne jemi të bindur se kjo krizë e thellë që ka pllakosur pjesën më të madhe të Europës e më gjerë ka vetëm një zgjidhje dhe ajo qëndron në mbështetjen e biznesit, në zgjerimin e lirive ekonomike.
Të nderuar të pranishëm,
Një muaj më parë, një botim shumë prestigjioz për lirinë ekonomike në botë merrte dy shembuj. I pari ishte shembulli i vendit tim, i cili vetëm pak vite më parë renditej i 84-i, por që fluturimthi kishte zbritur në vendin e 12-të bë botë përsa i përket lirisë ekonomike dhe shembulli i dytë ishte një vend tjetër mik, Afrika e Jugut, e cila nga politikat centraliste kishte humbur mbi 53 pozicione. Besimi ynë është se tek liria ekonomike, zgjerimi dhe konsolidimi i saj qëndron i gjithë potenciali për të përballuar me sukses këtë krize multidimensionale dhe afatgjatë që ka pllakosur Europën e më gjerë.
Zonja dhe zotërinj,
Para se të ngjitem në foltore, pyeta zotin Gruber për jetëgjatësinë e turbinës. Më tha se kanë jetë shumë të gjatë, 30-40 vjet. Atëherë, më lejoni t’i uroj karrierë të gjatë politike sa jeta e turbinës, zonjës Barbara Prammer dhe zonjës Jozefina Topalli. Ndërsa zonjës Ulrike t’i uroj që sëbashku të vazhdojmë edhe 30 e 40 vjet të vendosim turbina të tjera si kjo, në të katër anët e Shqipërisë. Edhe një herë gëzuar e faleminderit.”
18/09/2012