Kryeministri Berisha pret Nënsekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. James Clapper
- Nënsekretari Clapper i solli Kryeministrit Berisha falënderimet e Sekretarit Gates për angazhimin e Shqipërisë në Irak dhe Afganistan.
Sot, Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Nënsekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin James Clapper. Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha falënderoi SHBA-të, Presidentin dhe në veçanti Departamentin e Mbrojtjes për ndihmën e madhe që kanë dhënë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke shtuar gjithashtu, se Shqipëria bëri maksimumin e saj për të arritur objektivat e anëtarësimit.
Më tej, Kryeministri Berisha e njohur Nënsekretarin Clapper me përgatitjet që po bën qeveria për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duke përmendur dixhitalizimin e regjistrit të gjendjes civile, dixhitalizimin e listave të votuesve, pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike.
Nga ana e tij, Nënsekretari Clapper uroi Kryeministrin Berisha me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe solli falënderimet e Sekretarit Gates për angazhimin e Shqipërisë në Irak dhe Afganistan. Ai po ashtu theksoi se SHBA-të po e ndjekin me vëmendje procesin zgjedhor në Shqipëri dhe shprehu bindjen se ato do të jenë të lira dhe të ndershme.
Duke folur për situatën si dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në Afganistan, Kryeministri Berisha njoftoi Nënsekretarin e Mbrojtjes Clapper mbi vendimin që ka marrë qeveria shqiptare për dërgimin së shpejti në Afganistan edhe të një kompanie ushtarake, 20 mjekëve dhe infermierëve, si dhe financimin e ndërtimit të disa shkollave. Kryeministri po ashtu shprehu gatishmërinë e qeverisë për të pranuar studentë afganë në universitetet shqiptare.
Më tej, të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën në rajon dhe veçanërisht në Kosovë, ku u vërejt suksesi i madh që ka bërë Kosova pas pavarësisë, sidomos në fushën e sigurisë. Kryeministri tërhoqi vëmendjen në manipulimin politik të serbëve në veri të Mitrovicës, si dhe në rolin aspak pozitiv të Serbisë përsa i përket aktiviteteve rajonale.
02/06/2009