Kryeministri Berisha uron Kryeministrin e ri të Greqisë z. Lukas Papadhimos
Kryeministri Berisha i ka dërguar një telegram urimi Kryeministrit të ri të Greqisë, z. Lukas Papadhimos, me rastin e zgjedhjes së tij në këtë detyrë.
Në këtë telegram Kryeministri Berisha shprehet:
I nderuar Zoti Kryeministër,
Kam kënaqësinë e veçantë që, me rastin e zgjedhjes Suaj në pozicionin e Kryeministrit të Greqisë dhe krijimit të qeverisë së bashkëpunimit, t’Ju përcjell në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses të plotë në detyrat e vështira, por jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin dhe kombin Tuaj fqinj e mik.
Kam ndjekur me vëmendje përkushtimin, vizionin dhe vendosmërinë Tuaj profesionale, ndaj ruaj bindjen e thellë se përzgjedhja Juaj në krye të qeverisë, në këtë situatë delikate financiare për vendin Tuaj, do të sjellë një kontribut të rëndësishëm në kapërcimin e saj dhe në ecjen përpara me reformat e nevojshme për ta kthyer Greqinë në rrugën e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm.
Gjej rastin t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi të vendosur dhe të angazhuar për t’i forcuar edhe më tej marrëdhëniet e mira ndërmjet të dyja vendeve tona, si dhe për të zgjeruar e forcuar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dy popujve tanë.
Me sigurimet e konsideratës dhe të respektit më të lartë,
Juaji,
Sali Berisha”
16/11/2011