Kryeministri Berisha takon Zotin Konstantin Zhigalov, i Dërguar Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së
Z. Konstantin Zhigalov falënderoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë për mbështetjen që i ka dhënë Kazakistanit për kryesimin e OSBE-së si dhe për bashkëpunimin me Prezencës e OSBE-së në Shqipëri.
Kryeministri Berisha priti sot në një takim zotin Konstantin Zhigalov, i Dërguar Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim, i Dërguari Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shoqërohej nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bosch.
Kryeministri Berisha i shprehu mirëseardhjen zotit Konstantin Zhigalov dhe anëtarëve të delegacionit dhe falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që OSBE i ka dhënë Shqipërisë nëpër vite, veçanërisht në proceset e demokratizimit dhe të reformave zgjedhore, procese, të cilat kanë qenë një ndihmë e rëndësishme në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe në BE.
Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, të fokusuara në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e projekteve më madhore për shqiptarët, integrimin në BE dhe liberalizmin e vizave. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e arritjeve të standardeve më të larta në procesin zgjedhor, të cilat u konkretizuan në zgjedhjet e qershorit 2009, zgjedhje të certifikuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Gjatë takimit, Kryeministri bëri një përshkrim të situatës politike në vend, duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që mazhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe KiE, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare.
Në vijim të takimit, Kryeministri Berisha vlerësoi rolin e Kazakistanit si vendi kryesues i OSBE-së për vitin 2010, në qetësimin konflikteve të ngrira në zonën e OSBE-së.
Zoti Konstantin Zhigalov falënderoi Kryeministrin Berisha dhe qeverinë për mbështetjen që i ka dhënë Kazakistanit për kryesimin e OSBE-së si dhe për bashkëpunimin me Prezencës e OSBE-së në Shqipëri.
Zoti Zhigalov i shprehu vlerësimet Kryeministrit Berisha, për arritjet në reformat dhe në zhvillimin e madh të vendit në të gjitha fushat, si dhe e përgëzoi atë për arritjen e qëllimit madhor për Shqipërinë, anëtarësimin në NATO, duke uruar sukses edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë takim për t’i transmetuar përshëndetjet e tij më të përzemërta Presidentit të Kazakistanit, Nursultan Nazarbayev dhe duke shprehur kënaqësinë për një vizitë të Tij në Shqipëri.
Zoti Konstantin Zhigalov i bëri me dije Kryeministrit Berisha mbi organizimin e Samitit të OSBE-së në Astana, duke i përcjellë Kryeministrit Berisha ftesën për të marrë pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm, i cili pritet të zhvillohet në fund të këtij viti, ftesë të cilën Kryeministri Berisha e pranoi me shumë kënaqësi.
15/03/2010