Kryeministri Berisha pret Senatorin Bernini, së bashku me disa përfaqësues të një kompanie italiane të interesuar për projekte infrastrukture
Kryeministri Berisha priti në një takim Senator Berninin, së bashku me disa përfaqësues të një kompanie italiane, të interesuar për projekte infrastrukture. Senatori italian e uroi z. Berisha për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Shqipërisë dhe i shprehu simpatinë e tij për arritjet e vendit në fushën ekonomike, politike dhe në arenën ndërkombëtare. Ai tha se është kënaqësi për vendin e tij të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës dhe të kontribuojë në mënyra të ndryshme, në rastin konkret në fushën e biznesit, ndërtimin e rrugëve të reja. Përfaqësuesit e kompanisë italiane shprehën interesin e tyre për të marrë pjesë në vepra koncensionare, si në atë të unazës së madhe të Tiranës, rrugën Fushë Krujë – Rrogozhinë, etj.
Kryeministri Berisha, pasi falënderoi Senatorin Bernini dhe përfaqësuesit e kompanisë italiane për vizitën, i njohu ata me programin e qeverisë së tij në fushën e infrastrukturës. Kryeministri i nxiti përfaqësuesit e kompanisë italiane të fillojnë procedurat përkatëse për të konkretizuar projekte në infrastrukturë. Gjithashtu, Kryeministri i njohu me një sërë veprash të tjera infrastrukturore që kanë filluar dhe do të fillojnë të ndërtohen gjatë viteve në vazhdim. Ai theksoi se, në këtë fushë objektivi i qeverisë së tij ishte lehtësimi i lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave me rrugë dy herë më të shkurtra se në të shkuarën dhe të standardeve evropiane.
09/10/2009