E Diel, 1 Nëntor 2026

Mblidhet Grupi i Punës për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë të zonës Tiranë - Durrës

-Kryeministri Berisha kërkoi që të veprohet me shpejtësinë më të madhe të mundshme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, një nga drejtimet kryesore të programit qeverisës në katër vitet e ardhshme

Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u mblodh dje në mbrëmje, në Kryeministri, Grupi i Punës për zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë të zonës Tiranës – Durrës, i cili përbëhet nga përfaqësues të ministrisë Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministrisë së Financave, ministrisë së Ekonomisë, ministrisë së Mjedisit, ministrisë së Brendshme dhe përfaqësues të Drejtorive që kanë lidhje me sektorin e Ujësjellës Kanalizimeve.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha kërkoi që të veprohet me shpejtësinë më të madhe të mundshme për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë, një nga drejtimet kryesore të programit qeverisës në katër vitet e ardhshme. “Ky takim zhvillohet pasi Grupi i Punës ka disa kohë që punon dhe tashmë duhet të vijmë në një përfundim, në mënyrë që të kalojmë në veprim me shpejtësinë më të madhe të mundshme për një problem themelor, për një nga drejtimet kryesore të programit tonë në katër vitet e ardhshme, zgjidhjen e problemit të furnizimit më ujë”, u shpreh Kryeministri.

Me tej, u procedua me prezantimin e propozimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime si dhe të eksperteve të fushës, të cilat sigurojnë përmirësimin e furnizimit me ujë të zonës Tiranë-Durrës-Kavajë që në vitin 2010.

 Në përfundim të diskutimeve, Kryeministri Berisha kërkoi që për secilin nga variantet e propozuara të përcaktohen afatet kohore të realizimit të këtyre veprave, sigurimi i qëndrueshmërisë së zgjidhjeve të ofruara, kostot e ndërtimit si dhe ato të operimit, mbi bazën e të cilave do të merret vendimi përfundimtar. Bazuar në vendimin e marrë do të procedohet me përfshirjen e këtyre investimeve në buxhetin e shtetit të vitit 2010, për të nisur sa më parë me zbatimin.

 Gjithashtu, Kryeministri vuri në dukje se paralelisht me furnizimin me ujë të këtyre zonave duhet të punohet paralelisht për t’i dhënë zgjidhje edhe problemit të vaditjes, pasi zgjidhjet e dhëna për furnizimin me ujë nuk do të rezistonin gjatë. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e Bujqësisë të shohë me përparësi këtë çështje.

Propozimet e prezantuara në këtë mbledhje konsistonin në:

 Për Tiranën:Aktualisht kjo zonë me kapacitetet aktuale të burimeve e siguron furnizimin me ujë. Për ketë arsye është e nevojshme qe te ndërhyhet ne:

1.     Ruajtjen e burimeve, veçanërisht puseve, nga ndotja;

2.     Rritjen e kapaciteteve depozituese;

3.     Ndërhyrjet e menjëhershme në zonat periferike, të konsideruara deri më sot “informale”, me qëllim zgjidhjen definitive të furnizimit të tyre me ujë të pijshëm;

4.     Realizimin e skemave alternative të rrjetit shpërndarës për të furnizuar zona të rrezikuara nga mungesa e ujit;

5.     Realizimin e një studimi mbi bilancin faktik të ujit me qëllim vlerësimin e konsumit aktual dhe përcaktimit të nevojave për të ardhmen, bazuar në planet urbanistike afatmesëm/afatgjatë të njësive vendore. Bazuar ne këtë bilanc do te vijohet me shtesën e sasisë se ujit ne rast se do te këtë nevoje.

Për Durrësin dhe Kavajën: Kjo zonë me burimet aktuale nuk i mbulon kërkesat për furnizimin me ujë. Për këtë arsye dhe propozimet e bëra konsistojnë në masa të cilat do të sjellin përmirësime të shpejta.

1.     Reduktimi i humbjeve;

2.      Ndërtimi i depove dhe rrjetit shpërndarës për zonat rurale

3.     Shtimi i sasisë së ujit nëpërmjet burimeve shtesë nëntokësore apo sipërfaqësore. Burimet të marra në studim dhe të paraqitura në këtë takim ishin:

·         Shtimi i sasisë së ujit nga pusshpimet e Rrogozhinës që do të shërbejë për përmirësimin e furnizimit të zonës Durrës-Kavaje;

·         Ndërtimi i linjës së re nga baseni Fushë Kuqe-Fushë Milot që siguron furnizimin me ujë të kësaj zone deri më 2020;

·         Zgjidhja përfundimtare ku propozimet ishin: Burimet e Malit të Tomorrit, Skorana, Baseni Fushë Kuqe-Fushë Milot.


09/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›