E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një grup operatorësh turistikë nga Bosnje-Hercegovina

Kryeministri Berisha prit sot një grup operatorësh turistikë nga Bosnje-Hercegovina.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen, i falenderoi për iniciativën e ndërmarrë, për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Turizmi, tha Kryeministri, është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe një mundësi e madhe i forcimit të marrëdhënieve, sidomos me vendet fqinje. Shqipëria, vijoi Kryeministri, ka traditë të hershme në fushën e turizmit, është një vend mikpritës, me një kuzhinë të veçantë e të pasur, me bukuri natyrore të pakrahasueshme dhe me trashëgimi kulturore të shumëllojtë. Në një sipërfaqe kaq të vogël ofrohet gjithçka, deti, me plazhet me rërë e shkëmborë, male, lugina, liqene dhe mikpritje.

Qeveria shqiptare, theksoi Kryeministri, duke pasur parasysh këtë potencial të vendit, e ka konsideruar si një thesar të saj zhvillimin e kujdesshëm të turizmit. Përgatitja e infrastrukturës kryesore dhe dytësore kanë qenë hapat e para të reformave të qeverisë në këtë drejtim. Hartimi i një masterplani bregdetar dhe nxitja e shpirtit sipërmarrës për turizmin malor, lehtësirat për investitorët e huaj dhe vendas për zhvillimin e turizmit janë të pasqyruara në një sërë reformash të ndërmarra nga qeveria shqiptare, si heqja e taksave për disa vjet për investimet në turizmin malor, ofrimi i terrenit publik për projekte të mëdha turistike, mbrojtje e investimeve vendase dhe të huaja, lehtësira në udhëtim etj..

Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria, nëpërmjet turizmit, mund të forcojnë urat e bashkëpunimit dhe bashkërendimit, në favor të forcimit të miqësisë dhe zhvillimit të dy vendeve. Kryeministri Berisha u shprehu sipërmarrësve turistikë mirënjohjen për këtë hap të ndërmarrë dhe ju premtoi vazhdimësi në drejtim të thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.

Operatorët turistikë nga Bosnje-Hercegovina falenderuan Kryeministrin për mikpritjen zyrtare dhe mikpritjen shqiptare, të cilën, siç theksuan ata, e konstatuan gjatë këtij udhëtimi. Ne provuam dhe e dëshmuam vetë, u shprehën ata, atë që turizmi zhduk kufijtë dhe forcon bashkëpunimin dhe fqinjësinë e mirë. Ata shprehën entuziazmin për mundësitë e mëtejshme të bashkëpunimin në fushën e turizmit midis dy vendeve.


26/05/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›