E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidentit Topi takon Kryetarin e delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan

22 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore, Eduard Kukan, në kuadër të vizitës zyrtare që ai po kryen në vendin tonë.

Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë delegacionit dhe zotit Kukan, Presidenti Topi vuri në dukje se vizita të këtij niveli janë tregues të vëmendjes dhe mbështetjes së vazhdueshme që BE-ja tregon për Shqipërinë. Në këtë kontekst, Kryetari i Shtetit vuri në dukje angazhimin maksimal dhe vullnetin e duhur të shtetit shqiptar për të realizuar me sukses një sërë reformash të rëndësishme, sidomos në sistemin e drejtësisë, që do të plotësonin kuadrin e nevojshëm të standardeve integruese, një aspiratë kjo madhore e qytetarëve shqiptarë, po aq sa dhe përparësia kryesore e politikës sonë të jashtme. Në këtë drejtim, Presidenti Topi ritheksoi faktin se liberalizimi i vizave për Shqipërinë me BE-në do të ishte një hap tepër pozitiv që do të afronte më tepër dhe jo vetëm shpirtërisht shqiptarët me familjen e madhe evropiane.

Në mënyrë të veçantë, gjatë bashkëbisedimit me zotit Kukan, Presidenti i Republikës u ndal në prezantimin e situatës aktuale politike në vend. Duke shprehur besimin se partitë politike do të dinë të tregojnë vullnetin e tyre për kapërcimin e kësaj situate, Presidenti Topi nënvizoi se zgjidhja institucionale e saj do të t’u shërbente interesave madhore të qytetarëve shqiptarë për një të ardhme integruese në BE, një të ardhme më të sigurtë dhe me prosperitet.

Kreu i shtetit shqiptar dhe delegacioni i europarlamentarëve ndanë të njëjtin mendim përsa realitetit të qëndrueshëm në Ballkan dhe rëndësisë së bashkëpunimit politik e ekonomik mes të gjitha vendeve të rajonit, të orientuara qartë tashmë drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe evropiane.

Nga ana e tij, z. Kukan falenderoi Presidentin Topi për pritjen dhe çmoi përparimin e vendit tonë, që jo vetëm arriti të bëhej anëtar i NATOs-, por ecën i sigurt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Drejtuesi i delegacionit europarlamentar për Evropën Juglindore dhe anëtarët e tjerë eurodeputetë vlerësuan lart rolin moderator dhe pozitiv të Presidentit Topi për realizimin e tryezës politike mes udhëheqësve të mazhorancës dhe opozitës, që prodhoi rifillimin e dialogut politik dhe hyrjen e opozitës në Parlament, duke apeluar që ky dialog i nisur të vazhdojë e të forcohet sa më shumë duke i dhënë zgjidhje përfundimisht situatës politike në vend.

Zoti Kukan dhe delegacioni shprehu mbështetjen e plotë dhe pa rezerva ndaj aspiratës mbarëpopullore shqiptare për t’u integruar edhe zyrtarisht në gjirin e familjes evropiane si dhe e siguruan Kreun e shtetit se do të bëjnë çmos, pas vlerësimit dhe përmbushjes së kritereve teknike, që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë të bëhet realitet para fillimit të pushimeve verore.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›