E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët bektashinj me rastin e festës së Sulltan Novruzit

Kryeministri Berisha uroi sot të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Sulltan Novruzit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Kryeministri Berisha zhvilloi në mesditë një vizitë në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku u takua me kreun e kësaj selie Haxhi Dede Reshat Bardhi.

Në mesazhin e tij, nëpërmjet mediave të pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Në tërë historinë e kombit shqiptar 22 marsi është një nga datat më të ndritshme, është një nga festat më të mëdha, është dita e ngadhënjimit të njëhershëm të vlerave hyjnore dhe njerëzore së bashku. 22 marsi është dita e Sulltan Novruzit, kësaj dite të shenjtë, frymëzuese, për mbarë bektashinjtë shqiptarë dhe mbarë besimtarët e Zotit. Kjo është një ditë në të cilën nderohet sakrifica, nderohet mirëkuptimi, nderohet toleranca, besimi te Zoti dhe e ardhmja. Shqiptarët kanë tek bektashizmi dhe një shtysë të doktrinës së tyre të shqiptarësisë pasi themeluesit e Rilindjes Kombëtare dihet se ishin bektashinj. Bektashinj të të gjitha kohërave janë gjetur në anën e Zotit, të kombit dhe të vendit.

Por, sot është dita e triumfit të vlerave të demokracisë në Shqipëri. Sot është 22 marsi, dita në të cilën populli më i shtypur i Evropës, dhe ndër 2-3 popujt më të shtypur të botës, me votën e lirë u nda në mënyrë të qytetëruar nga diktatura më e egër dhe regjimi më barbar që ata kishin përjetuar në tërë historinë e tyre.

22 marsi është një apel për të gjithë shqiptarët që të konsolidojnë vlerat që ngadhënjyen në 22 mars të vitit 1992; vlera mbi të cilat ky vend në 18 vite ka ndryshuar më shumë se çdo vend tjetër në historinë e tij; vlera të cilat kanë bërë që shqiptarët të kenë të sigurt të ardhmen e ndritur që ata meritojnë.

Faleminderit!”


22/03/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›