Kryeministri Berisha pret Zv/Avokatin e Shtetit të Spanjës z. Manuel Renedo
Kryeministri Berisha priti sot Zëvendës Avokatin e Shtetit të Spanjës z. Manuel Renedo. Në takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Spanjës në Tiranës z. Manuel Montobbio, si dhe ekspertët që kanë punuar për ligjin e Avokaturës së Shtetit në Shqipëri.
Zoti Manuel Renedo duke i përcjellë përshëndetjet e Ministrit spanjoll të Drejtësisë dhe Avokatit të Përgjithshëm Spanjoll, e falënderoi Kryeministrin Berisha për mundësinë e bashkëpunimit dhe finalizimin me sukses të procesit formues të Avokatëve të Shtetit në Shqipëri. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e institucioneve shqiptare, si dhe përgatitjen e tyre për të hyrë në Bashkimin Evropian” tha z. Renedo. Dëshirojmë që këto lloj bashkëpunimesh, - u shpreh ai - të vazhdojnë dhe ju shprehim gatishmërinë tonë për bashkëpunime të ardhshme.
Kryeministri Berisha e falënderoi Zv/Avokatin e Shtetit Spanjoll dhe nëpërmjet tij edhe Ministrin spanjoll të Drejtësisë, për ndihmën shumë të rëndësishme që kanë dhënë në reformimin e Avokaturës së Shtetit. “E konsideroj këtë reformë shumë të rëndësishme për vendin tonë, prandaj ju siguroj se kjo reformë do të shkojë deri në fund” – u shpreh Kryeministri Berisha. Në këtë drejtim, - shpreh Kryeministri, - ju siguroj se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me ju dhe qeverinë tuaj në fushën e drejtësisë.
Më tej, Kryeministri i përcolli vlerësimet e tij për Mbretërinë e Spanjës, ministrinë e Drejtësisë dhe Avokaturën e Shtetit Spanjoll, pasi për Shqipërinë ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm.
Nga ana e tij, Ambasadori Montobbio prezantoi ekspertët spanjoll që morën pjesë në realizimin e projektit për Forcimin e Avokaturës së Shtetit në Shqipëri, i cili u realizua në bashkëpunim me Ministrinë shqiptare të Drejtësisë dhe Agjencisë Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim me Avokaturën e Shtetit Spanjoll.
Kryeministri Berisha i falënderoi ekspertet për kontributin e dhënë dhe i garantoi ata se qeveria shqiptare do të vazhdojë procesin e reformimit të Avokaturës së Shtetit. “Mbetem plotësisht i bindur se procesi i reformimit të Avokaturës së Shtetit do të vazhdojë dhe do të vlerësoja shume ndihmën tuaj në trajnimin dhe përgatitjen e tyre të vazhdueshme. Edhe njëherë mbetem i hapur për bashkëpunime në të ardhmen me ju”, u shpreh Kryeministri Berisha.
14/07/2010