E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi ngushëllon familjarët e mjekut të njohur, Arqile Boti.

13 korrik 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Boti për ndarjen nga jeta të mjekut të njohur popullor e të përkushtuar në profesionin e tij, Arqile Boti, pas një sëmundjeje të gjatë e të pashërueshme.

“Të dashur familjarë të të ndjerit, Doktor Arqile Boti,

Më lejoni që në këtë ditë tepër të trishtueshme, në këtë humbje të madhe jo vetëm për ju, por për mbarë mjekësinë shqiptare, për mjekët, kolegët, pacientët dhe miqtë e panumërt, t’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta e t’ju gjendem shpirtërisht pranë në këtë çast dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të dashur, të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!

Puna e tij e palodhur dhjetëravjeçare, kontributi në fushën e mjekësisë alternative dhe atë moderne, humanizimi dhe arritjet e tij mjekësore e shkencore, do të mbeten të pashlyeshme në kujtesën tonë dhe të të gjithë njerëzve që patën rastin ta njohin nga afër dhe të ndiejnë përkujdesjen e ndihmesën e pashembullt të Doktor Arqilesë.

Duke ndarë me ju dhimbjen për humbjen e këtij njeriu me vlera të rralla njerëzore dhe qytetare, më lejoni t’ju shpreh dhe njëherë ngushëllimet e mia më të sinqerta!” – thuhet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›