E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret aktoren dhe producenten italiane, znj. Maria Grazia Cuccinotta

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të përzemërt aktoren dhe producenten e famshme italiane, znj. Maria Grazia Cuccinotta.

Në vizitën e saj të parë në vendin tonë, znj. Maria Grazia Cuccinotta u shpreh e impresionuar nga zhvillimi i Shqipërisë si dhe shprehu vlerësimet e saj më pozitive për artin dhe kulturën shqiptare, veçanërisht u ndal në talentin e mjaft artistëve shqiptarë të cilët ajo kishte patur rastin t’i takonte dhe me të cilët kishte bashkëpunuar më parë në Itali.

Kryeministri Berisha falënderoi znj. Maria Grazia Cuccinotta që zgjodhi vendin e tij për një projekt shumë të rëndësishëm dhe interesant, siç është telefilmi-serial kinematografik për të cilin ajo kishte ardhur në Tiranë dhe që ishte një bashkëpunim mes dy vendeve dhe me aktorë kosovarë dhe italianë.

Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare do të mbështesë përherë e më shumë projekte serioze që do të ndihmojnë zhvillimin e artit skenik dhe kinematografisë në Shqipëri, duke vlerësuar se filmi është një transitor shumë i rëndësishëm i kulturës dhe dashurisë mes popujve dhe që ka një rol me peshë në edukimin e brezave të rinj.

Znj.Maria Grazia Cuccinotta u shpreh mjaft e kënaqur nga bashkëpunimi me artistët shqiptarë gjatë këtij projekti dhe shprehu gatishmërinë që shumë shpejt, në rolin e saj si producente, të vijë sërish këtu dhe të realizojë projekte të reja.

Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e aktores dhe producentes së njohur, që nga fillimi i viteve ’90, në thesarin e filmografisë jo vetëm italiane, por edhe asaj evropiane dhe amerikane me më shumë se 60 filma në rol protagonist dhe me 20 prodhime si producente me regjisorët nga më të mirët në botë si Woody Allen, Spike Lee, Ridley Scot, etj.


17/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›