Kryeministri Berisha pret z. Arthur Mattli, Drejtor politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane
Kryeministri Berisha priti sot në një takim z. Artur Mattli, Drejtor politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane dhe delegacionin që e shoqëronte atë.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha i shprehu z Mattli mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme e të vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë këtyre viteve.
Drejtori politik në Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Konfederatës Zvicerane e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i rikonfirmoi atij se Zvicra do të vijojë të jetë një mike e ngushtë dhe mbështetëse e Shqipërisë, si dhe do të vazhdojë të jetë tërësisht e angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin e suksesshëm dhe frytdhënës, për ta zgjeruar atë në të gjitha fushat.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes dy vendeve dhe qeverive, të bazuara mbi ndjenjat më të sinqerta të miqësisë tradicionale midis dy popujve dhe vendeve tona. Gjithashtu, u rikonfirmua vullneti i palëve për të intensifikuar bashkëpunimin dhe për vijuar projektet e suksesshme të realizuara gjatë kësaj periudhe në Shqipëri, në sektorë të rëndësishëm, por edhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Fusha e trajnimit profesional, sektori energjetik, turizmi, përpunimi i ujërave, i ndotjeve urbane, sektori bankar, etj., u evidentuan si fusha me potenciale të rëndësishme ku pritet intensifikimi i bashkëpunimit në të ardhmen.
Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi projektin TAP, i cili u vlerësua si projekti më realist dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për furnizimin me energji të vazhdueshme dhe për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendeve të rajonit të cilët ai i përshkon, por edhe me një impakt realisht shumë pozitiv për vet hapësirën evropiane.
Më tej, Kryeministri Berisha e informoi z. Mattli mbi arritjet e rëndësishme të reformave të ndërmarra në vend gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për sa i përket krijimit të një klime të favorshme për biznesin dhe investimet, zhvillimin ekonomik me ritme të shpejta, thithjen e investimeve të huaja, etj.
Delegacioni zviceran rikonfirmoi se gjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të theksuar të interesit të investitorëve zviceranë për të investuar në Shqipëri dhe e siguruan Kryeministrin Berisha se qeveria e vendit të tyre do të vazhdojë t’i inkurajojë ata për të ardhur në Shqipëri dhe për të ndërtuar një histori suksesi me bizneset e tyre, por edhe për të krijuar ura të reja miqësie midis dy vendeve dhe popujve.
25/09/2012